Analiza

Sulmet e Parisit: Si t’i përgjigjemi kërcënimit?

Nga Pascal Boniface

Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

paris attack

Prania e një numri të madh kryetarësh të shteteve të huaja të dielën në Paris, pranë presidentit Hollande, ishte e paprecedentë. Çfarë përfaqësonte për Francën kjo mbështetje?

E vërteta është se asnjëherë në histori ne nuk kemi parë një grumbullim të tillë, as për një samit diplomatik, por as dhe për një manifestim në rrugë, edhe pse kjo nuk i pengoi kontaktet diplomatike. Asnjëherë një numër kaq i madh kryetarësh shtetesh dhe qeverish nuk kishin marrë pjesë sëbashku, duke u bashkuar në një manifestim qyetar në rrugët e një qyteti.

Kjo është pra një premierë historike dhe një mbështetje shumë e fortë që u manifestua kundrejt Republikës franceze, popullit francez, mënyrës së tij të jetës dhe institucioneve të tij. Ishte një ngjarje që nuk ishte parë edhe pas 11 shtatorit të vitit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as dhe pas atentateve të Madridit në vitin 2004, apo të Londrës në vitin 2005.

Ne e dimë shumë mirë që ka ndofta prapamendime tek disa. Kishte sinjalizime se disa nga ata që erdhën për të manifestuar për lirinë e shtypit, bënin shumë pak për të në vendin e tyre.Megjithatë problemi nuk qëndron këtu. Ishte e vështirë, kur ne kemi marrëdhënie diplomatike me të gjithë këto vende, të thuhej që e meritonin të vinin apo që nuk e meritonin atë. Por do ishte e rëndësishme që të mos kishte vetëm kryetarë shtetesh perëndimorë, por dhe nga kontinente të tjera. Të jemi pra të ndërgjegjshëm për ekuivoket, por e gjitha kjo është bërë në emocion. Kriteri i seleksionimit midis mbrojtësve të vërtetë të lirisë, me ata që janë veçse përgjysëm dhe ata që nuk janë aspak ka qenë i vështirë për ta pëshkruar. Nëqoftëse jemi realistë, e mira ishte që mundësisht të kishte një numër sa më të madh të tyre.

Pas këtyre sulmeve mbi tokën franceze, a gjindet përgjigje në një “Patriot Act à la française”, i bazuar në modelin e ligjeve antiterroriste të marra nga administrata e Bushit pas 11 shtatorit?

Unë besoj se nuk duhet të cedojmë ndaj emocionit. Në Francë qysh prej vitit 1986, kemi pasur dhjetëra ligje anti terroriste. Ne sapo votuam në nëntorin e vitit të kaluar një ligj të ri antiterrorist, i cili parashikon sidomos ndalimin për t’u nisur jashtë vendit, apo për të hyrë në një territor në rastet kur vërtetohen dyshimet.

Që duhet përshtatur legjislacioni për gjendjen e kërcënimit, kjo është e sigurt. Por ne e dinim më parë se kishte një kërcënim, dhe që ky kërcënim është njëkohësisht i përhapur dhe i përhershëm. Sigurisht, nevojitet përshtatja me teknologjitë e reja. Në vitin 1986, nuk kishte të njëjtat problematika rreth internetit dhe ne duhej të përshtateshim me këtë. Por, ata që kërkojnë një “Patriot Act à la française” duhet të mendojnë për faktin që ky, midis të tjerave, përcaktonte kategorinë e luftëtarëve të huaj, të luftarëve të paligjshëm dhe se ky ka qenë paradhoma e Guantanamo-s, për të cilin mund të mendojmë se ky ka ushqyer më tepër terrorizmin, se sa e ka luftuar atë.
Unë besoj pra se nuk duhet sidomos të biem në greminë, të bëjmë ligje sipas rrethanave, as dhe të biem në propozime demagogjike.

Nëqoftëse sigurisht duhet me qenë patriot, nuk është me Patriot Acts à la française që do të zgjidhet problemi. Duhet ndofta të mendojmë më tepër në afat gjatë, se sa të bëjmë goditje komunikimi popullor, sepse popullata natyrisht do të jetë dakort me një forcim të legjislacionit, pa njohur gjëndjen e tij dhe impaktin aktual. Nuk duhet që të përdorim një ilaç që të jetë më i keq se e keqja. Duhet të jemi më shumë vigjilentë për informimin e koordinimin, se sa për legjislacionin. Në këtë fushë duhen bërë përpjekjet. Ky duhet të jetë prioriteti i prioriteteve.

s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button