Psikologji

Si të shpenzoni më pak e të kurseni më shumë? Të gjithë duhet t’i lexojnë këto këshilla

Me siguri që edhe juve ju gjen fundi i muajit ndonjëherë pa lekë dhe kur mendoheni mirë, nuk është se keni bërë shpenzime të kota. Keni paguar për gjërat e domosdoshme. Ndërkohë mendoni edhe për fqinjët apo të afërmit tuaj që mund të kenë më pak të ardhura mujore se ju, por që arrijnë të kursejnë shumë dhe herë pas here blejnë diçka të re, apo çdo verë shkojnë jashtë vendit me kursimet e gjithë vitit.

Mund t’ju duket e pamundur të kurseni edhe ju, kur paguani për gjërat që duhet të paguhen, por në fakt edhe për to mund të kursehet nga pak. Më poshtë ju japim 10 këshilla të vlefshme dhe e dimë që nëse nisni t’i zbatoni, me siguri që në fund të muajit tjetër do të na falenderoni.

  1. Fikeni televizorin dhe dritat kur largoheni nga shtëpia, apo kur merreni me punë të ndryshme që s’kanë lidhje me to. Mund t’ju duket sikur me energjinë elektrike shpenzoni më pak se me çdo gjë tjetër, por është mirë që të filloni nga aty për të kaluar më pas në shpenzimet e mëdha.
  2. Mos shpenzoni shumë edhe me ujin. Mund t’ju duket e çuditshme, sepse pa ujë nuk jetohet, por në Tiranë kam vënë re që blejnë përherë ujë në dyqane, kur tashmë është testuar dhe thënë që uji i Dajtit që shpërndahet në Tiranë është shumë i pastër. Blini në makinat që shpërndajnë ujë. Kështu kurseni edhe disa lekë më shumë për të blerë diçka tjetër që dëshironi ta keni (Gjithmonë në fund të muajit!).
  3. Kur jeni në supermarket, mos mendoni që produkti i mirë është ai që kushton më shumë. Ka plot produkte të njëjtë dhe që kushtojnë më pak. Pyesni fqinjët tuaj për produktet, detergjentët apo ushqimet që blejnë, dhe do të bindeni se edhe ata blejnë produkte të lira dhe me cilësi të lartë.
  4. Para se të shkoni për të blerë ushqime, bëni fillimisht një listë dhe mendohuni se me cilat produkte shpenzoni më shumë. Aty përpiquni të reduktoni sasinë, ose të blini një produkt tjetër më të lirë në mënyrë që të kurseni disi edhe nga kjo anë. Vendosni një limit parash se sa do të shpenzoni në ditë dhe mos e kaloni atë shumë.
  5. Mos blini vetëm veshje të reja e të kushtueshme. Mund t’ju duket e çuditshme, por ka plot vajza e djem që e mbajnë veten dhe blejnë veshje tek ato të përdorurat. I lajnë dhe ato bëhen si të reja. Kam pasur plot raste të shtunave, kur kam dalë nga tregu i rrobave të përdorura e kam parë plot të njohura që e mbajnë veten. Ishin duke zgjedhur rroba për veten, kur u hap dëngu me rrobat e përdorura. Mendoni pak sa do të kurseni me këtë mënyrë dhe askush s’do të dallonte gjë që rrobat tuaja janë të përdorura.
  6. Shisni rrobat tuaja të përdorura. Po, tashmë ka plot grupe online që përdoren për të shitur rrobat e përdorura. Një shoqe më tha se fitonte rreth 20 mijë lekë të reja duke shitur rrobat e saj të vjetra dhe me to paguante për të blerë rroba të reja. Kërkoni në rrjetet sociale për faqe me tregti të tilla dhe do të më besoni që ka shumë persona që veprojnë kështu.
  7. Mos i hidhni poshtë veshjet që mund t’ju jenë grisur pak. Qepini ato. E vjetra mbron të renë, thoshin përherë të dyja gjyshet e mia, dhe ekonomi vunë plot në kohën e tyre, edhe pse ishin me rrogë si punëtore fshati në kohën e diktaturës.
  8. Mënjanoni ngrëniet apo daljet jashtë. E dini tashmë që të hash jashtë shtëpisë kushton më shumë se të përgatisësh ushqime tradicionale në shtëpi. Mirëpo edhe për kafe mos dilni shpesh me miqtë. Mendoni diçka. Nëse pini një makiato rreth 70 lekë përditë, për tri ditë do të keni harxhuar mbi 200 lekë. Mund të blini një pako kafe dhe një pako sheqer dhe t’i ftoni miqtë në shtëpinë tuaj. Me siguri ato do të zgjasin më shumë se tri ditë dhe ju do të kurseni edhe në këtë drejtim.
  9. Eliminoni alkoolin, duhanin, apo drogërat e ndryshme. Mund ta shihni si të pamundur të mos e shoqëroni kafenë me pak alkool, apo me një cigare duhani, por mendoni pak se sa shpenzoni me to në gjithë muajin. Rrallojeni sasinë që konsumoni prej tyre dhe do ta shihni që jo vetëm do t’i bëni mirë shëndetit tuaj, por edhe do të kurseni.
  10. Nënat e reja nuk duhet të shpenzojnë shumë edhe për argëtimin e fëmijëve. Kam parë plot nëna që i çojnë fëmijët në qendra, apo mjedise ku luajnë me pagesë dhe pyes veten “Vallë nuk mjaftojnë parqet e qytetit?”. Edhe në kryeqytet ku ankohemi se nuk kemi hapësira, ka plot vend nga liqeni për argëtimin e fëmijëve, ndaj këto janë justifikime. Madje mendoj se është më mirë që fëmijët të luajnë në natyrë, se në ambientet e kufizuara të këndeve të lojërave në qendrat tregtare.

Ka dhe plot mënyra të tjera se si të kurseni. Ju duhet thjesht që të mendoheni në çdo moment “Vërtet ia vlen të shpenzoj kaq? Pse të mos marr diçka të njëjtë, por me çmim më të lirë?”. Dhe nëse lekët ju duken tunduese për t’i prishur kur i keni në dorë, përpiquni që një pjesë të tyre ta mbyllni në bankë si kursim. Paratë janë shumë tunduese, por po aq tunduese janë edhe gjërat që ju pëlqeni të blini, apo pushimet e bukura që dëshironi të kaloni gjatë verës. Ndaj, filloni të kurseni që tani! / Bota.al

Leave a Reply

Back to top button