AnalizaMAIN

Strategjia e re e Trumpit: A e ka humbur vërtet Evropa Amerikën?

Danilo Taino

Ka momente kur është thelbësore të mos lejojmë emocionet të na dominojnë. Përballë dokumentit të publikuar këto ditë nga Shtëpia e Bardhë mbi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSS), reagimet në shumë vende të BE-së kanë qenë, me të drejtë, alarmuese. Në të vërtetë, dokumenti përmban qëndrime shqetësuese për europianët. Megjithatë, ndoshta jo gjithë teksti është analizuar me gjakftohtësi dhe qetësi. Ka disa pika që duhen fiksuar, sepse emocionet mund të na shtyjnë drejt zgjedhjeve për të cilat nesër mund të pendohemi, për shembull idenë se Evropa e ka humbur përfundimisht Amerikën.

Së pari. Çdo president amerikan harton dhe publikon strategjinë e tij të sigurisë. Ajo e përfshirë në tridhjetë faqet e miratuara nga Trumpi sinjalizon një ndryshim thelbësor të pozicionit të Shteteve të Bashkuara në botë, krahasuar me tetëdhjetë vitet e fundit: një Amerikë më pak aktive në shumë zona, e përqendruar te kontinenti i vet dhe në Perëndim; kritike ndaj Europës, të cilës i atribuon humbjen e referencave të saj perëndimore; pa pikë idealizmi dhe e udhëhequr nga një logjikë transaksionale; e vendosur të ndjekë një politikë unilaterale si një fuqi që mbron ekskluzivisht interesat e saj. Por bëhet fjalë për një dokument orientues strategjik: i rëndësishëm, megjithatë vendimet politike që Washingtoni do të marrë rast pas rasti janë tjetër gjë, jo domosdoshmërisht kopje identike e asaj që shkruhet.

Është e drejtë të shqetësohemi, por NSS duhet marrë për atë që është në të vërtetë: një dokument. Për më tepër, nuk është e sigurt që Trump do ta ndjekë fjalë për fjalë. Ka nga ata që mendojnë se ai as nuk e ka lexuar, dhe se dokumenti është shkruar nga pjesa më MAGA e administratës së tij, veçanërisht nga zëvendëspresidenti JD Vance. Është më mirë të përballemi me politikat konkrete sesa me synimet e deklaruara.

Së dyti. Një pozicion i ri strategjik i Shteteve të Bashkuara do të ketë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata. Në tre vitet e ardhshme, Trumpi do të ndryshojë gjithçka që mundet, dhe e ardhmja politike pas tij nuk do të jetë në gjendje të rikthejë situatën e mëparshme. Megjithatë, një president që nuk i përket linjës ideologjike MAGA mund të ndjekë një drejtim tjetër, ndoshta më pak konfliktual ndaj Europës.

Së treti. Shtetet e Bashkuara mbeten një vend demokratik, plot probleme, i përçarë, por i ndërtuar mbi parime të forta kushtetuese dhe mbi një popullsi që në pjesën më të madhe ruan bindje liberale (në kuptimin europian të fjalës). Është e vërtetë që Trumpi i vë të gjitha këto në rrezik. Evropa mund të tundohet të zëvendësojë aleancën transatlantike me një marrëdhënie të privilegjuar me Kinën. Ide shumë e keqe: do të përfundonte në krahët e një fuqie shtrënguese, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Për më tepër, në atë pikë, do të kishte përballë një kundërshtar të fuqishëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së katërti. Është e drejtë të habitemi nga fakti që dokumenti dhe veprimet e Trumpit i trajtojnë ashpër aleatët europianë, ndërsa jo Kinën, Rusinë dhe regjime të tjera joliberale. Është një problem serioz, por është gabim ta lexojmë thjesht si një “tradhti”. Në thelb qëndrojnë dy pika kyçe: e para, se Washingtoni i sotëm nuk dëshiron të ndërhyjë në regjimet kombëtare antidemokratike; e dyta, se Shtëpia e Bardhë kërkon një Perëndim, pra një Europë dhe një Amerikë, të bashkuara për të frenuar emigracionin, kulturat progresiste dhe fenomenet “woke”. Dokumenti NSS deklaron se çdo komb i botës ka të drejtë të zgjedhë sistemin e vet të qeverisjes pa ndërhyrjen e Perëndimit. Ndërsa Perëndimit i kërkon të bëhet gardh rreth vlerave tradicionale. Ky është pikëtakimi ideologjik shqetësues mes Trumpit dhe Putinit; prej këtej lind edhe vendimi i Shtëpisë së Bardhë për të mbështetur të djathtat ekstreme në Europë.

Së pesti. NSS dhe Trump nuk e shohin Rusinë si një fuqi euroaziatike me ambicie imperiale. Ata e shohin atë si pjesën më lindore të Perëndimit kristian. Për ta rikthyer Moskën “në gjirin e Perëndimit” (duke e riintegruar në G8), Washingtoni është i gatshëm madje të imponojë një armëpushim të papranueshëm për Ukrainën dhe të amnistojë Putinin për krimet e pushtimit të vitit 2022. Të sakrifikohet Kievi dhe të shkaktohet një tërmet brenda BE-së. Diçka që, në fakt, ka nisur të ndodhë.

Së gjashti. Në dokumentin strategjik, Shtëpia e Bardhë shtron kritika të dhimbshme ndaj Bashkimit Europian. Disa prej tyre janë ekstreme dhe synojnë t’i bëjnë favore së djathtës populiste. Por NSS ngre edhe çështje që ne europianët duhet t’i shtrojmë vetë, pavarësisht nga fakti se na i thotë një “fuqi e huaj”. E para është emigracioni, paaftësia dhe mungesa e vullnetit të shumë vendeve të BE-së për ta menaxhuar. Më pas, vjen kritika ndaj tepricës së rregulloreve europiane që “mbyt” ndërmarrjet, sipërmarrësit, startup-et dhe sakrifikon rritjen ekonomike.

Strategjia e re e sigurisë së SHBA-së sinjalizon një ndryshim epokal, një botë krejt tjetër nga ajo e tetë dekadave të fundit. Është thelbësore që Evropa ta analizojë me mendje të ftohtë dhe të përballet me të. Por, përpara se të merremi me NSS-në, ekziston diçka e menjëhershme që përcakton të ardhmen e kontinentit: lufta në Ukrainë. Do të jemi në gjendje të përballojmë botën e re të vizatuar nga Trumpi, vetëm nëse arrijmë të imponojmë një paqe të drejtë në vendin europian më të goditur dhe më të sakrifikuar, që nga Lufta e Dytë Botërore. Kjo është, në të vërtetë, pika numër një. / Corriere della Sera – Bota.al

Back to top button