Analiza

Si u shndërrua Brexit-i, në një cirk politik

Nga Geoffrey Wheatcroft

Në fillim të muajit korrik, Tereza Mej e mblodhi kabinetin e saj në ‘Chequers’, rezidencën e kryeministrit britanik, 40 milje larg nga Dauning Strit, ku Uinston Çërçill shpëtoi dikur nga sulmi ajror gjerman mbi Londër, për të planifikuar luftën kundër nazistëve, dhe për të parë Vëllezërit Marks.

Ata gjendeshin atje për të diskutuar kushtet mbi të cilat Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Europian:çështje komplekse dhe kontestuese që e kanë ndarë vendin, veçanërisht konservatorët e zonjës Mej, dhe jo më pak ministra të saj.

Ajo dëshironte t’i jepte fund këtyre grindjeve, dhe në fakt u kujtoi ministrave atë që Lordi Melbërn, kryeministri i parë i Mbretëreshës Viktoria, i tha më 1830ë-n kabinetit të tij:”Nuk është shumë e rëndësishme ajo që themi, por mendoj se të gjithë duhet të themi të njëjtën gjë!”.

Për të zbehur kundërshtitë, ministrat që shkuan në Chequers, gjetën në sallë një pirg letrash me numrat e kompanive lokale të shërbimit taksi, një kujtesë jo shumë elegante se nëse ata zgjidhnin të jepnin dorëheqjen, nuk do të kishin më në dispozocion limuzinat e rehatshme qeveritare, për t’u kthyer në shtëpi.

Presioni duket se funksionoi. Mbrëmjen e së premtes, u arrit një kompromis i njohur si “Plani  Checkers” – që propozonte plot optimizëm se Mbretëria e Bashkuar do të mund të qëndrojë në një zonë të tregtisë së lirë me BE-në, për mallrat industrialë dhe bujqësore – ndërsa Ministri i Jashtëm, Boris Xhonson, e sulmoi ashpër kryeministren.

Por Mej u nxitua të shpallte fitoren. Të dielën, Dejvid Dejvis, ministri përgjegjës për Brexit, dha dorëheqjen duke thënë se “Plani Checkers”, ishte shumë i favorshëm për Brukselin. Pastaj të hënën, edhe Xhonson njoftoi dorëheqjen e tij. Pra, ajo që duhej të zbuste dallimet brenda partisë, vetëm sa i vuri më në dukje ato.

Mej përballet tani me Konferencën e Partisë Konservatore në fillim të tetorit, e cila, nëse Chequers është ndonjë lloj udhërrëfyesi, mëton të jetë një tejet helmuese. Kjo konferencë, do të pasohet dy javë më vonë nga samiti i BE-së në Bruksel për të rënë dakord mbi kushtet përfundimtare, nëse do të ketë ndonjë marrëveshje, për largimin zyrtar të Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian më 29 mars, ditën e Brexit.

Në Angli, kishte shumë arsye se përse njerëzit kishin nisur të mos pëlqenin “Europën”, nga ksenofobia, tek një kritikë e ndershme ndaj BE-së, si një kartel i korruptuar. Liberalët, shpërfillin kollaj njerëz e klasës punëtore, të cilët kanë ankthe të kuptueshme në një epokë të industrive tradicionale të ndryshuara, dhe pagave që po nuk rriten më.

Por, si pasojë e takimit në Chequers, Brexit ka ofruar sërish një mundësi për manovra politike, ose për shfaqjen hapur të ambicieve. Çështja e “Europës”, ka trazuaer konservatorët për shumë vite, dhe jo vetëm ata. Si kryeministër në vitin 1975, Harold Uilson u rrënua si pasojë e përçarjes mbi Europën brenda Partisë Laburiste. Ai tentoi zgjidhjen e problemit duke mbajtur një referendum, i pari në vend, për vijimin e anëtarësimit në BE.

Uilson korri një fitore dërrmuese, 67 për qind pro dhe 33 kundër. Tridhjetë vjet më vonë, Toni Bler arriti një marrëveshje korruptive private me eurofobikun Rupert Murdok, dhe me tmerrin e mbështetësve të tij më të afërt, premtoi një referendum mbi Kushtetutën e re Evropiane.

Në këmbim, ai garantoi mbështetjen e tabloidit të njohur të Murdok, “The Sun”, në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën në pranverën e ardhshme të vitit 2005. Pasi fitoi zgjedhjet, Bler e harroi çështjen e referendumit. Kur Dejvid Kameron u bë kryeministër në vitin 2010, ai u përball me problemin e tij të “Europës”.

Deputetët e tij konservatorë, përfshinin një pakicë të zhurmshme që ishte armike e hapur e Bashkimit Evropian. Për 5 vjet, ai udhëhoqi një qeveri të konservatorëve në koalicion me liberalët demokratë, duke iu kërkuar kritikëve të tij të krahut të djathtë, të “ndalnin sulmet ndaj Europës”.

Pastaj në zgjedhjet e vitit 2015, ai fitoi një shumicë të drejtpërdrejtë parlamentare, gjë që paradoksalisht e dobësoi pozitën e tij:Ai nuk mund të përdorte më liberal demokratët, për të mbajtur nën fre nxitësit e Brexit në partinë e tij. Si pjesë e përpjekjes së tij për “modernizimin” e partisë, Kameron paraqiti një projektligj për lejimin e martesës së personave të të njëjtit seks, pavarësisht pakënaqësisë së thellë të shumë prej deputetëve të tij, që në fund të fundit, quhen konservatorë.

Premtimi i një referendumi nga Kameron për qëndrimin ose jo në BE, u ofrua për të qetësuar mbështetësit e krahut të djathtë. Në mungesë të mashtrimit si ai i Uilson, apo paturpësisë së Blerit, Kameron shpresonte se nuk do t’i përmbahej premtimit të tij për referendum, ose se do

të fitonte opsioni i qëndrimit në union.

Pavarësisht pretendimeve të gënjeshtërta të mbështetësve të Brexit, se Anglia i kishte të gjitha kartat në rregull, u bë gjithnjë e më e qartë se është BE-ja ajo që i jep tonin bisedimeve.

Shtetet anëtare të BE-së, nuk kanë pse t’i japin britanikëve kushte të preferuara të tregtisë, ose të drejtën e banimit për qytetarët britanikë. E pse duhet ta bëjnë këtë?

Cilado qoftë analiza ekonomike, udhëheqësit europianë kanë arsye shumë të mira politike, për të kërkuar një divorc të keq, që e bën Brexit-in të dhimbshëm për Anglinë, dhe një paralajmërim të tmerrshëm ndaj partive të tyre eurofobike – Alternativa për Gjermaninë, dhe Frontin Nacional në Francë, mbi pasojat e lëkundjes së “anijes” europiane.

Tani po shohim zbehjen e besimit të pabazë të mbështetësve të Brexit. Xhejkob Ris-Mog, një deputet konservator dhe financier i pasur, është një lider i angazhuar, që ka orkestruar një letër të përbashkët të më shumë se 60 deputetëve të partisë së tij, duke u thënë atyre “Chuck Checkers”.

Ndërkohë, ai thotë se përfitimet nga Brexit nuk mund të jenë të dukshme pa kaluar 50 vjet, ndërsa ‘Somerset Capital Management’, fondacioni që e bëri atë të pasur, ka zhvendosur një pjesë të veprimtarisë së tij në një off-shore në Dublin, ku mund të vazhdojë të gëzojë përfitimet nga tregu i vetëm i BE-së.

E gjitha kjo përkeqëson pozitat e Tereza Mejit. Edhe nëse ajo do të ketë kryeministre deri në “Brexit Day”, nuk ka gjasa të vazhdojë në këtë detyrë edhe për shumë kohë. Ajo është tani në detyrë, por jo në pushtet, pa autoritet dhe respekt nga ministrat dhe deputetët e saj, si dhe shumica e elektoratit.

Nëse ajo do të qëndrojë edhe për disa kohë, kjo do të ndodhë për shkak se konservatorët janë të prirur për një garë të egër të brendshme për udhëheqjen e partisë. Por, nëse Europa do të shkatërrojë pozitat e zonjës Mej, ajo s’do të jetë viktima e saj e parë. Çështja e Europës, e çoi Margaret Theçërin drejt akteve të çmendura, gjr që pastaj çoi në rënien e saj, dhe dëbimin brutal nga deputetët e saj më 1990-ën.

Askush, më së paku Mej, nuk e di se çfarë do të sjellë Brexit:një epokë e re të artë të prosperitetit, apo ndaljen e punës nga industria britanike, për shkak të radhëve të gjata dhjetëra kilometrike të kamionëve që qëndrojnë jashtë portit të Kalesë në Francë. Tashmë, ‘Plani Chequers’ po shpërbëhet.

“Ne kemi hyrë në betejë, me flamurin e bardhë që valëvitet mbi tankun tonë të parë që i prin kolonës”- shkroi Boris Xhonson mbi planin e zonjës Mej në fillim të shtatorit, dhe tani është formuar një konsensus, sipas së cilit parlamenti nuk ka gjasa ta miratojë atë.

Nëse askush nuk i dha një vëmendje serioze të ardhmes përpara referendumit, tani po shohim se largimi nga BE-së është njëlloj sikur të hidhedh nga një dritare në lartësi, jo të sigurt nëse ajo që shihet poshtë është një shtrat i butë me pupla apo copa shkëmbinjsh. Shumë shpejt, ne mund të mësojmë realitetin e hidhur të një Brexit-i të ashpër.

Burimi: “NewRepublic”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button