Legjenda antike na prezanton pamjen e një zogu magjik, rrezatues që jeton qindra vjet para se të vdesë duke shpërthyer në flakë. Pastaj rilind nga hiri, për të nisur një jetë të re, po aq të gjatë. Aq e fuqishme është simbolika e tij, saqë është një motiv dhe imazh që përdoret ende sot në kulturën dhe folklorin popullor. Ky është Feniksi madhështor.
Feniksi legjendar është një zog i madh, pak a shumë si një shqiponjë, me ngjyra të forta në të kuqe, vjollcë dhe të verdhë, pasi lidhet me lindjen e Diellit dhe zjarrit. Sytë e tij janë blu dhe ato shkëlqejnë si gurët safirë.
Ai e ndërton vetë vendin e funeralit të tij dhe e ndez atë me një përplasje të vetme të flatrave. Pas vdekjes, ky zog rilind në mënyrë të lavdishme nga hiri dhe fluturon më tutje. Feniksi pra simbolizon ripërtëritjen dhe ringjalljen, dhe është përdorur për të përfaqësuar shumë tema si Dielli, koha, ringjallja, shenjtërimi, një perandori, metempsikozat, Parajsën, Krishtin, Marian, virgjërinë dhe njerëzit e jashtëzakonshëm.
Tina Garnet shkruan në librin e saj se “Feniksi në mitologjinë egjiptiane, arabe dhe greke të zogut jetëgjatë:Kur ndien se po i afron fundi, ai ndërton një fole me bimët më të mira aromatike, më pas u vë atyre flakën dhe shkrumbohet prej tyre. Nga grumbulli i hirit, lind pastaj një Feniks i ri dhe i fuqishëm. Pastaj e balsamos hirin e paraardhësit të tij në një vezë dhe fluturon për në qytetin e Diellit, Heliopolis, ku e depoziton vezën në altarin e Zotit të Diellit”.
Ndërkohë, ekzistojnë versione më pak të njohura të këtij miti, në të cilin Feniksi vdes dhe dekompozohet para rilindjes së tij.Grekët e quanin Feniks, por nga egjiptianët e lashtë quhej Benu, nga indianët e Amerikës Zogu Rrufe, nga rusët Zogu i Zjarrit,nga kinezët Feng Huang dhe nga japonezët Hō-.
Besohet se grekët i quanin kananejtë Fenikas, që mund të rrjedhë nga fjala greke “Phoenix”, që do të thotë e purpurt. Në fakt, simbologjia e Feniksit është gjithashtu e lidhur ngushtë me Fenikasit. Në shembullin ndoshta më të hershëm të legjendës, egjiptianët e përshkruanin Benu, si pjesë të mitit të tyre të krijimit.
Ai jetonte në majë të shkëmbinjve apo obelisqeve ben-ben dhe adhurohej së bashku me zotat Osiris dhe Ra. Benu shihet si një avatar i Osirisit, si një simbol i gjallë i hyjnisë. Zogu diellor shfaqet në hajmalitë e lashta si një simbol i rilindjes dhe pavdekësisë, dhe lidhej me periudhën e përmbytjeve të Nilit, duke sjellë pasuri dhe pjellori të re.
Historiani grek Herodoti, shkruan se priftërinjtë e Heliopolisit antik, thoshin se zogu jetonte për 500 vjet, para se të ndërtonte dhe ndizte folenë e tij të fundit. Pasardhësit e tij, do të ngriheshin dhe do t’i çonin priftërinjtë në altarin e tempullit në Heliopolis.
Në Greqinë e lashtë thuhej se zogu nuk konsumon fruta, por temjan dhe mishra aromatikë. Në të njëjtën kohë ai mblidhte kanellë për folenë e vet, në përgatitje të vdekjes. Në Azi, Feniksi mbretëron mbi të gjithë zogjtë, dhe është simboli i Perandores Kineze dhe hirit femëror, ashtu si Diellit dhe jugu.
Vështrimi i Feniksit, cilësohej si një shenjë e mirë se në fron ishte ngjitur një udhëheqës i mençur, dhe se kishte nisur një epokë e re. Ai ishte një përfaqësues i virtyteve kineze: mirësisë, ndjenjës së detyrës, mirësisë dhe besueshmërisë.
Pallatet dhe tempujt ruheshin nga kafshët mbrojtëse prej qeramike, që të gjitha të udhëhequra nga Feniksi. Feniksi mitik përfshihet në shumë fe,dhe tregon jetën e përjetshme, shkatërrimin, krijimin dhe fillimet e reja. Për shkak të temave të vdekjes dhe ringjalljes, ai u përdor gjithashtu si një simbol në Krishterimin e hershëm, si një analogji e vdekjes së Krishtit dhe e ringjalljes së tij 3 ditë më vonë.
Imazhi i tij u bë një simbol popullor në lapidarët e hershëm të varreve të krishtera. Ai është gjithashtu simbolikë e një zjarri kozmik, për të cilin disa besojnë se krijoi botën,e cila në fund do t`a konsumojë atë. Në legjendën hebraike Feniksi njihet si Milkam – një zog besnik dhe i pavdekshëm.
Kur u kthye në Eden, në kohën kur Eva hëngri mollën e ndaluar, ajo i tundoi kafshët e kopshtit me frutat e ndaluara. Zogu Milkam e refuzoi ofertën, dhe për besimin e tij iu dhurua një qytet ku do të jetonte thuajse përjetësisht në paqe, duke rilindur çdo 1 mijë vjet, dhe duke qenë imun ndaj Engjëllit të Vdekjes.
Feniksi është gjithashtu një simbol alkimik.Ai përfaqëson ndryshimet gjatë reagimeve kimike dhe përparimit përmes ngjyrave, vetive të materies, dhe ka të bëjë me progresin e alkimisë në krijimin e Veprës së Madhe, apo gjetjes së Gurit Filozofik.
Shtesat moderne të këtij miti në kulturën popullore, thonë se lotët e Feniksit kanë fuqi të mëdha shëruese, dhe nëse Feniksi është afër askush nuk mund të thotë ndonjë gënjeshtër. Duke ndryshuar vazhdimisht, feniksi përfaqëson idenë se fundi është në fakt vetëm fillimi. Ngjashëm me këtë mit të fuqishëm, simboli i Feniksit do të rilindë pa pushim në legjendën dhe imagjinatën njerëzore. / Ancient Origins – Bota.al