Histori

Sulejmani i Madhërishëm: Talenti, intrigat, mizoria…

Screen Shot 2015-01-21 at 1.20.26 PM

 Nga Rosa Maria Delli Quadri*

Kryelartë, por në të njëjtën kohë i rezervuar, ambicioz dhe në të njëjtën kohë një diplomat shumë i zoti, Sulejmani e udhëhoqi perandorinë otomane në majën e madhështisë së saj, duke e bërë Europën të dridhet përballë ushtrive të tij…

Princ dhe Zot i Konstelacionit të Lumtur, Cezar i Madhërishëm, Vula e Fitores, Hija e të Gjithëpushtetshmit: për t’u bërë të gjithë këto, Sulejmani (1494-1566), në 30 shtator të vitit 1520 hipi mbi një varkë me rema të quajtur gulet dhe u ul rëndë mes jastëkëve të kadifenjtë, strofrave të mëndafshtë dhe disa eunukëve të bardhë që rrinin në këmbë përpara tij. Në moshën 17 vjeç ishte Guvernator i një province të madhe dhe në moshën 26 vjeç, kur vdiq i ati, Selimi I, Sullejmani u bë Sulltan i otomanëve. Ditën e tretë të ceremonisë së kurorëzimit të tij doli para popullit me një veshje të florinjtë, të mbushur me perla dhe diamantë dhe në kokë mbante një çallmë shumë të madhe, të zbukuruar me një seri pendësh çafkash, që simbolizonin pjesët e ndryshme të botës që i ishin nënshtruar Sulltanit.
Tek këmbët e krevatit, Sulejmani kish kërkuar që të skalitej një prej motove të tij të preferuara: “Nëse princi nuk shkon personalisiht në luftë dhe nuk përballet me rrezikun, është e sigurtë se pjesa më e madhe e sipërmarrjeve të tij nuk do të jenë të suksesshme”. Në fakt, Sulltani i udhëhiqte personalisht fushatat ushtarake dhe vështrimi i tij shtrihej përtej kufijve të perandorisë, që u rrit në mënyrë të konsiderueshme me kalimin e viteve.

Në Europë njihej si “Sulejmani i Madhërishëm”, për popullin e tij ishte “Sulejman Kanuni”, Ligjvënësi, duke qenë se veprimtaria e tij politike ishte e mbushur me përpjekje për të integruar ligjin e shenjtë tradicional, shari’an, me një lesgjislacion të quajtur kanun, që kish për qëllim të rregullonte çdo aspekt të jetës së shtetit. Nga një oborr i kushtueshëm dhe shumë i organizuar, Sulltani qeverisi një perandori e cila shtrihej në shumë troje të Perëndimit dhe përfshinte popuj shumë të ndryshëm mes tyre; Sulejmani u mor veçanërisht me jeniçerët, një korpus këmbësorie, mes më të famshmëve dhe të fuqishmëve të ushtrisë otomane, të cilëve u vendosi plaçkën e luftës si të vetmen formë pagese. Falë këtyr eburrave, të cilët disa herë u bënë vendimtarë për fatet e perandorisë, ai pushtoi Beogradin dhe Rodin, pushtoi Budapestin dhe rrethoi Vienën, luftoi venecianët në Korfuz dhe arriti fitore në fushatat ushtarake në Hungari dhe Persi, duke i bërë të dridhen të gjithë krerët e kurorëzuar të Europës dhe të gjithë basenit të Mesdheut.

Gjatë fushatës së tij të tetë në Perëndim, në Europë, kundër Maksimilianit II të Habsburgëve, në natën mes 5 dhe 6 shtatorit 1566, Sulltani i Madhërishëm, ndërkohë që pushtonte në çadrën e tij, ndërroi jetë dhe u kthye në atdhe i balsamosur. Në anë të varrit u vendos kordha e tij, me majën e drejtuar nga armiku, si dëshmi e vdekjes në luftë. U la pasardhësve, të parit birit të tij Selimit II, një perandori që asnjë prej sulltanëve të mëvonshëm nuk diti ta mbajë, fuqia, begatia dhe pasuria e të cilës nuk do të arrihej më kurrë. Për të qeverisur një perandori kaq të madhe dhe shumëetnike ishin të nevojshme dhunti të spikatura politike dhe administrative, por jo vetëm: Sulejmani e themeloi qeverisjen e tij mbi tolerancën dhe respektin e popullsive të ndryshme, që konverguan nën pushtetin e tij. Ka hyrë në histori si një prej Princërve më të mëdhenj, që për nga karakteri dhe bëmat do të kishte lënë të shtangur një pjesë të madhe të brezave të ardhshëm.


Sulltani i sulltanëve
Sulejmani jetoi një rini në të cilën lanë gjurmë rreptësia dhe studimet. Që fëmijë u dërgua në pallatet mbretërorë të Kostandinopojës, ku u stërvit për përdorimin e armëve dhe mësoi shkencat, historinë, gjuhët, letërsinë dhe teologjinë me një përpikmëri tipike të turqve.

Arsimimi i tij, që do ta kishte shumë të dobishëm në të ardhmen, u ndikua edhe nga prania e disa “tutorëve” me origjinë të krishterë, të cilët një ditë do të bëheshin vezirët, pashallarët, gjeneralët dhe guvernatorët e tij. Pikërisht në vitet e fëmijërisë, Sulejmani njohu dhe u afeksionua pas Pargali Ibrahimit, një skllav që do të bëhej këshilltari i tij më i besuar sapo të hipte në fron.
Me një staturë mesatare dhe gjymtyrë me përmasa të rregullta, Sulejmani ishte brun në çehre, me ballin e gjerë dhe sytë e zinj pakëz të dalë nga orbita, vetulla të trasha, hundën si shkabë, buzët e holla dhe mustaqet e pjerrëta. Në vitet e fundit të jetës, kur nisi të dobësohej nga mosha dhe sëmundjet, nisi të vuajë nga idropizia, fryrja e këmbëve, mungesa e oreksit dhe gjendjet e të fikëtit. Personaliteti i pasur dhe shumëformësh, sjellja kryelartë dhe e rezervuar, inteligjenca e gjallërishme dhe reflektive në të njëjtën kohë, e bënin Sulejmanin një njeri më shumë të prirur për meditim dhe gjykim, se sa i përfundimeve të shpejtë, me karakter krenar dhe të vendosur, por jo mizor, nga momenti që teprimet atërore dhe mungesa e rivaliteteve familjarë e kishin bërë shpirtin e tij më shumë të prirur nga dashuria për drejtësinë, se sa nga prepotenca. Nevoja e madhe njerëzore për dashurinë e familjes e bëri që të dojë fort Mustafanë, djalin e tij të parë, Ibrahimin, mikun e përhershëm, por edhe krahun e djathtë dhe një prej kryevezirëve të tij, si dhe Roselanën, e preferuara e haremit që u bë gruaja e tij: ndjenjat e tij për ta ishin të verbëra dhe që të tre ushtruan një ndikim shumë të fortë në jetën e Sulejmanit.

Ndonëse ishte një politikan shumë i zoti, Sulejmanit i mungonin shija dhe talenti tipik oriental i intrigës. Ishte një shtetar që dinte të fuste shumë mirë në thes armiqtë, dinte të shfaqej i pazbutshëm dhe i paepur përballë ministrave dhe vartësve që e gënjenin apo e zhgënjenin, por besonte verbërisht ata që i kishte të shtrenjtë. Dashuria dhe besimi i pakushtëzuar për Roselanën, ajo që më shumë se kushdo tjetër diti të përfitojë prej dobësive të tij, e shtyu të bëjë gabime tragjikë.

Sulejmani ishte një despot absolut dhe për veprimet e tij përgjigjej vetëm para ligjeve të Kur’anit. Përgjatë gjithë mbretërimit të tij të gjatë, që zgjati 46 vite, veprimet e tij ishin – me ndonjë përjashtim të rrallë – të mençur, të matur dhe të frymëzuar nga një kriter tolerance. Mirënjohja e tij nuk mungonte pothuaj asnjëherë për të shpërblyer ata që i shërbenin me devotshmëri. Një ushtar besnik, I Madhërishmi dinte të vendoste disiplinë në të gjithë trupat e tij, edhe në momentet e tërheqjes, dhe demonstronte se zotëronte dhunti gjeniale jo vetëm në fushëbetejë, por edhe në tryezën e bisedimeve.

Ishte një studiues këmbëngulës i bëmave të Aleksandrit të Madh dhe mbante një ditar të fushatave të tij ushtarake. Pasioni për matematiken lihej pas vetëm prej interesit për historinë. Një politikan i zgjuar dhe i mprehtë, Sulltani kishte një shije tipike orientale për salltanetet dhe efektet dramatikë. Në fakt, gjatë ceremonive, Sullejmani ishte një figurë me shkëlqim të pabesueshëm dhe pas tetëmbëdhjetë ditëve festime me rastin e rrethprerjes së bijve të tij, në qershor 1530, u nis të flitet për një perandor me pushtet të jashtëzakonshëm dhe një pasuri të pallogaritshme. Në të gjithë Europën nisi të jehojë emri i atij që dukej se e meritonte vërtetë titullin I Madhërishëm.

Një Perandori e rilindjes
Në shekullin XVI, Kostandinopoja ishte tashmë një kryeqytet kozmopolit dhe i vetmi që kishte një hapje të madhe ndaj botës. Në kohën e Sulejmanit, Perandoria otomane shumë e centralizuar dhe e pandarë, ishte e vetmja perandori ndërkombëtare pa të ngjashme.
Rilindja europiane, që kishte përfituar prej prurjeve kulturore të njerëzve të ditur që kishin ardhur në Itali nga Kostandinopoja, në kërkim të strehimit para dhe pas pushtimit të qytetit në vitin 1453 nga Muhamedi II, ndikoi shumë tek Sulltani, i cili vuri në zbatim reforma të rëndësishme dhe promovoi artet e bukura. Në fakt, ai nuk ishte vetëm ushtar dhe administrator, por edhe një njeri i kulturës: Sulejmani reformoi sistemin feudal të Perandorisë, bëri të jetojnë në harmoni 20 etni të ndryshme, themeloi shkolla dhe u shpërndau të mira klasës së ulemve, atyre që ishin të zotë në shkencat fetare të botës myslimane. Reformoi dhe përmirësoi administratën civile dhe ushtarake, duke këmbëngulur shumë në detyrimin e paanshmërisë kundrejt të gjithë klasave sociale, dëboi ose dënoi me vdekje të gjithë funksionarët e vegjël dhe të mëdhenj që ishin të korruptuar dhe vendosi taksa të lehta.


Duke qenë se ishte analkoolist ndaloi verën, por jo kafenë, e cila u fut në Kostan- dinopojë në 1554, duke qenë se në shitoret e shumta që lindën në qytet ai shihte “shkolla” të dobishme për përhapjen e kulturës si dhe për një praktikim më civil të marrëdhënieve qytetare, ku njerëz të ditur, oratorë, ushtarë dhe ekspertë të politikës mund të gjenin frymëzim. Me Sulejmanin, Porta e Lartë, ose qeveria otomane, hyri për herë të parë në marrëdhënie të rregullta diplomatike me shtetet e tjerë. Shumë artistë, edhe të huaj, eksperimentuan patronazhin e sulltanit. Gjatë mbretërimit të tij pati një lulëzim të madh të fushës së artit dhe shkrimtarët e kohës hodhën bazat për krijimin e një letërsie kombëtare; Stambolli u bë qendra intelektuale e Islamit. Veprave të mrekullueshme të Arkitekt Sinanit, Sulejmani u shtoi ribërjen e ujësjellësve dhe rrugëve si dhe veprave të tjera publike. Në të gjithë perandorinë, nuk kishte qytet që ai të mos e kishte zbukuruar në mënyrë të konsiderueshme. Sulejmani fliste arabisht dhe persisht, kuptonte italisht dhe i kushtonte shumë kohë leximit. Ishte vecanërisht i dashuruar pas novelave perse dhe legjendave të Aleksandrit të Madh, të rrëfyera nga poeti pers Nizami. Po kështuk, donte shumë muzikën dhe zotëronte dije të mira të astronomisë dhe ashtu si kundërshtari i tij, Karli V, ishte i apasionuar pas orëve dhe artit të matjes së kohës. Falë impulsit të tij, shkëlqimi dhe prestigji i perandorisë së tij do të zgjaste në kohë. 

* Historiane, Studiuese në Universitetin e Napolit  / Storica.NG./ Bota.al

Leave a Reply

Back to top button