Analiza

Strategjia e Ciprasit: Të mbetet me çdo kusht në pushtet

Si çdo politikan, edhe kryeministri grek dëshiron të qëndrojë në pushtet. Dhe mundësia më e mirë për ta bërë këtë, mund të jetë lejimi i daljes së vendit nga eurozona

Nga Matthew Karnitschnig

Screen Shot 2015-06-29 at 16.42.49

Vendimi i parakohshëm i kryeministrit grek Aleksis Cipras, për të thirrur një referendum kombëtar mbi masat shtrënguese financiare, vetëm disa orë para raundit të fundit të negociatave me kreditorët ndërkombëtare, ngre një pyetje të thjeshtë: Çfarë ka ai ndërmend?

Shpjegimi zyrtar, është se Cipras ndihet i detyruar të pyesë votuesit për një çështje të tillë me kaq peshë, për shkak se lëvizja e tij e majtë Syriza, u zgjodh në janar të këtij viti në krye te qeverisjes, pikërisht me premtimin për t’i dhënë fund masave të kursimit të imponuara nga kreditorët.

“Ne nuk kemi mandat … pa u konsultuar me popullin grek”-tha të shtunën ministri i financave, Janis Varufakis. “Për një vendim të tillë, ne besojmë se është i nevojshëm konsensusi i 50 + 1 përqind të qytetarëve grekë”- shtoi ai.

Një tjetër teori që ka fituar terren në Bruksel dhe kryeqytete të tjera të BE, thotë se “Grexit” nuk është “Graksident”. Qëkur nga Syriza u zgjodh të qeverisë vendin, dhe filloi të tallet me kreditorët, me kërkesat për lehtësimin e borxheve dhe rishikimin e kushteve të shpëtimit, disa zyrtarë evropianë ushqyen dyshimin se qëllimi i Cipras, nuk ishte ta mbante Greqinë në eurozonë, por për ta nxjerrë atë jashtë saj.

Një pikëpamje më pak konspirative, është se Cipras preferon ta mbajë Greqinë në eurozonë, por mbetet i gatshëm të tërhiqet, në rast se kreditorët nuk pranojnë të anulojnë masat e ashpra të kursimit. Me pak ditë që kanë mbetur në dispozicion për të arritur një marrëveshje, pas muajsh bisedimesh të dështuara dhe pa ndonjë rezultat pozitiv në horizont, duket se ka ardhur koha për të vënë pikat mbi “i”.

Nuk është sekret fakti, që shumë vetë në koalicion e tij të së majtës radikale, duan të rimarrin kontrollin mbi politikën monetare. Ata besojnë se futja e euros, e vendosi Greqisë në një korse, nga e cila Athina tashmë duhet të çlirohet.

Një shumicë e madhe e grekëve nuk pajtohen me këtë, pasi ata e dinë se duke e lënë euron do të shkatërrohen kursimet e tyre, duke u dhënë më pak pushtet për të shpenzuar dhe duke u  distancuar nga pjesa tjetër e Evropës. Për shumë përfaqësues të Syriza-s, një koalicion i përzier i komunistëve dhe të majtëve të tjerë radikale, brenga të tilla janë thjesht ankesat e të pasurve.

Ata kërkojnë që Cipras t’u japë fund masave shtrënguese, pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë më tej. Nëse kjo do të thotë të braktisin euron, le të jetë kështu. Të njëjtët ekstremistë të linjës së ashpër të Syriza-s, sulmuan propozimin e Cipras për një kompromis me kreditorëve më herët gjatë javës, duke u zotuar ta kundërshtojnë edhe nëse do të hidhet në votim në parlament.

Por, siç ndoshta Cipras  e kishte parashikuar, propozimi ishte po aq i pakëndshëm për  Gjermaninë dhe FMN-së, duke mos arritur kësisoj të thyejë bllokadën. Edhe në qoftë se Cipras do të kishte rënë dakord për një marrëveshje me kreditorët, miratimi i atyre masave në parlament, mund të ishte i pamundur pa opozitën.

Por kjo rrugë nga ana e vet, do të kishte shkaktuar zgjedhje të reja pas votimit, dhe për rrjedhojë  mund t’i kushtonte atij pushtetin. Përkundrazi, duke thirrur një referendum popullor mbi këtë çështje, Cipras mund të zhvendosë fajin për dështimin e bisedimeve tek kreditorët.

Të gjithë në Athinë (“djepi i demokracisë”), janë duke kërkuar që për këtë çështje të vendosë populli. Evropa, e paarsyeshme si gjithmonë, nuk pranoi. Varufakis luajti mbi këtë çështje të shtunën nëpërmjet Tuiterit:”Demokracia meriton një nxitje, në çështjet që lidhen me euron. Ne vetëm shtrojmë problemet. E lëmë popullin të vendosë. (Është qesharake sa radikal tingëllon ky koncept!)”-shkroi ai.

Megjithatë Varufakis dhe Cipras e dinin fare mirë, se Evropa nuk do të mbështesë kurrë një referendum nëse do të vazhdojë apo jo kursimi, për arsyen e thjeshtë se rezultati do të jetë i qartë. Asnjë pensionist nuk do të votojë për të shkurtuar pensionin e tij, njëlloj si asnjë pronar dyqani apo biznes tjetër, nuk do që të ketë taksa më të larta.

Shumica dërrmuese e grekëve, e kundërshtojnë atë që ata shkurtimisht i referohen si “memorandumi”, marrëveshja me kreditorët që detyroi ndërmarrjen e shkurtimeve të thella të shpenzimeve në vend, në këmbim të parave të shpëtimit. Ishte pakënaqësia popullore, që tek e fundit e ushqeu rritjen e Syriza-s.

Por sikurse me siguri e parashikoi udhëheqja greke, refuzimi nga ministrat e financave të eurozonës të shtunën pasdite, për të shtyrë afatin për një marrëveshje deri pas referendimit të 5 Korrikut, çka do të thotë se vota është e kotë. Deri atëherë, Greqia ka gjasa të ketë dështuar të shlyejë kredinë ndaj FMN-së, dhe BQE do të anulojë të gjitha kreditë ndaj bankave të saj, duke i lënë ato të pambrojtura ndaj kolapsit.

E thënë thjesht, Greqia do të jetë në rrugën e saj jashtë eurozonës. Cipras mund të pretendojë se ishte faji i të gjithë Evropës, që nuk i lejoi grekët të vendosin, kur në fakt, duke e thirrur referendumin, ishte ai që e mori vendimin për ta.

“Politico” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button