Ekonomi

Ta lejojmë Greqinë të përfitojë nga përvoja gjermane

Sikundër ndodhi me Gjermaninë në vitin 1953, problemi kyç qëndron tek nevoja e Greqisë për lehtësimin e borxheve, edhe nëse nëse kjo e fundit mund të mos jetë e merituar

Nga Jeffrey Sachs

Versailles treaty signing

E vërteta e madhe, në lidhje me krizën e borxhit grek, është se kjo është një çmenduri e madhe. Greqia, përbën vetëm 2 përqind të ekonomisë së eurozonës dhe të popullsisë së BE-së. Kjo nuk do të thotë se Greqia duhet të shtyhet sa andej-këndej, e akoma më pak të nxirret jashtë eurozonës. Jo, kjo do të thotë të kundërtën: kriza duhet të zgjidhet dhe kryesisht sipas kushteve që ka aktualisht Greqia.
Problemi i një monedhe të përbashkët është se fara e dyshimit mund të shkatërrojë zonën ekonomike, nëse jo monedhën e përbashkët. Euro është e infektuar nga dyshimi: a do të qëndrojë Greqia? Nëse Greqia del, më pas do t’i takojë Portugalisë? Dhe në qoftë se këto 2 vende ikin, përse të mos ndodhë kështu me Spanjën, Italinë apo dhe ndonjë vend tjetër?
Dyshime të tilla, jo thjesht të acarojnë, ato bëjnë që kapitali të largohet dhe kjo nga ana e vet përforcon më tepër dyshimet që nxitën këto efekte.
Pak kohë më parë, pozicioni i pasigurtë i Greqisë në eurozonë çoi në një tërheqje të kapitaleve nga bankat greke. Mungesa e likuiditetit nga ana tjetër, e tërhoqi Greqinë në një tjetër krizë ekonomike gati fatale.
Ishte Banka Qëndore Evropiane, e drejtuar nga Mario Dragi, që për shkak se ishte më shumë aktive me politikat e saj arriti të shmangë katastrofën. Gjithësesi, kurrë më parë kriza ekonomike,nuk ka shkuar kaq thellë.
Disa paketa shpëtimi, kanë qenë thjeshtë vetëm pak më shumë sesa një arnim i shpejtë, në mënyrë që Greqia të mund të fitonte edhe disa muaj kohë. Çdokush që bën aritmetikën e borxhit grek (dhe në fakt ndonjëherë duket se në Berlin askush nuk e bën), e di se Athina nuk mund të paguajë borxhet e saj të jashtme, që aktualisht janë në nivelin e rreth 170 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pa një sakrificë të atillë që është thjesht përtej tolerancës së shoqërive demokratike.
Partia e së majtës “Syriza” nuk përbën asnjë anomali. Në prag të zgjedhjeve të së dielës, ajo është duke thënë të vërtetën financiare dhe politike, ndonëse ato mund të jenë të pakëndshme për politikanët në Berlin dhe Bruksel.
Pas traktatit të Versajës, 96 vite më parë, Xhon Mejnard Kejnesi na mësoi shumë me librin e tij “Pasojat ekonomikë të paqes”. “A do të mundin popujt e pakënaqur të Evropës, të jenë të gatshëm të punojnë edhe për brezin e ri që do të vijë, në mënyrë që të regullojnë jetën e tyre dhe që një pjesë të atyre që prodhojnë përditë ta vënë në dispozicion të pagimit të borxheve të jashtëm… që janë caktuar me një arsyetim të tillë, që nuk përputhet aspak me kuptimin që ata kanë për drejtësinë apo ndjenjën e detyrës?” – pyeste Kejnes.
Dhe përgjigja ishte: “Me pak fjalë, unë nuk besoj se ndonjë nga këto borxhe do të vazhdojnë të paguhet, në rastin më të mirë për më shumë se disa nga vitet e ardhshme. Këto borxhe nuk përputhen me natyrën e njeriut dhe nuk janë në të njëjtën linjë me frymën e epokës”. Sigurisht ai kishte të drejtë, por vetëm pas pak kohësh pllakosi fatkeqësia.
Sot, disa gjermanë këmbëngulin se borxhi mbetet borxh dhe se Greqia duhet ta paguajë atë plotësisht. Ata duhet ta dinë më mirë nga historia e tyre, duke filluar me lutjen e pasuksesshme të Kejnesit, për të ulur barrën e dëmshpërblimeve që duhej t’u paguante Gjermania vendeve fitimtarë të luftës.
Ata duhet të rikujtojnë lehtësimin që vendi i tyre pati përmes planit amerikan “Marshall” dhe marrëveshjes në Londrës: “Mbi borxhet gjermane” të vitit 1953. A e “meritonte” asokohe Gjermania atë lehtësim ?
Kjo nuk është një pyetje e drejtë. Pasi demokracia e re gjermane e kishte të nevojshme një lehtësim të tillë, vendi kishte nevojë për një fillim të ri. Falja e borxheve luajti një rol të madh në rimëkëmbjen ekonomike dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Falë Zotit, ne nuk ndodhemi në mesin e ndonjë drame të madhe që ofrojnë zgjidhjet e pasluftës. Evropa është e pasur, e begatë dhe demokratike. Megjithatë, bankat franceze dhe gjermane kanë dhënë shumë kredi për Greqinë një dekadë më parë, dhe “Goldman Sachs” ndihmoi manovrat e qeverive greke për fshehjen e bilanceve reale dhe rritjen e shpejtë të borxhit kombëtar.
Kreditorët privatë të Greqisë kanë pranuar tashmë një reduktim të thellë të borxhit, që ata kanë për të marrë. Sfida më e madhe – dhe që mund të zgjidhet shumë më lehtë – ka të bëjë me borxhin që Athina u detyrohet kreditorëve shtetërore, një shumë që është e madhe për Greqinë, por shumë e vogël për Europën.
A e “meriton” Greqia një lehtësim të borxhit? Politikanët grekë janë sjellë keq. Por po keq janë sjellë edhe politikanët gjermanë, francezë si dhe bankat e SHBA. Po kështu vepruan edhe shumë manjatë grekë, që e fshehën pasurinë e tyre jashtë vendit, për të shmangur autoritetet tatimore.
Kush “meriton” çfarë, mbetet një pyetje e vështirë. Megjithatë, si në rastin e Gjermanisë në vitin 1953, pyetja e duhur është nëse Greqia ka nevojë për lehtësimin e borxheve dhe nëse Gjermania e kreditorët e tjerë duhet ta mundësojnë atë. Sa për këtë përgjigja është mëse e qartë.
Eurozona po shkon ose drejt një marrëveshje konstruktive për lehtësimin e borxhit grek, ose drejt një përplasje politike me pasoja potencialisht shumë më të rënda për gjithë BE-në, sesa thjeshtë vetëm për Greqinë. Teknikisht, zgjidhja nuk duket të jetë e vështirë.
Borxhet e jashtëm të Greqisë duhet të ristrukturohen përmes dhënies së sa më shumë kredive afatgjata dhe me një normë interesi fikse dhe të ulët, të themi 0.5 përqind për 5 vitet e ardhshme, duke kaluar në 1 përqind nga viti 2020 e më tutje.
Në vend se të nxjerrin shifra të sakta por të pamundura për t’u shlyer në praktikë, disa llogari të thjeshta aritmetike të borxhit do të ndihmojnë për të identifikuar një trajektore reale për rimëkëmbjen e Greqisë.
Lehtësimi i borxheve nuk do të zgjidhë automatikisht problemet ekonomike të Greqisë, por sigurisht do të çelë rrugën drejt një zgjidhjeje. Zgjidhja e vërtetë kërkon punësimin e shumë të rinjve grekë, në mënyrë që të mund të hapen biznese të reja e të gjenden tregje të reja të eksportit.
Në një kohë që edhe për Evropën si një e tërë, të mund të nisë një rimëkëmbje e investimeve,të udhëhequra nga ndërtimi një infrastrukture të re dhe të mençur – infrastruktura evropianë të shekullit XXI-të – që nga ana e saj do të mundej për shembull të rrikthejë kohën e bukur mesdhetare greke, por edhe përdorimin e energjisë se erës, për të siguruar disa prej nevojave energjetike me një kosto më të ulët sesa karboni. Por hapi i parë është të ndalohet dhimbja./The Guardian/
a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button