Analiza

T-shirt, motorr dhe muskuj. Profesori që sfidoi BE-në

Screen Shot 2015-07-07 at 17.46.22

Po të lexosh portretet që kanë shkruajtur për të gazetat e gjysmës së botës, apo të dëgjosh komentet e shumë teknicienëve në Bruksel (dhe fjalët që këqia që thuhen për të edhe brenda Syrizas), ka qenë i gjithi faji i “egos”, i “arrogancës”, apo i “stilit”. Pra, Janis Varoufakis duhej të ikte për shkak të këmishave të tij. Ose më keq: për shkak të t-shirt-it të fundit, me shumë djersë dhe e shumëkomentuar, me të cilën u paraqit në skenë në Athinë, aty ku do të festonte “JO”-në e madhe në referendum. Në të vërtetë, fajin e ka patur gafa e fundit, e pafalshme: marrja e fjalës në shesh, me ton triumfalist, edhe përpara Alexis Tsiprasit, i cili priste me durim në zyrën e tij, për të dërguar një mesazh të matur dhe një thirrje për bashkim të kombit. Dhe kështu, hera e parë e Varoufakisit si ministër, do të jetë edhe e fundit. Dje në orën 7.30 të mëngjesit lajmëroi se e lë postin e tij.

HERO DHE MARTIR

E ka bërë në mënyrën e tij, në anglisht, me një pikëçuditëse, në blogun (“ e quajtur me modesti, Janis Varoufakis, mendime për botën e pas 2008-ës”), i cili ka shkaktuar aq shumë trazirë në Bruksel dhe siklet në Athinë: “Minister no more!”. Nuk jam më Ministër!

Nga shpjegimi që ai vetë ka ofruar del si hero dhe si martir i ingranazhit teknokratik europian, viktimë e flijuar në altarin e negociatave: “Pak momente pas shpalljes së rezultateve të referendumit, më informuan se anëtarë të ndryshëm të Eurogrupit dhe ‘partnerë’ të tyre do të preferonin një mungesë timen në mbledhje…. një ide që Kryeministri Tsipras e ka gjykuar potencialisht të dobishme për arritjen e një marrëveshjeje. Për këtë arsye largohem nga ministria e Financave”.

Jo vetëm eurokratët dhe shokët e tyre të FMN apo Bankës Qendrore Europiane (për të mos folur për vetë gjermanët), por edhe Tsiprasi dhe ndonjë shok brenda Syrizas do të ndiheshin të lehtësuar nga kjo dorëheqje. Sipas politologut grek, Elias Nikolakopoulos, “Tsiprasi dhe Varoufakisi kanë negociuar për të arritur një kompromis dhe për t’i lejuar Varoufakisit të bëjë këtë deklaratë që shpëton nderin e tij, por në të vërtetë Tsiprasi ishte i zemëruar, nuk duronte dot më, dhe mënyra se si ministri i tij u soll në mbrëmjen e rezultatit të referendumit, ka qenë pika që përmbysi vazon”.

Rrallëherë ka ndodhur që një politikan mashkull të vëzhgohet kaq shumë në fizikun dhe veshjet e tij. Por përtej këmishave, t-shirt-eve, çantës së shpinës, buzëqeshjes alla Bruce Uillis dhe pamjes prej Indiana Jones-it të Makroekonomisë, 53-vjeçari Varoufakis ka qenë, sipas asaj që thotë shumëkush, një prej ministrave më brilantë dhe të përgatitur që mund të ketë patur Greqia në krizë. DHe vështirë se Greqia mund të kish patur një më të moderuar me Syrizan në pushtet, një neoklasik me një besueshmëri akademike ndërkombëtare, një keinesian për nga formimi, i cili “herë pas here” i kthehet Maksit, siç thotë vetë.

Libri i tij më i shitur “Një propozim modest për të zgjidhur krizën e Euros”, në Francë mban parathënien e Michel Rocardit, jo të një komunisti revolucionar, por babait të të majtës socialdemokrate franceze. I lëvduar nga fituesi i çmimit Nobel, Joseph Stiglitz (“shumë pak ministra financash në botë, janë kaq të mirë në ekonomi”), Varoufakisi propozonte, disa vite më parë, që të rilançohej rritja ekonomike në Europë, përmes Bankës Europiane të Investimeve, një ide kjo që është rimarrë sot prej presidentit të Komisionit, Juncker.

GREKO-AUSTRALIAN

Greko-australian, me studime të kryera në Angli, matematicien me një pasion për statistikën, docent në Cambridge (që e la gjatë mandatit të tretë të Thatcherit), më pas mësues në Universitetin e Sydneyt, të Athinës dhe Austin në Texas. Ka punuar edhe për kolosin amerikan të lojërave elektronike, Valve, ku ka eksperimentuar në terren teorinë e lojës, shkenca matematike që studion se si të parashikosh veprimet e rivalëve dhe të marrësh vendimin më të mirë të mundshëm, në situata konflikti. Një shkencë që, megjithatë, nuk i vlejti në Bruksel.

Sigurisht, Varoufakisi nuk ka bërë shumë përpjekje për të krijuar imazhin e një politikani të arsyeshëm, as edhe për t’u përshtatur me kodet e sjelljes së mirë në negociatat e Brukselit. Dalja e fundit ishte në vigjilje të referendumit, kur i trajtoi kredidhënësit si “terroristë”: një hap drejt mosrikthimit në tryezën e çfarëdolloj negociate.

Ishte gjithmonë ai që shpalli, në mënyrë të njëanshme, “vdekjen” e Trojkës, ishte ai që lodhte Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të tjerët duke mbajtur leksione makroekonomie, në vend që të diskutonte programe reformash, ishte ai që u kujtonte, si një profesor i mirë, kolegëve të Eurogrupit, se”demokracia nuk është luks”.

Në 24 prill, gjatë një takimi të ministrave të Financës në Riga, ua solli në majë të hundës atyre që nuk po duronin më ariet e tij prej profesori. “Kush vjen të japë leksione, harron që është Athina që ka nevojë për ne, dhe jo e kundërta”, do të shfrynte një funksionar. Ai ia kthen, duke deklaruar se ka provat që nuk ka bërë asnjë figurë të keqe, duke patur parasysh që ai gjithmonë i rregjistronte mbledhjet. Një gjë e ndaluar që provokon fërkime të mëtejshëm. Edhe brenda Syrizas, një lëvizje radikale, shprehje e klasave popullore, konsiderohet si një i huaj. Ai dhe apartamenti i tij shumë i bukur, me pamje nga Partenoni, ku jeton me shoqen e re, artisten Danae Stratou. Bashkë me të, në prag të shpërthimit të krizës ekonomike, kishte bredhur globin, nga Kosova në Palestinë, për një reportazh fotografik. 

TERRACA

Varoufakisi ka shumë shpirtëra, tepër madje, për një ministër Financash i një vendi të falimentuar. Fotografitë në Paris Match, ku shfaqet i përqafuar me të dashurën, terraca e tij, në piano, në divanë, i prishin imazhin, edhe brenda partisë, megjithëse ka qenë deputeti me numrin më të madh të votave. “Janisi ka jetuar shumë jetë – ka thënë një mikeshë për Le Monde – është një burrë shumë kurioz, i cili nuk duron dot as mediokritetin, as mërzinë”. Po atëherë duhej të ishte menduar dy herë, përpara se të pranonte një detyrë që do e çonte në Bruksel për të negociuar, dhe për të kërkuar ndihma dhe kompromise.

“Cfarë tjetër mund të bëja, përveçse të jepja këtë leksion – u mbrojt pak kohë më parë. Nuk mund të mos shprehja mosaprovimin tim, për mënyrën si e ka menaxhuar krizën Europa. Duhej të bëja sikur isha qorr dhe shurdh, vetëm se askush nuk donte të më dëgjonte?”.

Il Messaggero – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button