Horizonti.al

Simbole, shenja dhe ëndrra: Ja se si na flet neve Universi

Screen Shot 2016-06-01 at 12.51.52 PMDeric Lewis

Fjala simbol e ka prejardhjen nga greqishtja “Symballein”, që do të thotë “hidh bashkë”. Përdorimi i saj figurativ e ka origjinën në zakonin e thyerjes së një pllake argjile për të shenjuar mbylljen e një ujdie apo kontrate: secilës palë i jepej njëra prej copave të thyera, kështu që kur të ribashkoheshin, të mund t’i ngjisnin pjesët. Copat, secila prej të cilave identifikonte njërën palë, njiheshin si symbola, kështu që një simbol jo vetëm që përfaqëson tjetër gjë, por ai lë të kuptohet edhe për “një gjë që mungon”, një pjesë e padukshme që nevojitet për të arritur plotësinë.

Në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, simboli mbart kuptimin e bashkimit të gjërave për të krijuar një të tërë, më të madhe se shuma e pjesëve të saj, teksa hijet e kuptimit akumulohen për të krijuar një ide komplekse.

Një shenjë, nga ana tjetër, mund të kuptohet si diçka që qëndron për, apo tregon, diçka tjetër në kuptimin e drejtpërdrejtë. Një shenjë ekziston për të përcjellë informacionin për një objekt, ide, apo situatë të caktuar, ndërkohë që simboli ka prirjen të nxisë një seri perceptimesh, besimesh dhe reagimesh emocionale.

Endrrat: shoqëritë tradicionale në të gjithë globin kanë tradita të ëndrrave që shkojnë pas që në agimet e kohërave. Duket se ëndrrat kanë qenë gjithmonë pjesë e strukturës së jetës s ëpopujve kudo, që nga aborigjenët në Australi, tek Inuitët në Arktik dhe popujt e Afrikës, ashtu sikurse dhe indianët e Amerikës. Secila kulturë ka teorinë e vet të ëndrrave dhe teknika të veçanta për interpretimin e tyre. Endrrat dhe simbolet e tyre lidhen me një mënyrë të caktuar jetese, e megjithatë ato kanë të gjitha diçka të përbashkët. Endrrat e tyre shihen sikur vijnë nga një burim i shenjtë, dhe shihen se përmbajnë dhe komunikojnë informacion të rëndësishëm, duke përdorur shenja dhe simbole.

Si arrijmë ekzaktësisht të marrim kuptimin e shenjave, simboleve dhe rolin e tyre në ëndrra?

Përveçse janë një pjesë thelbësore e shoqërisë njerëzore, shenjat dhe simbolet shfaqen në natyrë dhe mund t’u referohen informacioneve të paravetëdijes. Një traditë e interpretimit të shenjave dhe simboleve është ajo e shamanizmit. Tradita e lashtë e shamanizmit përfshin idenë që individi hyn në gjendje të ndryshuara të vetëdijes për të vizituar nivele të tjerë të realitetit, prej ku mësime, shërime apo vizione vijnë për atë vetë apo komunitetin e tij. Kozmologjia bazë shamaniste konsiston në tre nivele, apo botë. Bota e epërme, toka e mesme, dhe bota e poshtme, por disa tradita përshkruajnë deri shtatë apo nëntë botë. Roli i shamanit është që të bëjë lidhje, apo të udhëtojë mes këtyre botëve, dhe shumë simbole i referohen lidhjes mes tyre.

Në traditën e indianëve të Amerikës, tymi që del mespërmes vrimës së tymit të një “tipije” i referohet kalimit të shpirtit mes tokës dhe qiellit. Pema e botës është një simbol shamanik që e gjen në shumë kozmologji. Perëndia i vikingëve, Odini, i cili var veten nga pema e botës Yggdrasil, arrin të përftojë dije përmes gjendjes së ndryshuar që rezulton nga vuajtjet e tij. Shkalla është një simbol i ngjashëm, që shihet në mështeknën me shtatë shkallë të shamanizmit siberian, por edhe në tradita të tjera, si Libri Egjiptian i të Vdekurve dhe Testamenti i Vjetër. Për shumë shamanë, ka një lidhje të drejpërdrejtë mes tyre dhe botës natyrore. Psikologët modernë shohin një lidhje të drejtpërdrejtë mes realiteteve paralele të shamanëve dhe marrëdhënies mes ëndrrave dhe realitetit të përditshëm. Kështu që, e gjithë natyra bëhet një formë simbolizmi të gjallë. Nga ky këndvështrim, shenjat dhe simbolet nga e pandërgjegjshmja, ose në natyrë, janë porta që na thërrasin të hyjmë në një tjetër nivel të realitetit.

Endrrat profetike dhe simbolizmi i ëndrrave

Çdo natë të gjithë ëndërrojmë. Ajo që ëndërrojmë mund të jetë e vështirë të mbahet mend, ose kur e mbajmë mend, e kem të vështirë ta kuptojmë. Gjatë gjumit, truri është aktiv dhe ëndrrat tona perceptohen përmes shtresave më të thella të mendjes së pandërgjegjshme. E pandërgjegjshmja nuk komunikon me fjalë apo përmes arsyes, por ajo përdor pamje vizuale për të stimuluar intuitën dhe ndjenjën. Kur zgjohemi, mbetemi me ndjesinë e një gjëje që qëndron me ne gjithë ditën, një gjurmë në kujtesën tonë, si një gjurmë në dëborë. Sipas Jungut, tërësia e jetës në ëndrra të një personi përfaqëson potencialin e tij për individualizim. Teksa ne reagojmë ndaj botës sonë personale të simbolizmit, ne udhëtojmë përgjatë një shtegë që na shpie drejt realizimit, apo Vetes, që sipas Jungut ishte prototipi i tërësisë.

Vetja ka paralele tek Daimoni i brendshëm i grekëve, Geniusi i romakëve, dhe Ka i egjiptianëve (shpirti ose forca e jetës që u krijua me një individ dhe iu ribashkua atij pas vdekjes).

Në kulturat më primitive, ideja e një shpirti udhëheqës apo shoqërues shihet në kafshët dhe bimët totemike që mbrojnë pjesëtarët e klanit. Indianët Naskapi, nga Gadishulli Labrador, besojnë se shpirti i tyre është një shoqërues i brendshëm që quhet MIsta’peo (ose njeriu i madh), i cili qëndron në zemrën e trye, dhe pas vdekjes mendohet se rimishërohet në një tjetër qenie. Ata e gjejnë rrugën në jetë duke ndjekur udhërrëfyesit që u jepen në ëndrra. Dëshira për të ditur atë që rezervon e ardhmja duket universale, pavarësisht se cilën shoqëri apo periudhë në histori shikon. Në të gjitha do të gjeni fallxhorë ose profetë.

Megjithatë, disa besojnë se ëndrrat tona janë një dhunti profecie që na është dhënë të gjithëve. Legjenda e jetës apo shtegu i jetës është një ide e tillë. Endrrat e fëmijërisë thuhet se përmbajnë modele që janë simbolikë për rrugën që do të ndjekim në jetë. Legjenda e jetës është modeli themelor, ose potenciali mitik, që formon dhe organizon jetën e një personi. Këto endrra zakonisht tregojnë personalitetin e përditshëm që rrezikohet dhe vihet përfund nga një figurë e fuqishme mitike si një shtrigë, një yeti apo një dallgë, që paraqesin aspekte të tërësisë sonë, të cilat do i ndeshim gjatë jetës. Për shembull, një vajzë mund të shohë ëndrra të frikshme ku atë e ndjek pas një shtrigë, por kjo ëndërr në fakt mund ta nxisë që të luajë duke u bërë shtrigë, e kjo si pasojë do e ndihmojë të pushtojë frikërat e saj duke gjetur fuqi të reja femërore tek vetja.

Secila prej vështirësive në jetën tonë, si ndarjet, varësia apo humbja e rolit ose identitetit, janë të lidhura me legjendën e jetës.

Endrrat paralajmëruese

Rrëfimet për profeci apo parashikim të të ardhmes janë po aq të vjetra sa njerëzimi. Ndërkohë që shkenca ortodokse këmbëngul se fenomenet psikike nuk ekzistojnë, ëndrrat që përmbajnë informacione apo të reja për të ardhmen, si dhe ëndrrat e profecisë dhe ato paralajmëruese janë regjistruar përgjatë gjithë historisë dhe në shumë kultura. Problemi me ëndrrat parashikuese është se njohuria për ngjarjen duket se i paraprin shkakut, gjë që në shkencën tradicionale është e pamundur. Janë hedhur argumenta se këto ngjarje nuk janë specifike sa duhet, apo që janë thjeshtë koincidenca. Megjithatë, kërkimet tregojnë se ka prova për paradijen. Janë kryer teste, ku pjesëmarrësit hamendësojnë se cila letër do të shfaqet, dhe parashikimet e saktë ndodhin cuditërisht shpesh.

Ndoshta një prej ëndërrimtarëve parashikues më spektakolarë të kohëve të fundit ka qenë Edgar Cayce. I njohur si “profeti i përgjumur”, Cayce ishte në gjendje të diagnostikonte sëmundje, të jepte receta trajtimi, dhe të përshkruante me saktësi njerëz që nuk i kishte takuar kurrë. Cayce i përdorte këto aftësi edhe për të ndihmuar policinë që të identifikonte dhe gjurmonte kriminelët. po kështu, figura të rëndësishme historike kanë ëndërruar për fatin e tyre. Për shembull, Genghis Khani, Oliver Kromuelli, Napoleon Bonaparti dhe Adolf hitleri kanë parë ëndrra që parashikonin suksesin e tyre në betejë. Presidenti i SHBA, Abraham Linkoln pa në ëndërr trupin e tij të shtrirë në një arkëmort, dy javë para se të vritej. Ndonëse Linkolni e mori seriozisht ëndrrën, ai nuk qe në gjendje të parandalonte përmbushjen e saj.

Zakonisht shoqëritë tradicionale i marrin seriozisht ëndrrat parashikuese, duke besuar se ato mund të përmbajnë informacion që mund të jetë jetik për mirëqenien e komunitetit. Në shoqëritë moderne, shumë ëndrra parashikuese janë lidhur me fatkeqësi të mëdha, si fundosja e Titanikut në vitin 1912 dhe sulmi i japonezëve në Pearl Harbour në 1941.

Shenjat, simbolet dhe ëndrrat luajnë një rol jetik në të gjithë fetë e botës, si dhe traditat spirituale. Shenjat dhe simbolet që përshkojnë kulturën tonë janë shpesh të varura nga rrethanat historike dhe sociale. Por ka të tjera që shkojnë përtej kulturave dhe kufijve. A mund të jetë kjo një gjuhë e universit? A mos dicka më e madhe udhëheq fatet tona, si dhe kuptimin tonë për botën? A mos vallë universi na jep informacion përmes ndryshimit të gjendjeve, informacion që na ndihmon të zhvillohemi si individë, por edhe në nivel kolektiv? /bota.al

Leave a Reply

Back to top button