Psikologji

Si t’ia dalësh me dhimbjen e pendesës?

Të shërohesh shpirtërisht do të thotë të kalosh përmes gjërave që të kanë shkaktuar dhimbje dhe më në fund të ndihesh i qetë. Të pendohesh është e dhimbshme. Të ndryshosh është e dhimbshme, por gjithsesi të ndryshosh dhemb shumë më pak se sa të pendohesh. Nëse je në një udhëkryq për të ndryshuar, apo për t’u penduar, duhet të jesh më se i bindur se ndryshimi dhemb shumë më pak, se sa pendesa. Vetëm kur e kuptojmë një gjë të tillë, ne vendosim të ndryshojmë, të ecim përpara, ta lëmë atë pendesë të shkojë, sepse në të vërtetë nuk po na shërben neve.

Nëse ke një palë atleta të dëmtuara, të grisura, të vjetëruara, ti e kupton se ato nuk të shërbejnë më. Sado nostalgji të kesh për to, përsëri nuk i vesh sepse nuk të shërbejnë më. Kështu janë edhe pendimet, si një palë atleta të vjetëruara, si një veshje e dalë mode, si gjithçka që nuk na shërben më. Vetëm në momentin kur vendosim t’i hedhim ato pas krahëve dhe të kuptojmë se ndryshimi është zgjedhja jonë e vetme, atëherë mund të themi se kemi arritur urtësinë. Nuk jam duke thënë se një gjë e tillë është e lehtë, por bëhet e lehtë nëse ia kujton vetes diçka të tillë vazhdimisht.

Kujtoja vetes përherë se të pendohesh është gjëja më e pavlerë në botë, pasi asgjë nuk kthehet më ashtu siç ka qenë më parë. Bëj gjithçka për të ndryshuar e për të treguar se vërtet e ke marrë një mësim, por kurrsesi mos jeto me pendesat e së shkuarës. Jo vetëm që nuk ke për të arritur asgjë, por ke për të humbur edhe nga vetja jote, sepse sa më shumë të mendohesh për diçka të kaluar, aq më shumë humbet nga e tashmja jote dhe aq më shumë e heq vëmendjen nga e ardhmja…

Leave a Reply

Back to top button