Analiza

Tahrir, Takshim e Maidan: Kështu konsumohet iluzioni i shesheve

tahrirSheshet e të tjerëve e trondisin Perëndimin vetëm kur shërbejnë si skenë qendrore për emocionet jetëshkurtër të botës. Epopea e sheshit, e cila elektrizon për pak kohë dhe pastaj bie, ia lë vendin rutinës së një represioni të egër, por që realizohet në hije dhe në heshtje, pasi ulërimat e atyre që torturohen prej policive politike mbyten në qelitë e nëndheshme të regjimeve

Pierluigi Battista

Sigurisht, jemi me të rinjtë e Sheshit Tahrir në Kairo, me të rinjtë e Sheshit Takshim në Stamboll. Jemi me të rinjtë e Sheshit Maidan në Kiev. Jemi me të rinjtë e Sheshit Tiananmen në Pekin, plot 25 vjet më parë. Kur Muri i Berlinit ishte duke u shembur, në 1989, të gjithë u prekëm prej të riut kinez i cili pengonte me trupin e tij një tank, që të vazhdonte rrugën dhe aksionin kundër të rinjve që protestonin dhe që do të vriteshin në një banjë gjaku të paimagjinueshme. Por më pas, kur fiken prozhektorët e shesheve në revoltë, ndjenja e trishtimit zhduket.

Sheshet e të tjerëve e trondisin Perëndimin vetëm kur shërbejnë si skenë qendrore për emocionet jetëshkurtër të botës. Epopea e sheshit, e cila elektrizon për pak kohë dhe pastaj bie, ia lë vendin rutinës së një represioni të egër, por që realizohet në hije dhe në heshtje, pasi ulërimat e atyre që torturohen prej policive politike mbyten në qelitë e nëndheshme të regjimeve. Kush do të pyesë për fatin e protagonistëve të zhgënjyer të sheshit Tahrir, apo të shesheve libianë dhe tunizianë? Sheshi ideologjik i Nëntëqindës është fikur. Eshtë ndezur sheshi mediatik. Dhe sheshi ideologjik, në përpjekjen për t’u rigjallëruar, përpiqet të transformohet në shesh mediatik: si ata të “Occupy”, me maskat e tyre të gjitha të ngjashme përballë telekamerave.

Por sheshi mediatik zgjat aq sa një lidhje direkte televizive. E gjithë bota e pa e lebetitur ushtrinë që mbyste me gjak të rinjtë që kërkonin liri në Kinën e 1989-ës. Por më pas, askush nuk u interesua për mizoritë që regjimi i Pekinit kreu në vitet që pasuan. Kush pyet më se ku shkuan librat e ndaluar, shkrimtarët e përndjekur, disidentët e burgosur dhe vrarë, popullsitë e dëbuara, Tibeti i martirizuar, abortet selektivë të kryer me dhunë dhe ajo politikë e egër e kontrollit të lindjeve e imponuar nga partia dhe që e ka rrëfyer aq mjeshtërisht Mo Yan?

E njëjta gjë për Sheshin Tahrir. Sa emocionuese, sa e fuqishme ishte estetikisht ajo skenë e “pranverave arabe”, të gjithë ata të rinj që grumbulloheshin të zemëruar por duke festuar, teksa kërkonin fundin e regjimit të faraonit Mubarak. Më pas, u mbyll sipari i atij spektakli magjepsës. Ngjyrat u zbehën, fytyrat e shtrembëruara dhe të ngazëllyera të të rinjve nuk kërkuan më vëmendjen patologjike të telekamerave. Tabelat u futën në magazina. Flamujt nisën të grisen, të mbyllen në sirtarë. Nuk u valëvitën më kurrë si në festën e madhe demokratike të muajve paraardhës.

Simptomat e para të normalizimit u ndien shumë shpejt: të rinjtë laikë, të cilëve nuk u lejohej më të flisnin nga podiumet e ngritur në qoshet e sheshit. Vajzat e rrëmbyera brutalisht nga fanatikët integralistë, deri në pikën që fshiheshin brenda turmës dhe i nënshtroheshin testit të virgjërisë. Mesjeta e re pra, dhe jo revoltat galvanizuese të epokës së Twitterit.

Më pas, seria e fakteve dhe zhgënjimeve që i dhanë fund çdo lloj fantazie të “pranverës arabe”: Vëllazëria Myslimane në pushtet, e gatshme të vendosë menjëherë një regjim obskurantist, të dënojë me vdekje “të pafetë” dhe “blasfemuesit”: grushti i shtetit i gjeneralëve që do të ringrejë në këmbë ancien regime, duke larguar makthin e një diktature integraliste, por edhe duke shuar çdo shpresë për demokraci.

Por në këtë pikë, vëmendja dhe magjepsja e opinionit publik ndërkombëtar ishin venitur tashmë. Ikën pamjet e një sheshi të mbushur me njerëz dhe tinguj, me fytyra të buzëqeshura, me të rinj luftarakë. Vetëm indiferencë. Madje, shpresa që gjeneralët do të mund të rivendosnin në vijë një Egjipt që, në fund të fundit, e duam autoritar, antidemokratik, garantues, të qëndrueshëm, dhe jo të dobët përballë thirrjeve të obskurantizmit fondamentalist.

E kritikojmë publikun se është bërë skllav i televizionit. Por ne, që imagjinojmë se jemi të sofistikuar, mendjehollë, superiorë ndaj vulgaritetit të kohës, jemi bijtë më besnikë të televizionit: jemi të prirur të mendojmë që gjërat kanë një substancë reale, vetëm nëse kanë një përfaqësim televiziv. Vetëm në një botë të dominuar nga dukja televizive, dikush ka mundur të imagjinojë që në 11 shtator 2001, asnjë avion nuk u përplas në Pentagon duke provokuar vdekjen “shumë reale” të shumë njerëzve: ngjarja katastrofike nuk ishte transmetuar në televizion, kështu që edhe mund të mos kishte ndodhur, ndryshe nga shkatërrimi i Kullave Binjake në Nju Jork, që edhe ato e ndezën pak marrëzinë e negacionistëve, por asnjëherë deri në pikën që të kundërshtonin që një fakt, pra rrëzimi i qiellgërvishtësve dhe vdekja e mijëra njerëzve, kishte ndodhur vërtetë.

Po kështu për regjimet shtypës: kush ka informacion për diskriminimin e përditshëm të cilit i nënshtrohen gratë në Arabinë Saudite apo në Pakistan? Kush është vërtetë i interesuar për gjërat e pahijshme që ndodhin në burgjet e tmerrshëm kubanë të Fidel Kastros? Nëse nuk është sheshi dhe televizioni, që bëjnë që për pak sekonda këta regjime të hyjnë në shtëpitë tona, asnjë çikë vëmendje nuk është e mundur. Dhe në fakt, duhet thënë se sheshet e revoltës janë gjithmonë të përsosur nga pikëpamja koreografike. Dhe duke ditur që është e pamundur që çdo herë, një ekip koreografësh i futet punës për të organizuar deri në detaje atë spektakël joshës, atëherë e vetmja përgjigje e mundshme është që imazhi spektakolar i politikës ka hyrë kaq shumë në nënvetëdijen e botës, saqë vetë riprodhohet, spontanisht, në përfaqësime të ngjashëm dhe të përsosur teknikisht.

Ne kujtojmë nga Kievi një telekamerë të fiksuar që rregjistronte për ne spektaklin tragjik dhe magjepsës njëherësh të mijëra dritave në sheshin Majdan: shpërthimet e papritur, fishekzjarret, dritat, zjarri i barrikadave, zjarret në vendfushime. Po kështu sheshi i Kairos, me gjithë ata flamuj, atë lëvizje të vazhdueshme. Nuk mund të mendojmë që krejt papritur, gjithë ajo lëvizje e ethshme të ngurtësohet. Vlera emocionale e sheshit mediatik nuk lejon përshtatje mediokre, dhe e konsideron normalitetin si një zbaticë poshtëruese, një tërheqje e flamujve pa frymëzim dhe pa madhështi.

Në fund, Tolstoi nuk e kishte dhe aq gabim kur vendosi t’i vendosë fjalën Fund Luftës dhe Paqes, sepse protagonistët (përveç të vdekurve) gjejnë rehati në jetën bashkëshortore: çfarë ka për t’u rrëfyer në normalitetin martesor, çfarë ka për t’u rrëfyer për një shesh që boshatiset në mënyrë të trishtë? Vetëm se një roman mund të mbyllet, por një regjim shtypës jo, ai vazhdon veprimet e tij të ligj larg prej vëmendjes tashmë të zvogëluar të botës. Kjo e shpjegon hendekun e trishtueshëm mes indiferencës së botës ndaj shkeljes së të drejtave të njeriut, dhe interesit të papritur të saj për revoltat në sheshe.

Mund të prekemi prej fatit të të rinjve të masakruar në sheshin Tiananmen, por nëse dikush do të sillte në vëmendjen publike shifrat e larta të represionit që ndodh përditë në Kinë, përgjithësisht këto do të priteshin njësoj si pritet një lajm për një prishës të qetësisë publike. Vëmendja bie edhe kur gjërat përmirësohen, si në Ukrainë, ku forcat demokratike fituan zgjedhjet duke vlerësuar kandidatët që i kundërvihen më shumë arrogancës së Putinit.

Por forca e sheshit e ndryshon perceptimin. Sa herë kemi dëgjuar filoputinianët të na thonë se në sheshin e Kievit, ishin të përzierë, në mënyrë hegjemoniste, nazistët dhe që duhej të bënim kujdes kur lartësonim bukurinë e sheshit, sepse orkestra nuk dirigjohej nga të rinjtë e çarmatosur, por nga grupe të tmerrshëm militarë, nostalgjikë të Hitlerit? Ja, në zgjedhje neonazistët për fat të mirë as nuk e kaluan pragun e 1 përqindëshit. Një pakicë e papërfillshme: e tmerrshme, por e papërfillshme. Sepse sheshi favorizon pakicat më të mëdha në numër dhe shumicat sasiore as nuk zbresin në ata sheshe.

Por ky konstatim i dukshëm dhe i thjeshtë errësohet prej magjepsjes që ndiejmë për sheshet e mbushur me ngjyra dhe tinguj. Sheshi prish rendin e përditshmërisë, i jep një atmosferë të jashtëzakonshme dhe dramatike ngjarjeve. Ndërsa normaliteti është i zhytur në rutinë dhe ne ndihemi të autorizuar të motivojmë mosinteresimin tonë, me vuajtjen për përditshmërinë pa madhështi. Por nga pikëvështrimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut kjo vëmendje me dënesë, kjo varësi e emocioneve tanë nga ritmet e pasigurtë të sheshit mediatik përfaqëson një dramë. Por edhe sigurinë që, ata që ndodhen nën thembrën e regjimeve shtypës nuk do të kenë aspak solidaritet nga ana e popujve “të lirë”, asnjë dëshirë për të thyer prangat e diktaturave.

Ky është mësimi i Sheshit Tahrir dhe Sheshit Tiananmen. Me prozhektorë të fikur, dhe në heshtje, për ata të rinj bujarë dhe rebelë nuk do të ketë aspak shpëtim. /Corriere della Sera/

Pershtatur ne shqip nga bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button