Histori

Sulltaneshat në krye të Perandorisë

Konkubina dhe nëna të sovranëve, që në oborrin e Stambollit ishin dërguar zakonisht brenda haremit, u gjendën në shekullin XVI dhe XVII në qeverisje të shtetit. Me rezultate aspak zhgënjyes, aq sa në një pikë u shndërruan në interlokutore të cmuara të udhëheqësve europianë

Screen Shot 2015-03-05 at 21.06.29

Bruno Cianci
Për më shumë se shtatë shekuj perandoria otomane ka luajtur një rol primar, edhe pse me ulje ngritje të fatit, mbi një pjesë shumë të rëndësishme të botës antike, pasi i kishte zgjeruar pushtimet e veta që nga deti Kaspik deri në Algjeri, duke kaluar nëpër Azinë e Vogël, Ballkan, brigjet e Detit të Zi dhe Lindjen e Afërme. Ashtu si cdo perandori, edhe ajo e themeluar nga Osmani, sulltan nga viti 1300 deri në 1326, i pari i një serie që ka dhënë 36 sovranë perandorisë më jetëgjatë turke, ka njohur një parabolë të vecantë. Arsyet e rënies janë sot më shumë se kurrë objekt i studimeve dhe debateve të ndezur akademikë.
Ka nga ata që thonë që, thjeshtë, ka qenë beteja e Lepantos e 7 tetorit 1571 që inauguroi rënien e perandorisë turke, por kjo gjë korrespondon shumë pak me të vërtetën. Pushtimi i terirtoreve të rinj dhe nënshtrimi i popujve të rinj kanë qenë shumë të rëndësishëm për mbijetesën e një perandorie që shpërblente luftëtarët e vet jo vetëm me para, por edhe me toka, të ashtuquajturit timarë. Lepanto ishte një humbje e rëndë dhe ekspansionizmi turk humbi sigurisht vrullin të nesërmen e 1571, mbi të gjitha në dete; megjithatë, arsyet e bllokimit të një makinerie kaq komplekse siç ishte ajo otomane nuk mund të reduktohen në një humbje të vetme. Degradim politik dhe krizë ekonomike

Falimentin në gjysmën e parë të shekullit XVII e solli inflacioni i monedhës turke që erdhi prej fluksit të madh të argjendit amerikan në Mesdhe, ndërkohë që në vijim thesari vuajti në pjesën më të madhe për shkak të luftës së gjatë me Venecian për ishullin e Kretës (1645-69). Në ndërkohë, në nivel administrativ, korrupsioni, klientelizmi, paaftësia e shumë sulltanëve, funksionarëve dhe ministrave shkaktuan një paqëndrueshmëri të madhe politike. Në këtë vorbull ngjarjesh dhe keqfunksionimesh, efektet ngatërroheshin me shkaqet. Disa prej këtyre, sidomos ata të listuar më sipër mund të përktheheshin nga ana e tyre në dobësim të autoritetit në nivele më të lartë. Kjo gjë i atribuohet një serie rrymash të tërthorta që sollën formimin e të ashtuquajturit “Sulltanati i grave”, një periudhë e gjatë e ndikimit të haremit që e pati kulmin e vet në gjysmën e Gjashtëqindës.

Si dëshmi e llojit të konfuzionit që mbretëronte në atë kohë në Stamboll, mjafton të përmenden disa shifra. Numri i sulltanëve që udhëhoqën gjatë shekullit XVII ishte sa dyfishi i atyre të Pesëqindës ndërkohë që edhe numri i ushtarëve u dyfishua mes viteve 1595 dhe 1652. Vetëm në periudhën 1640-1656 funksionarët rrogëtarë u rritën nga 60 mijë në 100 mijë, ndërkohë që 18 vezirë të mëdhenj dhe po kaq kapedanë pashallarë (admiralë të mëdhenj) udhëhoqën në detyrat më të larta qeverisëse dhe të marinës nga 1644 deri në 1656: një numër shumë i madh nëse konsiderohet që në kulmin e fuqisë perandoria kishte në krye të flotës Hajredin Barbarosan, në detyrë nga 1533 deri në 1546, dhe si vezir të madh Ibrahim Pashën.

Pikërisht në kohën e vdekjes së dhunshme të Ibrahim Pashës mendohet nga historianët të ketë qenë fillimi i pushtetit të haremit.
Të habit fakti që një parantezë e tillë ka filluar në kohën e më të respektuarit nga të gjithë sovranët e rrethuar nga shpata e Osmanit, ose më saktë Sulejmani I (1521-66), i njohur nga turqit si Kanuni (Legjislatori) apo, në Europë, si Sulejmani i Madhërishëm; por edhe një sovran i iluminuar mund të kishte dobësitë e tij. Më e madhja nga të gjitha kishte një emër dhe ishte një vajzë me origjinë nga Rutenia: Hyrrem. E lindur me emrin Aleksandra, bijë e një prifti ortodoks, ajo u bë e njohur në sallonët perëndimorë si Roselana. Kjo skllave shumë e këndshme, e vogël në trup por me forma joshëse, u bë pjesë e haremit në moshë të hershme, pasi ishte blerë për një shumë të konsiderueshme.

Në harem, Hyrrem mësoi artin e këngës, të vallëzimit dhe të dashurisë, pa e humbur megjithatë virgjërinë, një lule që vetëm Sulltani, hija e Perëndisë mbi Tokë, mund ta merrte. Hyrrem mori edhe mësime të fesë islamike, por pa u bërë një ndjekëse e Profetit, që nga momenti që Kur’ani u ndalonte myslimanëve që të katandisnin në skllavëri një njëfetar. Për këtë arsye, konkubinat e sulltanit ishin në origjinë skllave dhe fitonin statusin e grave të lira vetëm pasi lindnin fëmijë: martesa nuk ishte në vetvete një kusht i mjaftueshëm. Duhej relativisht pak që Sulejmani, tashmë baba i dy trashëgimtarëve meshkuj, të pikaste Hyremin. Kur kjo ndodhi, sovrani u dashurua deri në atë pikë që, të mbeste besnik i saj deri në fund të jetës.

Në historinë otomane kishte ndodhur tashmë që grave u takonte të bënin kujdestaren e sulltanit, mbi të gjitha në raste fushatash ushtarake që kryheshin nga vetë sulltani. Grekia Nilyfer, shoqëruese e Sulltanit të dytë Orhan (1326-60) ishte një regjente shumë e mirë.

Por ndikimi që do të ushtrohej që nga shekulli XVI nga ana e Roselanës dhe grave të tjera që erdhën pas saj ishte një fakt krejt i ri. Një prej kushteve të parë, nëse mund të përdorim këtë fjalë, që iu “vendos” Sulejmanit nga gruaja që kish ardhur nga verilindja e Europës ishte transferimi i haremit nga një zonë në qendër të Stambollit, në brendësi të Topkapi, pallati perandorak, ku përthitheshin afro 25 përqind e taksave të mbledhura në të gjithë perandorinë. Largimi i haremit, gratë e të cilit në kohën e Mehmetit IV ishin më shumë se 2000 (duke llogaritur edhe ato në shërbim të të preferuarës që nuk ishin konkubina, por zgjidheshin për shkak të bukurisë së tyre), e afroi rrezikshëm qendrën e pushtetit politik me punët private të sulltanit. Vetë veziri i madh Ibrahim, një prej njerëzve më të zotë të të gjithë shekullit XVI, me sa dihet u sakrifikua për kënaqësi të rutenes së bukur dhe shoqëruesve të saj.

Veneciania që u bë e preferuar
Kur Roselana i dha sulltanit një trashëgimtar të ri mashkull, Selimin, u ndez një rivalitet i fortë mes saj dhe Gylbaharit, bashkëshortja tjetër e Sulejmanit. Ishin ngritur të dyja në rangun prestigjoz të haseki sulltan, apo më mirë mbretëresha, nëna të bijve meshkuj. Arsyeja e këtij rivaliteti duhet kërkuar në një xhelozi banale dhe reciproke femërore, që megjithatë kontribuonte për acarimin e tyre: sipas traditës otomane, e drejta për të mbretëruar nuk i përkiste automatikisht fëmijës së parë mashkull (sic ndodhte në pjesën më të madhe të monarkive europiane), por fëmijës mashkull që, i mbështetur nga njëri apo tjetri grup i pushtetshëm, dilte mbi vëllezërit. T’i imponoheshe rivalit do të thoshte të siguroje jo vetëm pushtetin, por edhe vetë mbijetesën. Ishte traditë në fakt që princërit e mundur mbyteshin me një lak mëndafshi (derdhja e gjakut mbretëror ishte sakrilegj) pasi pushteti merrej zyrtarisht nga një tjetër. Kjo gjë kishte qëllimin që të shmangte grushtin e shtetit nga ana e pretendentëve të tjerë legjitimë: vëllezër nga nëna e nga njerka, por edhe xhaxhallarë, kushërinj dhe nipër. Për dy haseki sulltanet, në sintezë, imponimi ndaj tjetrës nënkuptonte pra sigurimin e mbijetesës, përvec pushtetit, të të paktën njërit prej dy djemve.
Rangu më i lartë i arritur nga një grua në hierarkinë perandorake ishte ai i sulltanes nënë, e quajtur duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XVI, valide sulltan. Asaj i përkiste jo vetëm detyra e mbajtjes së disiplinës në harrem, por edhe një rol i një rëndësie parësore në drejtimin e perandorisë, në mënyrë të vecantë nëse sulltani i ri nuk kishte moshën për të qeverisur. Gruaja e parë që mori zyrtarisht titullin valide ishte Nurbanu, gruaja e Selimit II. E lindur me emrin Sesilia, Nurbanu ishte bijë natyrore e patricit venecian Niccolo Venier, pronar i Paros dhe Violanto Baffo. Kur ishulli u pushtua nga Hajredin Barbarosa në 1537, vajza e re u mor dhe iu dha si dhuratë Sulejmanit, i cili nga ana e tij ia dha Selimit që në të ardhmen do të bëhej Selimi II. Pasi u bë e preferuar e princit, Sesilia mori emrin Nurbanu, nxorri në dritë një fëmijë mashkull në korrik 1546 dhe përqafoi fenë e Profetit. Përfaqësuesit diplomatikë venecianë të kohës, Bailët thoshin që Nurbanu kishte një ndikim shumë të madh në politikën otomane, gjë që vazhdoi edhe kur u bë Sulltane nënë. Kur erdhi në fron Murati III, valide sulltania me origjinë venecianie i mbajti sërisht fort duart në frerët e pushtetit, duke këshilluar të birin në të gjithë vendimet e tij politikë. Në marrëdhëniet me jashtë, kërkoi sa më shumë të ishte e mundur që të pengonte përplasjet ushtarake me Venecian, edhe pse nuk mundi të pengojë rrethimin e Qipros dhe betejën e Lepantos. Si kompensim luajti një rol vendimtar në marrëveshjen e paqes të firmosur mes Stambollit dhe Venecias të nesërmen e betejës. Pati kontakte me shtete të tjerë italianë dhe prej këtyre u konsiderua një ndërmjetëse e fuqishme.

Në vitin 1580 edhe Katerina de Medici, nënë e mbretit të Francës Henriku III, iu drejtua asaj për t’i kërkuar një ndërhyrje për rinovimin e disa marrëveshjeve në afat përfundimi mes dy shteteve.

Në vitet e fundit të jetës ndikimi i saj u reduktua shumë prej xhelozive dhe intrigave të oborrit. Kundërshtarja e saj kryesore ishte shqiptarja Safije Sulltan, e preferuar e vetë Muratit III (dhe nënë e Mehmetit III), e cila, ashtu si edhe Sesilia, pati një rol të dorës së parë në orientimin e zgjedhjeve të bashkëshortit dhe më pas të nipit, duke demonstruar edhe që dinte të drejtonte vetë cështjet e shtetit kur bashkëshorti ishte nisur në një fushatë ushtarake.

Fundi i tmerrshëm i Kësem
Valide sulltania e fundit ishte grekia Kësem, e lindur me emrin Anastasia dhe bashkëshorte e Ahmetit I, bir i Mehmetit III. Kësem pati aftësinë të kushtëzonte marrjen e pushtetit nga kunati Mustafa si dhe të siguronte njëkohësisht mbijetesën e bijve Murat dhe Ibrahim, falë korrupsionit dhe ndikimit të saj personal. Eshtë e vërtetë që ligji vëllavrasës në ndërkohë ishte shfuqizuar, por në cdo kohë ai mund të risillej, duke sjellë asgjësimin e vëllait. Në fakt ishte ende i gjallë kujtimi kur, pas hipjes në fron të Mehmetit III, në 1595, plot 19 kufoma princërish u larguan nga pallati në zbatim të ligjit vëllavrasës. Kur i erdhi radha të mbretërojë Ibrahimit I, ky rezultoi, sic ka thënë historiani anglez Jason Goodwin “më i marri mes sovranëve të kësaj familje gjithnjë e më të marrë dhe patologjike”. Crregullimet që pllakosën shumë princër dhe sulltanë, duke filluar nga Selimi II (epiteti i të cilit ishte Pijaneci) mund të shpjegohen me rivalitetin e pamëshirshëm të oborrit më shumë se sa me ndërrimin e munguar të gjakut tipik në monarkitë perëndimore, ciftëzimet në të cilat ndodhnin në brendësi të një rrethi të ngushtë familjesh mbretërore.
Në të kundërt, sovranët otomanë shumë pak gjëra turke kishin: gjak gjithnjë i freskët futej në familjen mbretërore përmes konkubinave që vinin nga cdo anë. Një studim autoritar i kryer në fillim të shekullit XX ka nxjerrë që në venat e Mehmetit V nuk kishte më as një të një miliontën pjesë gjak turk. Pas rrëzimit dhe ekzekutimit të Ibrahimit I (8 gusht 1648), një luftë shumë e fortë vuri përballë valide sulltan Kësemin dhe Hatixhe Turhan, nënë e Sulltanit të ri Mehmeti IV. Fitoi e dyta. Kësem, nënë e dy sulltanëve humbi përgjithmonë ndikimin e saj mbi pushtetin. Por edhe jetën. Në 1651, e zhveshur nga rrobat dhe bizhutë, e lënë ashtu lakuriq, u tërhoq zvarrë nga këmbët dhe u lidh me një litar. Në 15 shtator 1656 Mehmeti IV, apo më mirë nëna e tij Hatixhe Turhan emëroi vezir të madh energjikun Mehmet Koprulu, pasi sulltani i pavend ia kish dhënë detyrën një furrtari. Ishte fillimi i një periudhe më shumë se 20-vjeçare stabiliteti dhe qeverisjeje si dhe restaurimi të prestigjit të shtëpisë së Osmanëve: ishte pra drita në fund të tunelit. Edhe një herë kish qenë një grua, në të mirë e në të keq, që kishte vendosur fatet e perandorisë otomane./Storica/

www.bota.al


 

www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button