Analiza

Skocia dhe “diktatura bezhë”

Shkrimtari i fantashkencës Charles Stross niset nga pavarësia e Skocisë së tij për t’u futur në zemrën e krizës e të gjitha shteteve të tjera

skocia bezheE ka shkruar Charles Stross, një prej autorëve të fantashkencës më të mëdhenj në aktivitet. Natyrisht, shkrimtari shkon përtej çështjes së pavarësisë skoceze, për të ngritur në fakt temën globale e transformimit të thellë të shteteve – kombe të vjetra, të sovranitetit dhe të krizës së ekuilibrit të mbajtur në këmbë nga i Traktat i lashtë i Vestfalisë. Stross propozon disa ide për të ardhmen.

«Skocia duhet të jetë një vend i pavarur?». Kam votuar me postë. E kam shprehur tashmë “po”-në time. Por motivi i kësaj zgjedhjeje mund t’u rezultojë i pazakontë shumë njerëzve.

Le t’i lëmë menjanë të gjitha argumentimet afatshkurtra të ngritura nga të dyja palët: çfarë monedhe kombëtare do të përdorë Skocia? Cilat do të jenë avantazhet dhe dizavantazhet? Cila do të jetë politika e mbrojtjes skoceze pas pavarësisë? Monarki apo republikë? Çfarë pashaporte do të përdorim? E kështu me radhë. Gjithçka do të zgjidhet brenda pak kohësh, maksimumi në harkun e një gjenerate. E kam seriozisht: 95 përqind e diskutimit politik lidhur me referendumin, si në nivel mediatik, ashtu edhe në atë popullor, është e përqëndruar mbi problem afatshkurtra, ndodhi të zgjidhshme në një mënyrë apo në një tjetër në ditët apo në muajt e ardhshëm (ose, nganjëherë, muajve apo viteve të ardhshme). Në atmosferë lundron një dozë e madhe FPD-je: Frikë, Pasiguri, Dyshime. Shumë duken të bindur që, në rast se Skocia do të zgjidhte pavarësinë me 18 shtator, me 19 atyre do t’u hiqet shtetësia britanike, do të shfaqen milici të armatosura në autostradat e kufirit dhe Mbretëresha do të largohet me shqelma nga froni brenda fundit të muajit. E kotë të specifikohet se nuk do të ndodhë asgjë e kësaj natyre. Në zgjedhjen time për referendumin, kam arsyetuar sidomos duke u mbështetur në periudhën afatgjatë. Në këtë perspektivë të gjerë, do të preferoja një Europë, bile një botë, të përbërë nga shtete shumë më të vegjël nga këta aktualë. Jo vetëm do të preferoja një Mbretëri të Bashkuar të reduktuar, por edhe Shtetet e Bashkuara, Indinë dhe Kinën të zvogëluara. Ta bëjmë copë copë sistemin vestfalian. Jetojmë në një botë të dominuar nga dy lloje entitetesh kolektive: shtetet kombëtare (me kufij të përcaktuar dhe me detyrime që krijohen për shkak të traktateve të nënshkruara pas Luftës 30 vjeçare) dhe entitetet korporative transkombëtare (të cilat trashen në një kornizë shkëmbimi të lirë të ofruara nga traktatet e sipërpërmendura, ind lidhës i shteteve vestfaliane). Besoj se shteti kombëtar vestfalian jo vetëm që ka demonstruar vjetërsinë e tij: po shembet copa copa, është në pragun e një kolapsi katastrofik. Bota e sotme është shumë më e vogël se ajo e vitit 1648; në terma udhëtimi, i tërë planeti është reduktuar në proporcione të ngjashme me ato të vendeve të Mbretërisë së Bashkuar. Në vitin 1648 të udhëtoje nga jugu i Skocisë (për shembull, nga Berwick-Upon-Tëeed) deri në verilindjen e largët do të kërkonte minimumi disa javë nëpërmjet detit; përshkimi i së njëjtës largësi nëpërmjet tokës do të kërkonte një udhëtim të vështirë prej mijëra miljesh nëpërmjet malesh, moçalesh dhe pyjesh, si në këmbë, ashtu edhe në majë të kalit. Sot mund të përshkohet e njëjta rrugë brenda pak orësh të zhurmshme me një avion linje. Largësia ka shpërthyer e gjitha rreth nesh. Në shumë aspekte, përkufizimi i një shteti vestfalian (domethënë një shtet i aftë që të kontrollonte territorin brenda kufijve të tij) ishte një efekt anësor i largësisë: një ushtri e huaj nuk do të mund t’i kalonte territoret e saj pa ju frikësuar raprezaljeve.

Sot vendet tona jo vetëm kanë pësuar një shpërthim gjeografik të çuditshëm nga brenda, duke filluar nga shekulli i Shtatëmbëdhjetë, por popullsia e tyre ka shpërthyer. Qytetarët e kolonive amerikane në 1790 janë vlerësuar në rreth 2.7 milion; sot Shtetet e Bashkuara numërojnë më shumë se 300 milion të tillë. Në 1780, Anglia dhe Uellsi kishin rreth 7.5 milion banorë; sot jemi në 57 milion të tillë. Kështu, kemi popullsi të rritura me një apo dy shkallë madhësie, bashkuar me një rënie të kohëve të udhëtimit me dy apo tri shkallë madhësie dhe ndoshta një rënie nga tre deri në pesë shkallë madhësie në zhvillimin e komunikacioneve. Gjatë këtyre viteve, efektet anësore e këtij problemi janë të dukshëm në të gjitha aspektet e jetës sociale. Në pjesën më të madhe, shtetet vestfaliane nuk arrijnë ta kontrollojnë territorin e tyre, domethënë t’i mbajnë të huajt (të nënkuptuar si ushtarë dhe jo thjesht emigrantë) jashtë kufijve të tyre. Për ta demonstruar, është e mjaftueshme të konstatohet situata rrënqethëse e Ukrainës së sotme. Aktorët joshtetërorë kanë tani një rol gjithnjë e më të madh në imponimin e kushteve ekonomike tona. Veç kësaj, jam i bindur se, në ditët e sotme, ndodh diçka e jashtëzakonisht e gabuar në demokracitë përfaqësuese që kalojnë një popullsi prej 5 deri 15 milion qytetarësh: përgjegjësia e politikanëve zhduket dhe gjendemi në atë që e kam quajtur një “diktaturë bezhë”.  Bezha nuk është as ngjyra më e keqe: disa politikanë jobezhë, si Nigel Farage apo Marine LePen, janë bile më alarmantë. Megjithatë, suksesi popullor i tyre është simptomë e një dështimi institucional, një deficit në përfaqësim: shumë votues ndjehen kaq të lënë padore nga qeveritë bezhë sa që preferojnë të votojnë për këmishat e murrme.

Ndjesia ime është se shtetet shumë më të vegjël, nëqoftëse operojnë në brendësi të një strukture traktatesh apo në një konfederatë mjaftueshmërisht toleruese, mund të na shërbejnë më mirë. Shtetet e ridimensionuara kështu mund të kujdesen për problematikat sociale dhe, ndërkohë, të ndajnë modalitetet e dështimit: një pushtet perandorak që shkërmoqet do të shkaktojë pothuajse gjithmonë një katastrofë më të madhe sesa shpërbërja e një shteti të vogël (për shembull, të krahasojmë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik me atë të Çekosllovakisë).

Në vend që shtete të mëdhenj monolitikë, të qeverisura nga elita larg nga qytetarët e tyre dhe që, për pasojë, i bazojnë direktivat politike të tyre mbi dëshirat e lobistëve më shumë se ato të zgjedhësve, do të preferoja organizata të detyruara nga traktate, të ngjashme me Bashkimit Europian apo me NATO-n, të dala nga një konsensus i përgjithshëm të prodhuar nga debati publik i entiteteve unë të vogla, përfaqësuesit e të cilëve janë vërtet përgjegjës për t’u përgjigjur përpara elektoratit për zgjedhjet e tyre (nëqoftëse doni, më quani utopist).

Po, këto lloj argumentimesh janë të vlefshme edhe për të mbështetur shkëputjen e Uellsit, të Anglisë veriore dhe të vetë Londrës. Pavarësia skoceze është vetëm hapi i parë.

Një diçka finale: çfarë të thuash për internacionalizmin e majtë? Në fund të fundit, a nuk ishte nacionalizmi armik i klasës punëtore? Domethënë, nëqoftëse nisemi nga presupozimi se kushdo, jashtë nga 0.1 përqindëshi i popullsisë, është pjesë e klasës punëtore (në kuptimin që duhet të punojë për të jetuar), a nuk është nacionalizmi armiku i të gjithë neve?

Megjithatë, po, është pikërisht kështu. Megjithatë, lloji i nacionalizmit që ka shkaktuar Luftën e Madhe tashmë ka vdekur, është varrosur (për qëllimet e kësaj analize, do ta konsiderojmë Luftën e Dytë Botërore si një riaktivizim të përplasjes së nisur në vitin 1914, pasi që ndërluftuesit patën mundësi që të prodhojnë një gjeneratë si mish për top). Ka vdekur pikërisht siç kanë vdekur shtetet vestfaliane, vende në gjendje që të mbrojnë integritetin territorial të tyre, pasi kalimi nga njëri tek tjetri do të kërkonte ditë apo javë me tren apo me anije me avull, dhe pushtimi i njërit prej tyre do të kërkonte ditë apo javë nga ana e divizioneve të tëra të këmbësorisë.

Tashmë klasa punëtore nuk është më një entitet qartësisht i përkufizueshëm, komponentët e së cilës ndajnë një ndjenjë solidariteti të fortë: ku është solidariteti midis një avokati dhe një pastruesi, midis një infermiereje dhe një projektuesi robotësh? Po, kapitalizmi dhe kriza e kapitalizmit janë akoma midis nesh, por rikomplikimi jetëgjatë i botës i bën lëvizjet masive tradicionale një çështje me rëndësi të diskutueshme. Kemi nevojë për struktura më të mira, është e vërtetë, por nuk besoj se ato mund të dalin nga një shtet monolotik, territorialisht hegjemonist, i bindur se roli i tij në botë është i mbrojtur më mirë nga ndërtimi i aeroplanmbajtëseve gjithnjë e më të mëdha.

Kapaciteti ofensiv nuk e rrit stabilitetin e jashtëm, siç e kanë demonstruar 10 vitet e fundit në Irak pa kurrfarë hije dyshimi. Kemi nevojë për konsensus dhe kemi nevojë për një copëzim me të imët në vendimmarrjen politike. Kështu, për t’i siguruar këto dy rezultate, shërbejnë shtete kombëtarë më të vegjël.

Përgatiti:

ARMIN TIRANA

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button