Magazine

Spektakli i zemrës sonë

Nga Martin Caparros

Fillojnë të të zhveshin. Të shndërrojnë në një subjekt lakuriq, të gjorë, të pafuqishëm, një subjekt me veshjen e operacionit, të vendosin në dorë një etiketë me emrin tënd, që dikush, nëse është e nevojshme, të dijë se kush ke qenë. Pastaj të bëjnë pyetjet që nuk janë pyetje: Bota mjekësore është një përmbytje shkurtimesh. Trupi yt bëhet një vend, ku duhet të zbatosh një protokoll: Jo, kjo duhet të bëhet kështu, thotë protokolli. Një vend pa nevoja specifike, por vetëm të përgjithshme: e thotë protokolli. Një vend i lirë: një trup, i cili ndodhet në një vend, ku punohet mbi trupat.

Në atë pikë, të përgatisin – të rruajnë, të djegin, të intubojnë, të frikësojnë – si e thotë protokolli, dhe të thonë të presësh. Prit. Ti nuk di çfarë të presësh. Pushteti mjekësor, ashtu si çdo pushtet, ushqehet me injorancën.

“Ja, do ju fusim pas pak”, të thonë duke parë numra dhe vija. Nuk të shohin: shohin numrat dhe vijat. Ti je një bezdi, në mesin e numrave dhe vijave dhe metaleve dhe plastikave: tani, vendet për të vdekur, apo për të shmangur vdekjen janë gjithnjë shumë të pastër, teknikë e pastër, ekrane, shtretër elektrikë që dikush tjetër i ka përdorur për të vdekur, apo për të shmangur vdekjen, pak më parë. Ferri sot gëlon nga tingujt dhe dritat e gjelbëra të makinerive mjekësore.

VENDI ME TABU

“Kjo është arterja kryesore”, do të të thotë më pas një kirurg, duke të treguar një merimangë të zezë në ekranin e madh me rreze X të sallës së operacionit, dhe ti nuk mendon se në atë çast, je duke hyrë në vendin më të largët, më të errët, më tabu në botë: pjesën e brendshme të trupit tënd. Nuk mendon, natyrisht, sepse je gjysmë i droguar, por mbase po ta mendoje, nuk do të arrije ta duroje. Eshtë kaq e çuditshme të shohësh zemrën: miliarda njerëz nuk kanë mundur asnjëherë ta shohin zemrën, kanë vdekur pa e parë.

E pa zemrën e tij të gjallë që pulsonte një doktor gjerman 25-vjeçar, Verner Forsman, i cili në vitin 1929, siç bëhej në atë kohë, eksperimentoi me veten e tij: futi një katater në një venë të krahut dhe e shtyu deri sa mbërriti tek aurikula e djathtë. Kur mendoi se kishte arritur, ngjiti shkallët deri tek radiologjia, pa zemrën e tij, e konfirmoi. Pak më vonë e dëbuan nga puna, dhe ai u bë urolog dhe nazist.

Teknika e tij mbeti në fuqi: për dhjetëra vite u përdor për të diagnostikuar problemet e qarkullimit. Pak më shumë se 40 vjet më parë një tjetër gjerman, Andreas Grüntzig, të cilit i ishte dashur të transferohej në Zvicër sepse në vendin e tij nuk e lejonin të bënte eksperimente, arriti që të fusë në arterie një topth që fryhej dhe e hapte: ishte fillimi i një ndryshimi radikal.

Deri në atë moment, një pacient me arterie të bllokuar vdiste, ose i hapnin kraharorin; më vonë, operacioni u bë më i thjeshtë, më pak mizor. Stenta, një rrjet që shërben për të mbajtur të hapur arterien, filloi të përdoret 30 vjet më parë. Tani e quajnë angioplastikë koronare, sepse mjekët flasin një zhargon që është menduar të mos na bëjë të kuptojmë, bëhen miliona të tilla çdo vit në të gjithë botën, dhe tani na duket pothuaj normale.

Na duken normale shumë gjëra: humbasim kaq shpejt aftësinë për të kujtuar se mund të bëjmë gjëra, që disa vite më parë as nuk i dëshironim. Mua më pëlqen ta ruaj këtë vetëdijësim: të mbaj parasysh se është e re, ajo që është e re.

Por më shqetëson kjo mundësi për të parë pjesën e brendshme të trupit tonë. Ndonjëherë mendoj se, nëse do të mund të asistonim në atë që ndodh brenda nesh, nuk do të ishim më kurrë në gjendje të bënim asgjë: spektakli do të ishte kaq magjepsës, i frikshëm dhe i pandalshëm për spektatorin e vetëm të interesuar, saqë nuk do të mund të shpërqëndroheshim për as edhe një sekondë prej tij. Që magjepsja të ishte e plotë: nuk do të kishte asgjë më të mirë në botë. Që për këtë, ashtu si për shumë gjëra të tjera, pamundësia është një kusht i domosdoshëm. Që për momentin, fakti që kemi lëkurë, na shpëton. / El Pais – Në shqip nga bota.al

* Në respekt të punës së personave që kanë punuar për ta sjellë në shqip këtë material, Bota.al lutet që të mos KOPJOHET

Leave a Reply

Back to top button