HistoriHorizonti.al

Si u ndërtuan piramidat? Zbulimi i fundit, mund t’i japë një përgjigje shteruese këtij debati

Nga Ed Uhelan

A është zgjidhur më së fundmi enigma, se si egjiptianët e lashtë i ndërtuan piramidat e tyre? Një ekip ekspertësh shumë-kombësh pretendon se po, pasi zbuloi një shkallare të lëvizshme, të cilin ata thonë se ishte përdorur për të transportuar blloqet gjigante të gurit.

Megjithë shekujt e hulumtimeve në piramidat e Gizës, nuk ka pasur ende një shpjegim shterues se si egjiptianët e lashtë i prenë, transportuan dhe mblodhën miliona blloqe guri gëlqeror dhe graniti, ku secil prej të cilave peshonte mesatarisht 2.3 tonë për metër kub.

“Mbi ndërtimin e piramidave, nuk ka një teori të vetme që të jetë 100 për qind e provuar, ose e verifikuar. Ato janë të gjitha teori dhe hipoteza”- thotë Hani Helal, nënkryetar i Institutit për Ruajtjen e Inovacionit të Trashëgimisë. Por shumë studiues, kanë spekuluar se shkallarja ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në ndërtimin e piramidave të tilla, sikurse janë 3 piramidat me famë botërore në Giza.

Një ekip i kombinuar arkeologësh, nga Instituti francez për Arkeologjinë Orientale me qendër në Kajro dhe Universiteti i Liverpulit nga Britania e Madhe, po gërmonin në guroren e alabastrës Hatnub, e cila gjendet pranë Luksorit. Këtu, sipas ‘Science Alert’, ata gjetën një “shkallare 4.500 vjeçare”, që me sa duket përdorej për të lëvizur blloqet e alabastrës të prerë nga shpatet e pjerrëta të gurores.

Ky lloj guri, është përdorur në ndërtimin e varreve, dhe për shtrimin e dyshemeve të piramidave dhe tempujve. Arkeologët, besojnë se ata kanë zbuluar sistemin egjiptian për lëvizjen e blloqeve të mëdha ndërtimore, bazuar në hulumtimet e tyre në gurore. Ky sistem përfshinte ndërtimin e një shkallareje të madhe.

Bashkë-drejtuesi i gërmimeve i tha ‘Live Science’, se arkeologët besojnë se një “shkallarja kishte përsipër një bllok guri”, dhe ishte i lidhur me mbajtëse në shkallë. Duke tërhequr litarët, punëtorët mund të zbrisnin gurët poshtë shkallares.

Sistemi, që përdor shtyllat prej druri, litarët dhe gravitetin, lejoi zhvendosjen e blloqeve të mëdha nga gurorja. Televizioni ‘Fox Neës’, raporton se “ky lloj sistemi nuk është zbuluar asnjëherë tjetër më parë”. Ekipi anglo-francez, me mbështetjen e Ministrisë egjiptiane të Antikiteteve, hetoi shenjat e mjeteve, dhe i lidhi ato me disa mbishkrime të gjetura në gurore.

Besohet se shkallarja daton që në kohën e mbretërimit të Faraonit Khufu (vdiq 2566 PE.S.), i cili ndërtoi Piramidën e Madhe në Giza. Ekipi beson se më në fund, po arrin të tregojë se si egjiptianët e lashtë, arritën të lëviznin gjithë ata gurë të mëdhenj. Kjo për shkak se ata supozojnë se metoda për lëvizjen e alabastrës, ishte e ngjashme me atë që përdorej për të lëvizur blloqe të tjera guri.

Guri kryesor, që përdorej në ndërtimin e piramidave ishte ai gëlqeror, dhe sipas ‘Live Science’, “sistemi i shkallares mund të përmbajë, disa të dhëna të rëndësishme”, se si egjiptianët i lëviznin gurët gjigantë, dhe se si ata ishin në gjendje të zhvendosnin blloqe të mëdha guri deri në majë të piramidave.

Ky nuk qe i vetmi element i rëndësishëm në guroren e alabastrës. Gjatë gërmimeve të tyre, ekspertët gjetën një numër të madh mbishkrimesh, që rregjistronin vizitat e faraonëve në gurore, duke treguar rëndësinë e tij në projektet e ndërtimeve mbretërore. Ekipi ka zbuluar gjithashtu 4 pllaka guri, me disa mbishkrime që janë të palexueshme.

Ata gjetën gjithashtu disa nga kasollet, që dikur kishin strehuar punëtorët e guroreve. Janë duke u bërë përpjekje për ruajtjen e mbishkrimeve dhe strukturave. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë egjiptiane të Antikiteteve, thotë se zbulimi është një nga të parët që tregon se si punëtorët e faraonëve zhvendosën dikur gurët e rëndë.

Ai gjithashtu konfirmon rëndësinë e shkallareve në ndërtimin e piramidave. Më e rëndësishmja nga të gjitha, ky zbulim siguron dëshmi mbi aftësitë e avancuara të inxhinierisë dhe njohuritë e Egjiptit të lashtë rreth 4.500 vjet më parë, kur pjesa më e madhe e botës ishte ende në Epokën e Gurit. / Ancient Origins – bota.al

Leave a Reply

Back to top button