Analiza

STUDIMI / Sa shumë presion mbi median në botë!

worldKarin Deutsch Karlekar

Drejtore e Projektit “Liria e Shtypit” në Freedom House

Në pamje të parë, ndryshimi me shpejtësi marramendëse i mënyrave se si prodhohet, shpërndahet dhe konsumohet informacioni, duhet të ishte shenjë e një epoke të artë për shtypin botëror. Një gamë gjithnjë e më e gjerë profesionistësh, por edhe gazetarë-qytetarë si dhe blogger-a po shkruajnë, transmetojnë dhe postojnë informacione në një shumëllojshmëri mënyrash. Lajmet e tyre po udhëtojnë më shpejt dhe po mbërrijnë në audienca gjithnjë e më të mëdha. Por media botërore është duke ndeshur edhe presione të rinj dhe rreziqe në rritje, në pothuajse çdo rajon të botës.

Studimi ynë për Lirinë e Medias në 2014, zbulon që ndërsa mediat zhvillohen dhe vijnë në forma të reja, përpjekjet e qeverive për të kufizuar dhe penguar informacionin e pavarur janë bërë jo më pak inovative dhe të përhapura.

Sipas matjeve tona, që vlerësojnë mjedisin ku punojnë gazetarët, si dhe aksesin tek lajmi dhe informacioni, liria globale e medias ka rënë në nivelin e saj më të ulët të dekadës së fundit. Vetëm 14% e popullsisë botërore jetojnë në vende ku ne e konsiderojmë median si “Të lirë”, ndërkohë që shumica dërrmuese jetojnë në mjedise ku media është “Pjesërisht e lirë” (42%) ose “Jo e lirë” (44%).

Faktorët kryesorë për këtë rënie përfshijnë përpjekjet e qeverive – sidomos në shtete autoritarë apo me situata politike të polarizuara – për të kontrolluar përmbajtjen e lajmeve. Disa autoritete përdorin masa ekstreme si vrasjen e gazetarëve, apo censurën e mbuluar. Por, një numër gjithnjë në rritje po përdorin teknika të reja dhe më të sofistikuara – që nga kërcënimi fizik i gazetarëve që mbulojnë lëvizje protestash, tek moslejimi i gazetarëve të huaj, e deri tek shtrëngimi i kufizimeve për platformat mediatike online dhe mediat sociale. Në shumë vende, pronarët privatë të mediave ushtrojnë një kontroll të pakufizuar duke ndryshuar linjat editoriale, apo dëbuar elementë të rëndësishëm të stafit, pasi blejnë organizata mediatike që më parë kanë qenë të pavarura.

Gjatë vitit që kaloi, disa prej përpjekjeve më të hapura për të kufizuar lirinë e medias ndodhën teksa gazetarët dhe fotografë që mbulonin protestat në rrugë u sulmuan fizikisht. Shumë raste u raportuan në Turqi, gjatë protestave në Gezi Park, në Egjipt, gjatë përplasjeve mes mbështetësve të Vëllazërisë Myslimane dhe forcave të reshtuara kundër saj, si dhe në Ukrainë.

Gazetarët e huaj – që luajnë një rol kyç në mjedise më të mbyllur për mbulimin e lajmeve me ndjeshmëri të lartë dhe shpërndarjen e tyre për një audiencë globale – nuk janë imunë ndaj trysnisë. Rusia dhe Kina refuzuan të rinovojnë ose kërcënuan se do të anulojnë vizat për gazetarë të njohur. Qeveria e re në Egjipt shkoi një hap më tej, duke ndaluar disa punonjës të televizionit Al Jazeera, nën akuzën se po mbështesnin terrorizmin. Tre prej tyre janë aktualisht para gjyqit.

Mediat e reja, si rrjetet socialë në internet apo mikroblog-et si dhe mjetet dixhitalë të transmetimit, si interneti dhe celularët, janë vënë edhe ata nën kërcënim. Ndërkohë që Kina dhe Vietnami vazhdojnë përpjekjet e tyre për të kontrolluar median online duke arrestuar blogger-a, shtete të tjerë po vendosin kufizime duke miratuar ligje të rinj (ose forcuar më tej të vjetrit) për të mbuluar materialet që publikohen në internet, ose censuruar faqet e internetit.

Në SHBA, qeveria është përpjekur të kufizojë dhënien e informaciont për çështje që lidhen me sigurinë kombëtare. Shënjestrimi që u bën qeveria e SHBA dhe qeveri të tjera qytetarëve të zakonshëm dhe figurave politike për qëllime mbikëqyrjeje, ngre gjithashtu shqetësimin në lidhje me mundësinë e gazetarëve që të mbrojnë burimet dhe ruajnë privatësinë e tyre dixhitale.

Liria e medias po përballet me kërcënime edhe nga aktorë privatë që përdorin teknika më të sofistikuara. Ndryshimi i pronësisë në disa prej mediave më të rëndësishme – sidomos kur pronarët e rinj kanë patur lidhje të afërta me qeverinë dhe partitë në pushtet – ka sjellë në disa raste ndryshim apo zbutje të toneve editorialë, dhe në disa raste të tjerë pushim nga puna apo dorëheqje të gazetarëve që gjykohej se flisnin shumë. Në Turqi, dhjetëra gazetarë u larguan nga vendet e punës për shkak të mbulimit që u kanë bërë çështjeve me ndjeshmëri të lartë politike. Pati edhe dorëheqje nga gazetarë të shquar në vend.

Duke parë rëndësinë që ka liria e shprehjes dhe aksesit në informacion, për forcën dhe vitalitetin e demokracisë dhe rritjes ekonomike, ne duhet të garantojmë që gazetarët që ndodhen nën presion të marrin mbështetje, dhe që kërcënime të tillë ndaj pavarësisë së tyre dhe aftësisë për të raportuar lirisht të bëhen publikë. Mbajtja e kanaleve të rinj të komunikimit sa më të hapur dhe të pacensuruar që të jetë emundur është shumë e rëndësishme për të garantuar që metodat gjithnjë e më të sofistikuara që përdoren për të kufizuar rrjedhën e lirë të informacionit, në fund nuk do të jenë të suksesshme.

CNN

Leave a Reply

Back to top button