Analiza

SPIUNAZHI / Ja përse NSA e ka dëmtuar Amerikën

Danielle Kehl

Kevin Bankston

spiunzhiNë përvjetorin e parë të zbulimeve mbi veprimtarinë e National Security Agency (NSA) dhe programet e saj të survejimit e përgjimit, debatet mbeten të fokusuar tek “shkëmbimi” mes privatësisë së individit dhe sigurisë së SHBA.

Pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve të qeverisë amerikane për të justifikuar vlerën e programeve të NSA-së, ekspertët kanë thënë se aparati i madh i survejimit nuk është efektiv në mbrojtjen e amerikanëve nga terrorizmi. Në fakt, ka prova bindëse se veprimtaria e NSA-së e ka dëmtuar SHBA. Ajo rrezikon interesat tanë ekonomikë, dëmton objektivat tanë të politikës së jashtme si dhe sigurinë e internetit global. Në më pak se një vit, kompanitë amerikane si Cisco dhe IBM kanë raportuar rënie të shitjeve jashtë vendit si dhe humbje të shanseve për biznes. Kompanitë e huaja po e kthejnë programin e survejimit të SHBA në një avantazh për veten e tyre. Për shembull, Deutsche Telekom ka marketuar një “email made in Germany”, si alternativë pas zbulimeve të NSA-së.

Ndërkohë, industria e “cloud computing” parashikohet të humbasë 25 deri 180 miliardë dollarë në tre deri pesë vitet e ardhshëm, teksa klientët janë gjithmonë e më të shqetësuar për të dhënat e tyre private dhe vendin ku këto depozitohen. Dhe propozimet nga Gjermania dhe India që kërkojnë që të dhënat e nënshtetasve të tyre të depozitohen në servera lokalë mund të rrisin humbjet e bizneseve amerikanë.

Programet e survejimit të NSA-së kanë patur impakt edhe mbi politikën e jashtme amerikane, si dhe kanë dëmtuar marrëdhëniet me aleatë strategjikë.

Besueshmëria e axhendës Liria e Internetit, një nismë madhore e lançuar nga Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton në 2010, ka pësuar gërryerje. Rusia dhe Kina, që prej shumë vitesh janë përpjekur të kenë më shumë kontroll mbi internetin, tani po bëhen më skeptikë për rolin e Amerikës në qeverisjen e internetit.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel u zemërua kur mësoi se NSA kishte përgjuar telefonatat në telefonin e saj personal, gjë që krijoi tensione mes SHBA dhe Gjermanisë, në një kohë kur të dy vendet duhej të punonin së bashku për probleme si kriza e Ukrainës. Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff u bë e para udhëheqëse shteti që refuzoi një darkë zyrtare me presidentin e SHBA.

Zbulimet nxorrën zbuluar edhe mënyrën se si NSA ka dëmtuar sigurinë e internetit, në mënyra të ndryshme, gjatë dekadës së fundit.

Nën maskimin e ofrimit të ekspertizës teknike, agjencia ka dobësuar qëllimisht standartet ndërkombëtarë të enkriptimit të miratuar nga Instituti Kombëtar për Standartet dhe Teknologjinë. Enkriptimi është baza e sigurisë në internet, dhe zhvilluesit e programeve në SHBA dhe përreth botës mbështeten mbi standartet teknikë të institutit për të ndërtuar produkte të sigurtë.

Veç kësaj, NSA u ka kërkuar në fshehtësi kompanive të huaja që të vendosin “të çara” në produktet e tyre me qëllim që të lehtësojnë spiunimin dhe fshehtaz ka depozituar informacione në lidhje me dobësitë e sigurisë që hacker-at e NSA kanë zbuluar në produktet komercialë, në vend që të vepronte me përgjegjshmëri dhe të lajmëronte shitësit, me qëllim që këta të korrigjonin problemet e produkteve.

NSA-ja ka zhvilluar madje edhe operacione spiunazhi dhe hacker-imi si përshembull krijimin e gjoja llogarive në Facebook apo LinkedIn me qëllim që të vendosë viruse tek persona të shënjestruar.

Administrata Obama ka ndërmarrë hapa modestë për të zbutur dëmin e shkaktuar nga NSA dhe ka nisur procesin e ngadaltë të rindërtimit të besimit në SHBA, si një administrues i përgjegjshëm i rrjeteve modernë të komunikimit.

Në janar, Presidenti Obama nxoti Direktivën Nr.28 e cila vendoste disa kufizime mbi autoritetet për të grumbulluar të dhëna inteligjence. Në maj, Kongresi miratoi USA Freedom Act, i cili është zbutur shumë por që gjithësesi mund të sjellë një reformë të programit të grumbullimit të të dhënave. Instituti Kombëtar i Standarteve dhe Teknologjisë mblodhi një grup ekspertësh të huaj për të rishikuar standartet e tij të enkriptimit, dhe ka propozime për të eleminuar kërkesën që duhet të konsultohet me NSA për disa standarte të caktuar.

Këta propozime kanë një fushëveprim të ngushtë. Reformat e mëtejshme duhet të jenë më të gjera.

Në muajt e ardhshëm, ligjvënësit duhet të forcojnë mbrojtjen nga grumbullimi i të dhënave të amerikanëve dhe të huajve, në SHBA dhe jashtë. Qeveria duhet të angazhohet gjithashtu për axhendën e Lirisë së Internetit si dhe të shkojë drejt standarteve të fortë ndërkombëtarë për survejimin, që bazohen mbi të drejtat e njeriut.

Dhe në fund, nevojitet më shumë transparencë.

Vjeshtën e vitit që kaloi, një koalicion kompanish të mëdha të internetit mblodhën ekspertë të privatësisë dhe mbrojtës të interesit publik, për të bërë thirrje për më shumë transparencë nga korporatat dhe nga qeveria, duke kërkuar që të nxirren më shumë informacione në lidhje me sasinë, natyrën dhe shtrirjen e kërkesave që marrin prej agjencive të shërbimeve të fshehtë. Partneritetet deri dikur të pamundur që janë shfaqur së fundmi mes disa prej rivalëve më të mëdhenj të internetit tregojnë shumë për seriozitetin e rrezikut ndaj interesave të tyre të biznesit.

Ndërkohë që tronditja e fillimit për programin e spiunimit të NSA mund të jetë shuar pak, shqetësimet më të thellë nuk pritet të largohen së afërmi. Prandaj na duhet një angazhim i vendosur për reforma, që shkon përtej asaj që parashikojnë ligje si USA Freedom Act.

Kompanitë duhet të informojnë klientët përreth botës me më shumë detaje në lidhje me shtrirjen dhe impaktin e programeve të survejimit të NSA – një hap i rëndësishëm ky për të penguar bizneset dhe individët që t’i kthejnë shpinën SHBA. (CNN)

Danielle Kehl është analiste politikash në Neë America Foundation. Kevin Bankston është Drejtor Politikash në OTI

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button