Analiza

Skizma ortodokse, dhe kufizimet spiritualiste të politikës

Nga Nikos Konstandaras

Përpjekjet e Rusisë për të mbajtur Ukrainën nën zgjedhën e saj, nxitën një revolucion në vitin 2014, dhe më vonë një luftë që ka shkaktuar deri tani më shumë se 10 mijë të vdekur. Ajo nxiti gjithashtu në fillim të kësaj jave, atë që mund të jetë një nga ndarjet më serioze në të ashtuquajturin Krishtërim, që nga Skizma e Madhe midis Romës dhe Konstandinopojës në vitin 1054, dhe Reformës Protestante 500 vjet më parë.

Kjo krizë e re, ka rrënjë të thella historike, dhe mund të diktojë lidhjet fetare dhe shekullare midis shumë vendeve, për vitet që do të vijnë. Ja çfarë ndodhi:Kisha e Rusisë njoftoi këtë javë, se po ndërpriste lidhjet e saj me Patriarkanën Ekumenike të Konstandinopojës, e cila mban lidershipin e botës ortodokse, dhe që ka vendosur t’i japë autonominë Kishën Ortodokse të Ukrainës.

Ky vendim, rrjedh drejtpërsëdrejti nga aneksimi i Krimesë nga Moska, dhe mbështetja e kësaj të fundit për rebelët separatistë në Ukrainën Lindore, megjithëse ukrainasit kishin kohë që ishin të pakënaqur nga fakti që kisha e tyre kishte mbetur nën vartësinë e Rusisë që nga viti i largët 1686.

Këtë vit, presidenti i tyre, parlamenti dhe udhëheqësit fetarë i bënë thirrje udhëheqësit të Patriarkanës së Kostandinopojës, Bartolomeut, që t’i japë pavarësinë kishës së tyre. Këto zhvillime, do të kenë një ndikim serioz brenda Ukrainës. Popullsia e saj kryesisht ortodokse, ndahet midis 3 kishave kryesore. Kisha Ortodokse e sapo-pavarësuar e Patriarkanës së Kievit do të fitonte ndikim, dhe me shumë gjasa do të kërkonte të merrte në pronësi kishat dhe pronat e tjera nga kisha nën juridiksionin e Moskës, e cila deri më tani ishte më e madhja në Ukrainë, dhe e vetmja e njohur nga kishat e tjera.

Kjo do të rrisë më tej tensionet, në marrëdhëniet midis Ukrainës dhe Rusisë. Gjithashtu, prishja e marrëdhënieve midis Moskës dhe Patriarkatit Ekumenik, mund ta dobësojë këtë të fundit,  nëse kishat e tjera ortodokse marrin anën e Rusisë, duke e kundërshtuar udhëheqjen e Konstandinopojës.

Valët goditëse, do të ndikojnë në marrëdhëniet midis kishave, që e gjejnë veten në të dyja anët e ndarjes, duke i detyruar gjithashtu ato të shkëpusin lidhjet. Kishat e Polonisë, Serbisë dhe Antiokisë (Siri), janë rreshtuar tashmë në anën e Rusisë. Edhe Kisha e Greqisë mund të tronditet, pasi një numër klerikësh grekë mund të mbështesin Moskën kundër Bartolomeut.

Pretendimet ruse për udhëheqjen e të krishterëve ortodoksë, kanë tërhequr shumë njerëz që kur Konstandinopoja ra në duart e turqve otomanë më 1453, dhe patriarkët iu nënshtruan sulltanëve myslimanë. Për më tepër, dialogu i Patriarkanës Ekumenike me besimet e tjera, duke përfshirë Kishën Katolike Romake, është thellësisht jopopullor në mesin e priftërinjve dhe murgjërve ortodoksë të vijës së ashpër.

Shumë murgjër në bashkësinë monastike të malit Atos, që konsiderohet si një xhevahir në kurorën e Patriarkanës Ekumenike, kanë tendenca pro-ruse. Presidenti Vladimir Putin, e ka theksuar interesin e kombit të tij ndaj Atosit, të cilin e ka vizituar 2 herë.

Një nga 20 manastiret e Atosit, Agios Panteleimon, është shtëpia e rreth 60 murgjve ukrainas dhe rusë, me një abati rus. Nuk pati asnjë përgjigje të menjëhershme nga mali Atos pas ndërprerjes së lidhjeve mes Moskës dhe Konstandinopojës, por zgjedhja e një ane, do të ishte një problem për shumë murgjër.

Një përfaqësues i kishës së Moskës, ka thënë se pelegrinët rusë në malin Athos, nuk do të jenë në gjendje të pranojnë bashkësinë atje. Greqia dhe Rusia, miq tradicionalë mes tyre, tashmë e shohin veten në një mosmarrëveshje në nivelin politik, ndërsa Athina i ka dëbuar diplomatët rusë në korrik pasi Moska tentoi të ndikojë opinionin publik kundër një marrëveshjeje me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, sipas së cilës fqinji i vogël i Greqisë do të quhet Maqedonia Veriore.

Kisha Ortodokse Maqedone, e cila u shkëput nga Kisha e Serbisë në vitin 1967, dhe nuk është pjesëtare e asnjë bashkësie, i ka bërë thirrje Konstandinopojës ta njohë statusin e saj të pavarur si Kryepeshkopata e Ohrit. Rezultati i kësaj kërkese, mund të varet nga ratifikimi ose jo i marrëveshjës midis Greqisë dhe Maqedonisë, në lidhje me emrin.

Kjo nga ana tjetër, mund t’i ndërlikojë gjërat më tej me Rusinë, dhe kishat e tjera kundër autonomisë së Ohrit. Ashtu si në shumicën e skizmave në historinë e krishtërimit, kjo është e diktuar më shumë nga realpolitika dhe interesat kombëtare, se sa nga dogma.

Çështjet kanonike, mund të përcaktojnë sjelljen politike, ndërkohë që politika dikton shpesh zhvillimet e kishës. Patriarkana Ekumenike, po pretendon të drejtën e tij të lashtë për t’i dhënë autonomi kishave, dhe për të gjykuar çështjet e ligjit të kishës. Konstandinopoja u themelua nga perandori Konstandin në vitin 330 dhe, si “Roma e Re”, dhe vinte pas Romës në aspektin e vjetërsisë.

Skizma e vitit 1054, e la Konstandinopojën si kishën kryesore në Lindje. Këtë të drejtë është e vendosur të mbrojë Patriarkana Ekumenike, pavarësisht fuqive të saj të reduktuara, pas rënies së qytetit në duart e osmanëve, dhe zhdukjes së komunitetit së saj të besimtarëve në Turqi.

Rusia dëshiron të projektojë udhëheqjen e saj të botës ortodokse si “Romën e Tretë”, një rol që e mori përsipër pasi u distancua nga Konstandinopoja në vitin 1448, kur lidershipi i saj nuk u pajtua me përpjekjet për të bashkuar Krishtërimin e Lindjes dhe Perëndimit.

Pas vitit 1453, shumë ortodoksë, duke përfshirë edhe grekët, shkuan në Rusi për t’i shpëtuar turqve. Por sot Ukraina është duke krijuar një identitet të veçantë pas shekujve të dominimit rus, duke forcuar lidhjet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko, e përshëndeti shpalljen e vendimit të Patriarkanës Ekumenike më 11 tetor, përmes një fjalimi me tone luftarake.

“Ky shënon rënien e kërkesës shekullore të Moskës për dominimin global, si një Romë e Tretë. Pavarësia e kishës sonë, është pjesë e politikave pro-evropiane dhe pro-ukrainase, që kemi ndjekur vazhdimisht”- tha ai. Më 12 tetor, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se vendimi i Patriarkanës Ekumenike ishte një “provokim” i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Në të njëjtën ditë, Putin e diskutoi këtë çështje në Këshillin e tij të Sigurisë. Patriarku Kiril, kreu i Kishës së Rusisë, është një aleat i ngushtë i zotit Putin, dhe ka pasur një qasje të ashpër prej vitesh ndaj Ukrainës. Të hënën, trupi qeverisës i Kishës Ruse, Sinodi i Shenjtë, vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Kostandinopojën.

Metropoliti Hilarion, kreu i marrëdhënieve të jashtme të kishës ruse, theksoi se Moska nuk do të respektonte asnjë vendim të marrë nga Patriarkana Ekumenike, lidhur me Kishën e Ukrainës. Ai i bëri thirrje Patriarkanës Ekumenike të ndryshojë vendimin e saj. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë, pasi Bartolomeu i njeh shumë mirë përpjekjet e Kishës ruse, për të minuar autoritetin e tij.

Patriarku Kiril bojkotoi mbledhjen e Këshillit të Shenjtë të Madh të organizuar nga Bartolomeu në Kretë në vitin 2016, një takim i të gjithë udhëheqësve të kishave ortodokse që synoi nxitjen e unitetit. Patriarkët e Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë, gjithashtu nuk morën pjesë.

Turqia, që ka patur lidhje të mira kohët e fundit me Rusinë dhe Ukrainën, ka qëndruar jashtë këtij konflikti deri më tani. SHBA-ja ka shprehur mbështetjen e saj për Ukrainën dhe Bartolomeun. Ky i fundit, ka nevojë për mbështetjen amerikane. Ai konsiderohet si kreu shpirtëror i të krishterëve ortodoksë të botës, dhe “i pari mes të barabartëve” të 14 udhëheqësve

të kishës.

Gjithashtu, Kryepeshkopata Ortodokse Greke e Amerikës, është nën juridiksionin e drejtpërdrejtë të Konstandinopojës. Humbja e Kishës së Rusisë, dhe e atyre që mund ta ndjekin, do të ishte një goditje e rëndë për Patriarkanën Ekumenike. Nuk është viti 1721, kur Pjetri i Madh e shfuqizoi patriarkanën ruse, duke emëruar një Sinod të Shenjtë në vend të tij. Dhe as 1918-a, kur nisë dekadat e persekutimit të rusëve, ukrainas dhe të krishterëve të tjerë.

Ndjenja në Patriarkanë, në një pjesë të rrënuar të Stambollit, është se gjërat duhet të bëhen siç duhet, dhe kur është koha e duhur. Në rreth 2000 vite, Kisha e Kostandinopojës ka parë disa perandorie të ngrihen dhe bien, por ka qëndruar më këmbë – kryesisht duke mbrojtur rolin dhe përgjegjësinë e saj historike, pavarësisht nga kostot e përkohshme.

Burimi: “The New York Times”

Në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button