Enciklopedike

Sindroma e Luftës së Gjirit

bqc00217

Me rikthimin në shtëpi pas Luftës së parë të Gjirit Persik në vitet 1990-91, disa veteranë të Koalicionit filluan të ankohen për një sëmundje shqetësuese, simptomat e të cilës ishin migrenë, marrje mendsh, humbje ekuilibri, kujtese dhe kontrolli të lëvizjeve. E pagëzuar me emrin “Sindroma e Luftës së Gjirit”, kjo sëmundje vuri në lëvizje shumë mjekë dhe persona të tjerë, në kërkim të shkaqeve të mundshëm, për të cilat kishte disa mundësi.

Së pari ishte mundësia e ekspozimit ndaj tymit të puseve të naftës që ishin djegur në Irak. Së dyti, Sadam Huseini mund të kishte përdorur fshehtësisht armë kimike ose biologjike. Së treti, forcat e Koalicionit kishin marrë ilace kundër gazit nervin nga vetë pala amerikane, gjë që atëherë u mbulua. Një gjë e cila kishte ndodhur edhe gjatë luftës në Vietnam.

Megjithatë, jo gjithkush ishte i bindur se Sindroma e Luftës së Gjirit në fakt ekzistonte. Një numër i revistës së Mjekësisë të Nju Inglënd, në vitin 1996 shpallte se shumica e rasteve të sëmundjeve ishin për shkak të leshmanozës, një sëmundje parazitare e përhapur prej insekteve të rërës. Të tjerë raste, ashtu si me luftëra të tjera, dukej se ishin simptoma të tronditjes prej predhave. Një artikull i vitit 1998 në “Sëmundjet INfektuese në Zhvillim” zbulonte se veteranët e Luftës së Gjirit në fakt kishin përgjithësisht një shëndet më të mirë, se sa ushtarët që mbetën pas. Ministria britanike e Mbrojtjes nuk gjeti ndonjë lidhje mes sëmundjes dhe shërbimit në Luftën e Gjirit, ndërkohë që Pentagoni zbuloi se vetëm 1 % e veteranëve të Gjirit ankoheshin se vuanin nga sëmundja misterioze. Kishte madje zëra se veteranët e Sindromën e Luftës së Gjirit, ishin vënë në kërkim të kompensimit, njësoj si viktimat e Vietnamit, me Agjentin Portokalli.

Të pandalur, personat që vuanin nga SIndroma e Luftës së Gjirit vazhduan të bëjnë fushatë, dhe kështu nisën të fitojnë betejën për të fituar mendjet e publikut. Në SHBA, një panel i kryesuar nga Antoni Filipi, Sekretari i Departamentit të Cështjeve të Veteranëve, vendosi që: “Studimet e kryer që nga koha e luftës kanë treguar vazhdimisht se sëmundja psikiatrike, eksperienca në luftime apo stresantë të tjerë që lidheshin me dërgumin në luftë, nuk shpjegojnë sëmundjet e veteranëve të Luftës së Gjirit në shumicën dërrmuese të veteranëve të sëmurë”.

Përtej oqeanit, Gjykata e Lartë pranoi një ankesë nga një veteran britanik, se marramendja, lodhja, depresioni dhe problemet që kishte përjetuar ishin pasojë e shërbimit të tij ushtarak. Vendimi i gjykatës u mbështet nga një studim shkencor britanik, që zbuloi se veteranët e Luftës e Gjirit kishin një normë më të ulët pjellorie se sa homologët e tyre që nuk kishin shërbyer.

Me kalimin e kohës, fokusi i studimeve për Sindromën e Luftës së Gjirit u bënë vaksinimet e trupave përpara dërgimit në luftë. Sipas një Rregulli të Përkohshëm të nxjerrë nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Ilaceve, ushtria lejohej të përdorte ilace eksperimentale mbi stafin, pa miratimin e tyre, në raste “nevojash ushtarake”. Kështu, ushtarët u injektuan me kokteile ilacesh, të dyshimta për nga prejardhja, efikasiteti dhe siguria. Një Komision Kërkimor i caktuar nga Kongresi amerikan përcaktoi në vitin 2008 se dy ekspozime “neurotoksikë” ishin të lidhur me sëmundjen e Luftës së Gjirit. Këta ishin bromid piridostigmine (PB), pilula që u jepeshin trupave për t’i mbrojtur nga efektet e agjentëve nervorë, dhe pesticide të spërkatura në rroba, shtretër dhe cadra.

Nga “Libri i Madh i komploteve”

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button