Histori

SPIUNAZHI/Aventurat më spektakolare: Somerset Maugham

Lexi Krock

somersetNë shekullin 5 p.e.s., Perandori romak Justiniani dërgoi disa murgj në Kinë për të vjedhur sekretet e industrisë së mëndafshit, duke fshehur vezë të krimbit të mëndafshit në bastunet e tyre. Në kohërat më të vonshme, spiunë profesionistë kanë rrezikuar jetën dhe lirinë në kërkim të informacioneve tepër të rëndësishëm, zakonisht në emër të qeverive të tyre. Sidomos në shekullin 20, niveli gjithnjë e më i sofistikuar i teknikave dhe teknologjisë së spiunazhit, bashkë me natyrën e spiunazhit modern (sidomos kur flitet për sekrete bërthamore), nisi të ofrojë disa prej aventurave më spektakolare të spiunazhit në histori. Ditet ne vijim do te publikojme rrëfime të 10 prej spiunëve më të famshëm të shekullit që kaloi.

Somerset Maugham

Somerset Maugham qe një prej shkrimtarëve më popullorë britanikë në kohën e tij. Ai u lind në ambasadën britanike në Paris në 1874, dhe u rrit në një familje ku fliteshin dy gjuhë, anglisht dhe frëngjisht. I ati dhe gjyshi kishin qenë gjyqtarë të njohur në Angli dhe Francë, dhe ndonëse Maugham dukej i destinuar të ecte në gjurmët e tyre, ai kish një problem të madh, sepse i mbahej goja, dhe kjo nuk do ta lejonte asnjëherë të argumentonte në sallën e gjyqit. Në vitin 1915, Maugham u takua me një zyrtar të shërbimit të fshehtë, e cili e rekrutoi për SIS, Shërbimin e Fshehtë të Britanisë. Romani i tij i parë, “Mbi lidhjet njerëzore”, sapo ishte botuar. Zyrtari i sugjeroi që të bashkohej me shërbimin e fshehtë, pasi aftësitë e tij në të shkruar do të ishin shumë të nevojshme dhe ai mund të përdorte të shkruarit si mbulesë për veprimtarinë e spiunazhit.

Si agjent i SIS, detyra e tij e parë qe në Gjenevë, ku u vendos si një dramaturg francez dhe pati sukses në rolin e tij si ndërmjetës mes agjentëve të tjerë në terren, si dhe autoritetet e lartë të spiunazhit në Britani. Maugham dërgonte mesazhe të koduar, shpesh herë të ndërthurur në dorëshkrime, që hynin e dilnin nga vendi pa tërhequr vëmendjen e policisë zvicerane. Ai punoi për SIS pa pagesë, si një gjest patriotik. Në 1917, Maugham mendoi se detyra e tij në SIS kish përfunduar, por kur shëprtheu Revolucioni ne Rusi, shefi i shërbimit të fshehtë britanik në SHBA, Sir William Weisman e bindi të shkojë në Shën Petërburg në një tjetër mision. Maughamit iu kërkua të mbledhë informacione zbulimi në rrjetin gjerman të spiunazhit që po krijohej në kryeqytetin rus dhe të mbështeste Menshevikët, duke iu kundërvënë planeve të bolshevikëve për të tërhequr Rusinë nga lufta. Duke u shfaqur si shkrimtar për botime amerikane, Maugham u takua me Aleksandër Kerenskin, liderin socialist. Kerenski e dërgoi Maughamin në Londër me një kërkesë të dëshpëruar që Aleatët të krijonin një ushtri antibolshevike. Maugham dërgoi informacione shumë të rëndësishëm në Londër, si dhe krijoi një plan për llogari të SIS-it, që të mbante një grup agjentësh në Rusi, me qëllim që të luftonin ndikimin gjerman mbi Qeverinë e Përkohshme, përmes propagandës dhe spiunazhit.

Maugham ka shkruajtur disa tregime për përvojat e tij në spiunazh. I paralajmërar para botimit se disa tregime shkelnin ligjin britanik për Sekretet Zyrtarë, ai dogji shumicën e tyre. Tregimet që mbijetuan, përfshirë një rrëfim për misionin e tij në Rusi u botuan në librin e tij të 1928, “Ashenden”. Në liber, ai ofron një personazh me emrin Somerville, pikërisht emri që ky vetë kish përdorur gjatë veprimtarisë së vet reale të spiunazhit në Shën Petërsburg. Besohet se Somerset Maugham është i pari autor i librave të spiunazhit që ka qenë edhe vetë spiun. Ndonëse jeta si spiun i ofroi goxha material për librat e tij, ai nuk ka patur kurrë shumë entuziasëm për këtë punë. Në parathënien e “Ashenden”, ai shkruan: “Puna e një agjenti në Departamentin e Zbulimit është në tërësi monotone. Një pjesë e madhe e saj është e padobishme”.

Ne vijim do lexoni: SPIUNAZHI/Aventurat më spektakolare: Mata Hari

Leave a Reply

Back to top button