Horizonti.al

Studimi: Qentë nuk janë dhe aq të mençur sa mendojmë

I duam, i lavdërojmë dhe shpesh themi për ta “u mungon vetëm e folura!”. Por a jemi vërtet të sigurt, që qentë janë kaq inteligjentë sa besojmë ne? A mos ndoshta kemi prirjen t’i mbivlerësojmë ata? Ndoshta për shkak se i duam shumë? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje një ekip studiuesish të Universitetit të Eksteterit në Britaninë e Madhe, kanë shqyrtuar më shumë se 300 studime mbi inteligjencën e qenve dhe kafshëve të tjera.

Ata zbuluan, se aftësia njohëse e mikut më të mirë të njeriut, nuk është aq e jashtëzakonshme, në krahasim me ato të kafshëve të tjera. Sikurse shkruajnë në uebsajtin “Learning and Behaviour”, studiuesit gjetën disa raste të “mbivlerësimit”, që favorizojnë qentë në krahasim me kafshët e tjera të tilla si ujqërit, macet, shimpanzetë, zogjtë, kuajt dhe delfinët.

”Ne kemi vënë re se shumë studime konjitive mbi qentë, kanë si qëllim të tregojnë se këto kafshë janë veçanërisht inteligjente”- thotë Stefën Lea, psikolog në Universitetin e Eksteterit. “Shpesh ata krahasohen me shimpanzetë. Dhe në testime, sa herë që kryejnë detyra të caktuara, kjo interpretohet si diçka e jashtëzakonshme. Por në literaturë ka studime që tregojnë se shumë specie të tjera, mund të kryejnë të njëjtat veprime si qentë”- thotë Lea.

Studimi u përqendrua në analizën e 5 fushave kryesore të njohjes:shqisore, fizike, hapësinore, sociale dhe vetë-ndërgjegjësimit, që e krahasojnë qenin me 3 grupime të tjera kafshësh, dmth kafshët mishngrënëse, shtëpiake dhe ato grabitqare që qëndrojnë në tufa.

Dhe, edhe pse analiza paraqit disa probleme në lidhje me mungesën e të dhënave për krahasimin ndërmjet të tria grupeve, sipas studiuesve del e qartë se aftësitë njohëse të maceve, janë shumë të ngjashme me ato të qenit. “Duke marrë parasysh të tria grupimet e kafshëve, inteligjenca e qenit nuk duket të jetë e jashtëzakonshme”- thotë psikologia Brita Osthauz nga Universiteti i Kanterberit Krist Çërç. “Le të mos favorizojmë qentë, duke e mbivlerësuar inteligjencën e tyre. Qentë janë qen, dhe ne duhet t’i marrim parasysh nevojat e tyre kur ndërveprojmë me ta”-përfundon studiuesja. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button