Analiza

Strategjia e destabilitetit

Marie Jego

Le Monde

strategjia e destabilitetitPas aneksimit të Krimesë, një realitet i ri po përvijohet në lindje dhe jug të Ukrainës, ku një lëvizje separatiste e mbështetur nga forcat ruse po fiton terren në Donetsk (pranë kufirit ruso-ukrainas) e deri në Mariupol (në Detin Azov). Ndërkohë që këta rajone i shpëtojnë çdo ditë e më shumë kontrollit të Kievit, qeveritë perëndimore pyesin se çfarë do me të vërtetë presidenti rus, Vladimir Putin: të dobësojë Ukrainën, ta kontrollojë, apo ta ndajë?

Situata përgjatë kufirit ruso-ukrainas të kujton atë që ka ndodhur në Krime. Taktika dhe instrumentat e përdorur janë të njëjtë: në një moment të caktuar shfaqen në rrugë militarë të armatosur mirë, por pa shenja njohëse, shpallet një “republikë popullore” dhe bëhen thirrje për organizim referendumi për një aneksim të mundshëm nga Rusia. “Ajo që po ndodh sot në Ukrainën lindore, ka padyshim ngjashmëri me aneksimin e Krimesë. Por në të vërtetë situata është shumë e ndryshme”, shpjegon një burim nga Rusia, pranë mjediseve diplomatikë. “Për Moskën, hyrja bashkë me militarët në territorin ukrainas do të thotë ndërmarrje e një risku të madh. Veç kësaj, aneksimi i rajoneve të lindjes dhe të jugut do të peshonte shumë në buxhetin e shtetit. Për këtë arsye, opsioni më i mirë është një federalizim i Ukrainës, pra të kërkohet një ndarje e vendit, me qëllim që të arrihet të paktën një lloj protektorati”. Në këtë fazë të dytë të krizës ukrainase, diplomatët perëndimorë janë konfuzë dhe sforcohen për të gjetur se cila do të jetë lëvizja e radhës e zotërisë së Kremlinit. Por, a ka Putini një ide të saktë për atë që do të bëjë? “Presidenti është peng i propagandës së tij, një armë shumë më e frikshme se sa topat e luftës. Pasi vihet në lëvizje, është e pamundur ta ndalësh. Fajkonjtë duan vijën e ashpër, ndërkohë që në Ukrainë “separatistët” shpresojnë në mbështetjen e rusëve. E vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë”, shton burimi ynë.

Në vend të aneksimit të Ukrainës lindore, bashkë me pasojat e tij komplekse, objektivi i Rusisë ishte që të konsolidonte pozicionin e saj përpara takimit të djeshëm (17 prill) në Gjenevë, mes ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian (Catherine Ashton), Rusisë (Sergei Lavrov), SHBA (John Kerry) dhe Ukrainës (Andrij Descitsja).

Duke nënvizuar rëndësinë e takimit, presidenti rus ka këmbëngulur mbi seriozitetin e situatës në terren. “Presidenti ka theksuar se acarimi brutal i konfilktit e ka çuar vendin në prag të luftës civile”, ka deklaruar një zëdhënës i Kremlinit, pas një bisede telefonike mes Putinit dhe kancelares gjermane, Merkel. Për Moskën, ndërhyrja e ushtrisë ukrainase për të rimarrë kontrollin e qyteteve që janë në duar të secesionistëve përbën “përdorim institucional të forcës kundër demonstruesve paqësorë”.

E kufizuar për momentin vetëm në marrjen e disa pozicioneve – aeroportit të Kramatorskut dhe qytetit të Slovianskut – ndërhyrja ukrainase mbikëqyret nga afër prej diplomacisë ruse. Nëse ushtarakët ukrainas do të përdorin forcën për të dëbuar kryengritësit që kanë ngritur barrikada në ndërtesat qeveritare në Donetsk, Luhansk, Kharkiv, Mariupol, Horlivka, Kramatorsk dhe Sloviansk, çdo lloj negociate me Rusinë do të hidhej në erë.

Një aset i ri territorial

Nuk duken shumë të vlerësuara as iniciativat e Kryeministrit të përkohshëm ukrainas, Arsenij Jatsenjuk, që kohët e fundit ka qenë në Donetsk për të diskutuar me kryengritësit. “Bëhet fjalë për një hap në drejtimin e duhur, por ka ardhur shumë vonë”, ka thënë në 15 prill kreu i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, gjatë një vizite në Pekin.

Strategët e Kremlinit kanë interes që t’i përshkruajnë autoritetet e Kievit si të paaftë për të zgjidhur krizën, dhe me të gjithë gjasat do të përpiqen të imponojnë transformimin e vendit në një federatë, duke kërkuar edhe garanci që Kievi nuk do të hyjë në NATO. Për të arritur këtë rezultat nuk ka nevojë për ndërhyrje të tankeve apo autoblindave, as edhe për helikopterët e stacionuar në kufi, mjafton të tregohen muskujt, të bëhet presion ndaj Kievit dhe partnerëve të tij perëndimorë. Qëllimi final është që të bëhet Ukraina e paqeverisëshme, deri kur të administrohet sipas planeve të rusëve.

Operacioni i destabilizimit i kryer nga Rusia në Ukrainë, synon gjithashtu të bëjë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të parashikuara për në 25 maj. Ardhja e një presidenti ukrainas të zgjedhur në mënyrë legjitime do të ishte një ndalje serioze e planeve gjeopolitikë të Putinit, i cili është i gatshëm të bëjë gjithçka për të ngritur Unionin e tij euroaziatik, që e ka projekt parësor të mandatit të tij të tretë.

Për momentin, gjithçka duket se shkon në drejtimin që kërkon Moska. Kievi manifeston një lloj droje që tregon pafuqi. Ushtarët e dërguar nga Kievi në lindje të vendit mbeten të ndarë, batalionet e vullnetarëve të formuar prej ish-militantëve të sheshit Maidan kanë vështirësi për të mbërritur në destinacion, ndërkohë që në internet organizohen mbledhje fondesh për të mbështetur përpjekjet e mbrojtjes ukrainase.

Në Kiev, disa zëra dënojnë dobësinë e qeverisë së re dhe të tjerë kërkojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, gjë që do të bënte praktikisht të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale. Hapësira e manovrimit për presidentin e përkohshëm, Oleksandër Turcinov është shumë e kufizuar.

I inkurajuar edhe prej dobësisë së reagimit të Perëndimit, Putini ndihet i lirë të shtyjë deri atje ku do. Duke përdorur forcën dhe synuar destabilizimin, ai ka sot një avantazh të konsiderueshëm ndaj partnerëve perëndimorë, të cilët duken të paaftë të përballen me realitetin e ri: atë të një elite ruse, e cila është sërish e tunduar prej ambicies për të rindërtuar “perandorinë” e Moskës, edhe me koston e një përplasjeje me Perëndimin.

Doktrina e re e Kremlinit në politikën e jashtme bazohet mbi dy kolona që u bënë publike prej Putinit në fjalimin e 18 marsit, gjatë të cilit ai pranoi zyrtarisht aneksimin e Krimesë. Së pari, presidenti shfaqet si mbrojtës i rusëve dhe popullsive rusisht-folëse, kudo ku ndodhen. Së dyti, dëshiron të lajë turpin e shembjes së Bashkimit Sovjetik 23 vjet më parë. Një argument i ndjeshëm për të gjithë rusët.

Siria ka qenë etapa e parë e këtij rikthimi të madh të Rusisë në skenën botërore, Ukraina është etapa e dytë. Të gjithë pyesin cila do të jetë e treta.

Leave a Reply

Back to top button