HistoriMAIN

Spartanët: Fuqia e pazakontë ushtarake, ishte bekimi dhe njëherazi mallkimi që solli edhe fundin e tyre

Sparta është cilësuar shpesh si një ndër shtetet luftarake më të frikshme në historinë e botës së lashtë. Bëmat e jashtëzakonshme të spartanëve në fushën e betejës, janë subjekt i shumë legjendave dhe miteve. Mbrojtës të fortë të kodeve dhe traditave të tyre, spartanët kultivuan një shoqëri besnike, e cila do të lulëzonte për disa shekuj në periudhën më të trazuar të Greqisë së Lashtë. Por konservatorizmi i tyre nuk mundi t’i rezistojë provës së kohës, dhe përpasojë solli dhe fundin e këtij qyteti të paepur.

Dëshmitë historike sugjerojnë se Sparta u themelua rreth vitit 1000 Para Erës Sonë nga fise nomade me origjinë Doriane. Qyteti i forcoi shpejt pozitat e tij në rajon, dhe vendosi parimet e tij themelore të qeverisjes. Me një fokus të rëndësishëm tek lufta dhe besnikëria, spartanët themeluan një sërë traditash që i ushqenin këto vlera thelbësore spartane tek të rinjtë e tyre.

Këshilli i qytetit ekzaminonte me detaje çdo të porsalindur, për të përcaktuar nëse ata ishin fizikisht të aftë që t’i bashkoheshin shoqërisë spartane. Foshnjat me aftësi të kufizuara eliminoheshin në atë moment. Që në moshë të re, djemtë i nënshtroheshin një stërvitje shumë të fortë fizike, ku ata përgatiteshin për të gjitha format e luftimit.

Ky trajnim u quajt agoge, dhe ashpërsia e tij nënkuptonte se shumë pak e kalonin me sukses. Ata që ia dilnin, bëheshin ushtarët spartanë vdekjeprurës që njohim sot. Ndërkohë femrat merrnin leksione ne diplomaci dhe politikë për të menaxhuar punët e shtetit, kur burrat ishin në luftë.

Në atë periudhë, grave spartane iu dhanë më shumë të drejta se kudo tjetër. Në vitin 480 Para Erës Sonë, perandori Kserks i Perandorisë Persiane marshoi me ushtrinë e tij drejt Greqisë. Me një forcë të madhe detare dhe tokësore, ai synonte të pushtonte të gjithë Greqinë e lashtë.

Mbreti Leonidha dhe 300 spartanët e tij trima, organizuan rezistencën e tyre të guximshme kundër forcave tokësore të Kserksit në Termopile, duke i dhënë kohën e mjaftueshme pjesës tjetër të qytet-shteteve greke aleate, përfshirë Athinën, që të dëbonin forcat detare persiane.

Pas fitores së tyre në Luftërat Persiane, Athina dhe Sparta u bënë dy qytetet më me ndikim të Greqisë, secili duke u përpjekur vazhdimisht që të zgjeronte fuqinë e vet ushtarake dhe politike. Një konflikt interesi midis të dyve, çoi në një seri betejash të njohura si Luftërat e Peloponezit.

Për 50 vite pas luftërave persiane, Athina zgjeroi shtrirjen e saj në të gjithë Mesdheun, duke formuar një aleancë të qytet-shteteve të ndryshme, që u njoh si Lidhja Deliane. Sparta bëri të njëjtën gjë me territoret e Peloponezit nën ndikimin e saj. Përplasjet midis 2 aleancave u bënë të shpeshta, dhe kjo ndikoi shumë në burimet dhe forcën e tyre ushtarake.

Rreth vitit 446 p.e.s, Sparta nënshkroi një traktat paqeje 30-vjeçar me Athinën, duke i dhënë fund përleshjeve në mënyrë që të dy qytetet të fokusoheshin në rritjen e tyre. Në vitin 459 p.e.s., shpërtheu një luftë midis dy aleatëve spartanë, Korintit dhe Megarës.

Athina e shfrytëzoi këtë mundësi për t’u bashkuar me Megarën, dhe i ofroi qytetit ndihmë ushtarake dhe financiare. Kur Sparta erdhi në ndihmë të Korintit, shpërtheu një konflikt i ndërprerë pesëmbëdhjetëvjeçar midis Athinës dhe Spartës, i cili u bë i njohur si Lufta e Parë e Peloponezit.

Një marrëveshje paqeje, e cila parashikohej të zgjaste 30 vjet, u nënshkrua nga të dy qytetet rreth vitit 446, duke shënuar fundin e konfliktit. Por ky traktat u testua shumë shpejt kur Athina mori pjesë në një betejë kundër Korintit. Me kërkesën e Korintit, Sparta u detyrua t’i shpallte luftë Athinës, duke shënuar kësisoj edhe fillimin e Luftës së Dytë të Peloponezit.

Forcat tokësore të pakrahasueshme të spartanëve, dhe forca e marinës athinase, nënkuptonin se asnjëra palë nuk mund të dilte fitimtare. Të dyja palët pësuan humbje të mëdha si në njerëz po ashtu edhe në burime. Ndaj në fund u detyruan të nënshkruanin një tjetër traktat në 421, që supozohej të zgjaste për 50 vjet.

Dy qytet-shtetet lulëzuan gjatë kësaj periudhe paqeje, duke i ofruar njëra-tjetrës mbrojtje reciproke. Por forca e Spartës nënkuptonte që ajo nuk kishte zgjidhje tjetër veçse ta zgjeronte me forcë ndikimin e saj. Kështu ajo nisi një pushtim të plotë të territoreve që kontrolloheshin nga Athina.

Ajo doli fitimtare në vitin 405 kundër athinasve në betejën e Egospotamit, që e bëri Spartën forcën dominuese në të gjithë Greqinë. Por Sparta vuante nga një problem: nga i njëjti problem që i jepte forcë. Idealet e provuara dhe të vërteta të besnikërisë, nënkuptonin që jo çdokush mund të bëhej qytetar spartan.

Në fakt, shtetësia spartane ishte e rezervuar vetëm për ata që vinin nga linja të caktuara gjaku.

Me ndikimin e saj në rritje dhe një krizë të rëndë demografike, Sparta u detyrua të përdorte punën e skllevërve për ushtritë dhe logjistikën e saj. Këta skllevër, të quajtur ilotë, nuk kishin të njëjtën shkallë besnikërie ndaj kauzës spartane që kishin qytetarët e saj.

Traditat e vjetra të Spartës, nënkuptonin se nuk kishte asnjë mënyrë për të trajnuar me shpejtësi ushtarë të rinj, dhe pengesa e madhe e depërtimit në shoqërinë spartane nënkuptonte se qytetarët spartanë po bëheshin ngadalë pakicë në perandorinë e tyre të madhe.

Numri i tyre në rënie, i shoqëruar me sundimtarët e paaftë, krijoi pakënaqësi dhe shqetësim brenda njerëzve të thjeshtë. Revoltat u shpeshtuan, dhe Sparta nuk ishte në gjendje të shtypte kryengritjet. Një qytet-shtet i tillë nën kontrollin e Spartës ishte Teba, e cila ishte bërë më e fortë në vitet që pasuan Luftërat e Peloponezit.

Tebanët ishin të vendosur që t’i dëbonin forcat spartane nga atdheu i tyre, duke mos i lënë Spartës zgjidhje tjetër veçse t’i shpallte luftë Tebës. Në vitin 371, trupat spartane marshuan për të luftuar kundër tebanëve në Betejën e Leuktras. Ushtria spartane përbëhej tashmë në shumicë nga ilotët që nuk ishin të përgatitur mirë në betejë.

Ndërkohë gjenerali teban, Epaminondas, ishte një strateg i aftë që dinte t’i kundërvihej taktikave spartane. Beteja mbaroi me një fitore të madhe të tebanëve. Ata nuk u mjaftuan vetëm më disfatën e Spartës, por nisën të vendosnin nën kontroll territore të tjera spartane.

Humbja e Spartës në Leuktra, çoi në shpërbërjen e Lidhjes së Peloponezit, dhe shumica e aleatëve të saj vendosën të distancoheshin nga qytet-shteti i dështuar. Aleanca e Tebës me Persinë shkatërroi çdo gjurmë të mbetur të fuqisë spartane, dhe qytet-shteti u reduktua në një hije të vetes s ë  tij të dikurshme.

Sparta u lejua të qëndronte e pavarur, por gjërat ndryshuan pas vrasjes së mbretit Nabis në vitin 192 Para Erës Sonë. Pas humbjes së Lidhjes Arkeane përballë romakëve, Sparta ishte viktima e parë e fushatës për nënshtrimin e Greqisë. Roma e lejoi formalisht Spartën të vazhdonte të ekzistonte si një qytet-shtet i pavarur.

Por kjo e fundit e dinte fare mirë se nuk kishte më fuqi të mbronte as veten e vet. “Gozhda” e fundit në “arkivolin” e Perandorisë Spartane dikur aq e frikshme, ishte pushtimi i Visigotëve në vitin 396 të Erës Sonë, të udhëhequr nga Alariku I. Sparta u shpartallua dhe banorët e saj u shitën si skllevër. Një fund ky i turpshëm, për kombin më të respektuar të Greqisë së Lashtë.

Back to top button