Analiza

Spiunë si ne

Jochen BITTNER

Spiunw si neA ndodh sepse na njohin shumë pak – apo sepse na njohin shumë mirë – që amerikanët nuk pushojnë së spiunuari gjermanët?

Eshtë një pyetje që ia vlen të ngrihet pas zbulimeve të javës që kaloi, se agjentët amerikanë kishin rekrutuar të paktën një pjesëtar të shërbimit të zbulimit të huaj të Gjermanisë, BND, dhe mund të kenë bërë të njëjtën gjë edhe me një zyrtarë të lartë të Mbrojtjes. Si reagim, Gjermania denoncoi “idiotësinë” e CIA-s dhe dëboi kreun e saj në Berlin.

Ky raport shkaktoi një përshkallëzim të acarimit që kishte nisur tashmë pas zbulimeve të Eduard Snoudenit për thellësinë e programit të survejimit të NSA-së, si në komunikimet privatë, ashtu edhe në telefonin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Në këtë sfond, është e vështirë ta cilësosh si thjeshtë budallallëk skandalin më të fundit. Zbulimet e NSA-së të paktën mund të injoroheshin si një rezultat i pafat por i paqëllimshëm i zellit të tepruar në mision. Krijimi i burimeve njerëzorë të spiunazhit në brendësi të qeverisë gjermane është krejt tjetër gjë. Për shumë gjermanë, spiunazhi i vazhdueshëm i Amerikës ndaj një prej aleatëve të saj më të ngushtë mban erë arrogancë dhe mungesë respekti.

Unë dyshoj se e gjithë kjo ka ndodhur për shkak se amerikanët na njohin kaq mirë – por nuk e pranojnë atë që shohin. Shërbimet e fshehtë amerikan dhe gjerman kanë bashkëpunuar që nga fillimet e Luftës së Ftohtë. Por, për shkak se kjo marrëdhënie doli prej pushtimit amerikan të pasluftës, ajo ka patur gjithmonë një asimetri, e cila edhe i ka mbuluar, por edhe i ka përshkallëzuar dallimet e thellë që ekzistojnë mes dy vendeve, në lidhje me vetë idenë, qëllimin dhe limitet e shërbimeve të fshehtë.

Kjo gjë doli në pah sidomos pas 11 shtatorit dhe zbulimit se disa prej komplotuesve kishin vepruar që prej Hamburgut. Të dy vendet e rritën shumë veprimtarinë e spiunazhit – por në mënyra të ndryshme.

Për amerikanët, mbledhja e informacioneve që nga 11 shtatori ka qenë pjesë e një lufte. Gjermanët nuk do mendonin kurrë në këtë mënyrë. Për ta, shërbimet e fshehtë duhet të luajnë sipas rregullave. Edhe kjo ka rrënjë historike. Qëndrimi i Gjermanisë buron pjesërisht prej përvojës së keqe me shërbimet e fshehtë në të kaluarën, konkretisht Gestapon dhe Stasin. Mbi këto qëndron një antimilitarizëm i ngulitur thellë, si dhe një antiamerikanizëm në rritje. Kur gjermanët dëgjojnë fjalën CIA, ata mendojnë për grushtet e shtetit në Amerikën Latine, fluturimet e paligjshëm të torturave dhe vrasjet e fshehta.

E gjithë kjo ka pasoja praktike, ligjore dhe politike. Ligjërisht, shërbimet e fshehtë gjermanë nuk lejojnë të ndajnë me amerikanët informacione që mund të përdoren për sulme me avionë pa pilot, marrje në pyetje përmes torturës dhe luftëra pa një mandat të Kombeve të Bashkuara.

Politikisht, kjo do të thotë që sa herë që zbulohet se ka bashkëpunim mes CIA-s dhe BND-së, publiku reagon me zemërim – për shembull, kur doli informacioni gjatë luftës së Irakut se qeveria gjermane u kish dhënë amerikanëve koordinatat e shënjestrave përreth Bagdadit. Media ushtroi trysni ndaj Ministrit të Mbrojtjes për një përgjigje. Këtij të fundit i dolën djersët, teksa përpiqej të shpjegonte përse kjo nuk përbënte pjesëmarrje në luftë.

Stafi i CIA-s në Gjermani sigurisht që po vështronte, dhe ata mund të kenë arritur me siguri në përfundimin që gjermanët nuk janë pjesëmarrësh të gatshëm në lojërat e spiunazhit. Nga ky pikëvështrim, ndarja e informacioneve me gjermanët mund të jetë njësoj si të shkosh në pijetore me pjesëtarë të Shoqërisë së Vetëpërmbajtjes.

Unë pyeta Joseph T. Wippls, i cili ka qenë kreu i stacionit të CIA-s në Berlin në fillimin e viteve 2000, përse agjencia kishte rekrutuar burime gjermanë. “CIA është zhvilluar fuqimisht në një agjenci të botës së tretë, në kuptimin që oficerët e saj punojnë në vende ku SHBA ka shumë fuqi mbi vendasit dhe ku nuk ka sundim të ligjit”, tha ai. Ata nuk janë mësuar apo nuk janë trainuar të punojnë në vende me institucione kushtetues po aq demokratikë sa SHBA”. Në të njëjtën kohë, vazhdoi ai, gjermanët nuk janë dukur asnjëherë të interesuar për atë nivel bashkëpunimi që mund të shmangë këtë lloj spiunimi njëpalësh – pra ai lloj partneriteti që SHBA ka me Australinë, Britaninë, Kanadanë dhe Zelandën e Re, të ashtuquajturit Pesë Sytë.

Të thuash që Gjermania mund të trajtohet si një Sy i Gjashtë është ide ledhatuese. Megjithatë, dyshoj që gjermanët do e pranonin këtë nder. Ashtu si në rastin e ombrellës bërthamore të Amerikës, jemi të lumtur që të kemi mbrojtjen, por do të ishim edhe më të lumtur nëse nuk do të kishim kurfarë përgjegjësie. Nëse Gjermania do të hynte në një aleancë reale spiunazhi me Amerikën, atëherë qeveria do të mësonte shumë gjëra të pista – dhe do të humbiste avantazhin e mohimit të besueshëm.

A e justifikon kjo nivelin e mosbesimit që spiunët e CIA-s tregojnë ndaj Gjermanisë? Jo. Ne mund të jemi zbatues të ligjit, por nuk jemi as naivë dhe as armiq të Amerikës. Me sa di unë, ky vend nuk i ka mbajtur asnjëherë informacione të fshehtë Amerikës. I mbani mend akuzat për fabrikat e anthraksit që Sekretari i Shtetit Colin Powell i paraqiste OKB-së, si arsye për pushtimin e Irakut? Informatori ishte një burim i BND-së.

CIA duhet të pushojë së humburi kohë, energji dhe para me punonjësit tanë të shërbimit të fshehtë – dhe duhet të na respektojë ne gjermanët ashtu si jemi. Pak hezitues ndonjëherë, por përgjithësisht shumë të besueshëm. Ashtu si në çdo marrëdhënie, në terma kohëgjatë respekti do të vlejë shumë më tepër se sa dobia kohëshkurtër që sjell spiunimi i paduruar. /IHT/

Jochen Bitner është redaktor politik i të përjavshmes gjermane “Die Zeit”

Përshtatur në shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button