Ekonomi

SPANJE / “Brezi i humbur”, pasoja e politikave të kursimit

ekonomi spanje29.9 përqind e minorenëve në Spanjë rrezikojnë të bien në varfëri, duke hyrë në një tunel prej të cilit nuk do të mund të dalin më. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Caritas-it europian, spanjollit Jorge Nuno Mayer, bëhet fjalë për një “brez të humbur”. Raporti i fundit i monitorimit të krizës, botuar nga Caritas Europa, ka ofruar të dhëna alarmuese për varfërinë në BE, duke zbuluar që Spanja është e dyta vetëm pas Rumanisë sa i përket rrezikut të varfërisë mes fëmijëve. Varfëria e përgjithshme është 28.2 përqind, që do të thotë se janë më shumë se 13 milionë nënshtetasit e Mbretit Huan Carlos që jetojnë në varfëri. Kjo do të thotë që pothuajse një në tre spanjollë ka të ardhura mesatare sa 40 apo 50% e të ardhurave mesatare të vendit. E sikur të mos mjaftonte, afro 700 mijë familje jetojnë pa të ardhura apo me paga minimale.

Por problemi i Spanjës nuk kufizohet tek papunësia: 12% e atyre që punojnë nuk fitojnë mjaftueshëm për t’i shpëtuar rrezikut të varfërisë. Nëse para krizës ata që i kërkonin ndihmë Caritasit ishin kryesisht imigrantët, sot janë më shumë spanjollët, sidomos gratë, ciftet e rinj me fëmijë etj. Por ka dhe një tjetër hije që i kanoset të rinjve spanjollë: sipas ministrisë së Arsimit, afro një e katërta e të rinjve (24.9%) e braktisin shkollën para kohe, pothuajse dyfishi i mesatares europiane. Për Caritasin, kjo shifër është edhe më alarmante nëse konsiderohet që aksesi në arsim është receta më e mirë kundër varfërisë, përvecse faktori më favorizues për lëvizshmërinë sociale. Varfëria mes fëmijëve ka një impakt shumë të madh mbi shanset në moshë të rritur: që nga shëndeti tek shkollimi, nga shanset për punë tek risku i varfërisë. Me një papunësi që prek më shumë se 6 milionë vetë, të rinjtë spanjollë rrezikojnë të shndërrohen vërtetë në një brez të humbur. Edhe sepse nuk do të punojnë mjaftueshëm për të paguar pensionin.

Leave a Reply

Back to top button