Analiza

Si u prish rendi i pas Luftës së Ftohtë

Fyodor Lukyanov
The Moscow Times

Në cdo rast, epoka e pas Luftës së Ftohtë do të kujtohet si një ilustrim i kontrastit të thellë mes qëllimeve dhe pritshmërive nga njëra anë, dhe rezultateve të përpjekjes për t’i përkthyer ato në një realitet, apo një tjetër

Screen Shot 2015-02-27 at 10.21.13

Tërheqja e trupave ukrainase nga Debaltseve heq një pengesë madhore për zbatimin e plotë të marrëveshjes së fundit të Minskut. Megjithatë, ai zhvillim ka gjithashtu një domethënie tjetër. Nuk ishte pala ukrainase, por kundërshtarët e saj – të cilët po punojnë për të shpërbërë shtetin ukrainas – që përcaktuan se kur do të merrnin fund luftimet.
Kjo gjë është shumë simbolike, dhe jo vetëm sa i përket këtij konflikti të vecantë. Bota ka hyrë në një fazë të cuditshme, ku pohimet që janë në themel të epokave të fundit historike tashmë janë vënë në dyshim.Kjo përfshin idenë e shtetit sovran, një mirëkuptim që buroi prej Iluminimit Europian dhe rezultatit që ishte formimi i shteteve europianë pas Paqes së Vestfalisë, një seri marrëveshjesh paqesh që u firmosën në 1648, të cilat u dhanë fund një numri luftërash europiane.
Situata në Ukrainë është vetëm një manifestim i mënyrës se si po shembet rendi botëror. Shteti Islamik është një shembull edhe më domethënës. Nuk po sfidon vetëm rendin në Lindjen e Mesme duke fshirë kufijtë, por edhe po shfaq një mizori gjithnjë e më të egër, duke i tmerruar kundërshtarët me ekzekutime të tmerrshëm publikë.
Në përgjithësi, mbizotëron një frymë mesjetare, me luftërat shkatërrimtare dhe në të cilën e vetmja strategji, nëse një e tillë ekziston, është të kënaqet pasioni për gjak. Kjo dëshirë për ta bërë armikun ta paguajë njëqindfish – edhe nëse ky është fqinji apo miku i djeshëm – shpesh herë përzihet me fanatizmin fetar apo nacionalizmin e verbër.
Pak më shumë se 20 vjet më parë, politologu amerikan Samuel Huntington sugjeroi se Lufta e Ftohtë do të pasohej pashmangshmërisht nga përplasja e qytetërimeve. Shumëkush e injoroi atë paralajmërim të zymtë, mes euforisë që kishte mbështjellë Perëndimin. Dhe ndonëse kjo teori ishte disi e thjeshtësuar me tepri, ajo nuk u zhyt në iluzionin se njerëzimi i kishte zgjidhur të gjithë sfidat e tij themelore me kolapsin e komunizmit.
Shekuj më parë, “të krishterët e irë” gjenin kënaqësi të madhe në djegien në publik të njerëzve të gjallë, ose masakrimin e një qyteti të tërë, me qëllim që të eleminonin armiqtë e tyre, pikërisht ashtu si po bën Shteti Islamik tani. Konfliktet e motivuar nga parimi “gjak për gjak” pothuajse nuk kanë shteruar asnjëherë gjatë cilësdo periudhë historike, pavarësisht se për cilin “qytetërim” bëhej fjalë. Thjeshtë, me kalimin e kohës, përparimi social dhe politik krijoi rregulla që kufizonin këta manifestime të barbarisë së lashtë.
Përse doli që Huntingtoni dhe pesimistë të tjerë të viteve ’90 kishin të drejtë? Në fund të fundit, supozohej se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe bllokut sovjetik eleminuan pengesat sistemike për shtrirjen, në të gjithë botën, të mendimit më të përparuar humanitar dhe social.
Dhe pikërisht këtu lindi mosmarrëveshja kryesore, që coi në situatën aktuale. Në një përpjekje për të përshpejtuar historinë, fuqitë kryesore botërore, të cilat në fundin e shekullit 20 gjendeshin ekskluzivisht në Perëndim, nisën të rishikojnë parimet kryesorë mbi të cilët ishin ndërtuar marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë 400 viteve të fundit.
Kjo kishte të bënte kryesisht me parimin e paprekshmërisë së sovranitetit shtetëror dhe shtetet-kombe si blloqet ndërtues të sistemit global. Rishikimi i qasjes ndaj sovranitetit kombëtar pati impaktin më të madh mbi ngjarjet botërore, që nga vitet 1990.
Kuptimi klasik i sovranitetit ishte zhvilluar prej një kombinimi faktorësh. Ndër më objektivët është globalizimi i ekonomisë dhe informacionit që përshkon kufijtë e shteteve. Faktorët subjektivë përfshijnë, pikësëpari, integrimin e parimeve humanitarë në ndjekjen e objektivave politikë, dhe së dyti, suksesin e integrimit europian.
Pasojë e këtij “humanizimi” është koncepti i “përgjegjësisë për të mbrojtur”, që u miratua nga Kombet e Bashkuara si një imperativ moral dhe jo ligjor. Për herë të parë, ai krijoi mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në cështjet e një shteti sovran, për arsye morale.
Vëzhguesit kanë nxjerrë vazhdimisht në pah dështimet e këtij parimi, duke patur parasysh mungesën e kritereve të përcaktuar qartë për ndërhyrjen, madje edhe pamundësinë e përcaktimit të këtyre kritereve. Megjithatë, pavarësisht rezultatit, në fund u vu në pikëpyetje parimi i sovranitetit.
Sa për integrimin europian, në fillim të këtij shekulli ai projekt dukej kaq i suksesshëm, saqë nxiti një dëshirë mes vendeve të tjerë që të përpiqeshin të bënin të njëjtën gjë. BE nuk është një shembull i një strukture që u kërkon shteteve anëtarë të heqin dorë nga sovraniteti, por një proces serioz gjatë të cilit shtetet heqin dorë nga disa privilegje, në këmbim të shanseve më të mëdha.
Sipas idealit europian, kufijtë kombëtarë nuk zhduken, por gradualisht shkrihen në një komunitet më të madh. Ata vazhdojnë të ekzistojnë, por marrin një rëndësi vetëm dytësore. Të gjithë e kuptonin se ishin kushte unikë që e bënin të mundur atë model, por ndjesia dhe vetëperceptimi i Europës si një standart për të tjerët ka përcaktuar prej një kohe të gjatë sjelljen e BE-së dhe perceptimin e saj në botë.
Megjithatë, fakti që Europa është bërë personifikimi i postmodernizmit politik i ka shtyrë, në mënyrë të papritur, vende të tjerë të botës që të rikthehen në paramodernizëm.
Shteti-komb sovran ka pushuar së qënuri faktori përcaktues de facto në sistemin që duket se është shfaqur pas Luftës së Ftohtë dhe që konsiderohej një shenjë e sigurtë e progresit historik. Por ky refuzm i elementit themelor të rendit botëror, sigurisht që e ka shkundur nga themelet të gjithë modelin që u zhvillua gjatë shekujve të mëparshëm.
Njerëzimi ka lëvizur jo përpara, por drejt një gjendjeje të panjohur, si dhe prapa, drejt një realiteti para-vestfalian kur përkatësitë fisnore dhe fetare përcaktonin marrëdhëniet, dhe jo nënshtetësia në këtë apo atë shtet-komb.
Pas një përpjekje të shkurtër dhe të dështuar për të ndërtuar një botë postmoderne, përpjekjet u fokusuan tek modernizmi, por tashmë ai është kthyer pas, në dicka që të kujton Mesjetën. Shembujt më të spikatur janë fragmentimi feudal i Ukrainës dhe furia fanatike e Shtetit Islamik, që mban zjarrin dhe kordhën e “besimit të vërtetë”, pa i marrë parasysh kufijtë shtetërorë.
Si janë gjërat sot, kjo “Luftë 30-Vjecare” do të përparojë shumë më shpejt se sa paraardhësja e saj historike, por do të ruajë aspektin e një konflikti shumënivelësh, që herë pas here shuhet dhe ndizet sërish.
E ashtuquajtura “luftë hibride” për të cilën flasin vëzhguesit këto kohë është në fakt një hedhje pas në kohn përpara shfaqjes së shteteve kombe. Ashtu si më parë, diversiteti i madh i identiteteve fetarë, fisnorë dhe gjeografikë shpjegon shumëllojshmërinë e mjeteve dhe natyrën gjithmonë në ndryshim të objektivave.
Eshtë e qartë se ky nuk është destinacioni final: historia nuk merr fund këtu. Ndoshta do të vazhdojë në mënyrë spirale, me një rikonsolidim të shtetit si e vetmja mënyrë për të mbrojtur njerëzit prej rreziqeve ndërkufitarë. Ajo është e mbushur me luftëra klasike ndërshtetërore.
Ose e kundërta, shteti do të dështojë të provojë të drejtën e tij për të përdorur dhunën dhe për të oaraqitur kolektivisht interesat e qytetarëve që nxitojnë të kërkojnë mbrojtje në format e reja të vetëorganizimit. Ose përndryshe, kjo formë e re vetëvendosjeje do të na cojë atje ku parashikoi Huntingtoni.
Në cdo rast, epoka e pas Luftës së Ftohtë do të kujtohet si një ilustrim i kontrastit të thellë mes qëllimeve dhe pritshmërive nga njëra anë, dhe rezultateve të përpjekjes për t’i përkthyer ato në një realitet, apo një tjetër.
THE MOSCOW TIMES
e.gj.www/bota/al

Leave a Reply

Back to top button