
Nga Molly Jong-Fast
Jeffrey Epstein, siç u bë e qartë sërish me publikimin e fundit të dosjeve nga Departamenti i Drejtësisë, do të mbetet në histori si ndoshta “zamka” sociale më i suksesshëm i këtij shekulli. Ai njihte pothuajse këdo; duke përmendur emra të rëndësishëm, duke tregtuar favore, duke trafikuar për seks dhe ndoshta duke shantazhuar, u ngjit drejt majave më të larta.
Duket se vetëm Vladimir Putini ishte i paarritshëm prej sharmit të tij mefistofelian.
Shumë nga njerëzit që rezultuan se e njihnin mirë, më parë kishin pretenduar se e njihnin fare pak, dhe të gjithë tani po pohojnë se sigurisht nuk e njihnin mjaftueshëm sa për të qenë dëshmitarë të pedofilisë. Tani ata janë të turpëruar nga lidhja e tyre, dhe shpeshherë, pa punë.
Shumë njerëz i qëndruan pranë edhe pasi shkoi në burg në vitin 2008 në Florida për krime seksuale, dhe në disa raste edhe pasi përfundoi sërish në burg në vitin 2019, me akuza për trafik seksual. Atëherë, fati i viktimave shpesh dukej si diçka dytësore. Kjo ka shumë të ngjarë sepse çfarëdo që ata kishin marrë prej tij në të kaluarën, qasje te njerëz që i ndihmonin në karrierë, qasje te vajza të reja dhe një furnizim i pafund me dhurata falas, mund të ishte ende në ofertë. Kjo është natyra e dosjeve Epstein: Është regjistri i asaj që një klasë globale njerëzish shumë të privilegjuar, të realizuar dhe me shumë vetëvlerësim, duan që t’u dhurohet.
Ndonjëherë ishte një çantë Prada. Herë të tjera ishte një fluturim me avionin e zotit Epstein, ose një fundjavë në ishullin e tij. Ndonjëherë ishte një donacion për një bamirësi ose shkollë. Ose një punë për fëmijën e tyre në një film të Woody Allen, apo një rrugë e shkurtër për fëmijën e vetë zotit Allen për t’u futur në Bard. Ndonjëherë ishte një “bionde e gjatë suedeze”. Herë të tjera ishte një grua e re që mund të ishte “pak e trembur nga diferenca në moshë”.
Duke shkruar mbi një grup të mëparshëm email-esh në The Times, Anand Giridharadas pyeti: “Si arriti zoti Epstein të afronte aq shumë të panjohur? Email-et zbulojnë një ekonomi shkëmbimi të informacioneve jopublike që ishte një tërheqje e madhe. Kjo nuk është një botë ku ti sjell një shishe verë për darkë.”
Informacioni i brendshëm nuk ishte gjëja e vetme që Epstein kishte në dorë. Fotografia e ofruar nga dosjet e fundit tregon se si Epstein fitonte favore dhe miqësi duke vepruar si një lloj “super-shërbyesi”. Ndonjëherë kjo nënkuptonte dërgimin e helikopterit për të marrë të ftuarit, siç u ofrua të bënte për Elon Musk në një email të vitit 2012, duke shkruar: “Sa veta do të jeni për helikopterin drejt ishullit?” Në një rast tjetër, Musk pyet shërbyesin e tij Epstein: “A ke ndonjë festë të planifikuar?”
Epstein ofroi udhëtime me avionë privatë, praktika pune (internshipe), Apple Watch, çanta Hermès, xhupa me zinxhir ekstra të mëdhenj (këta i shkuan Steve Bannon), pothuajse 10,000 dollarë vlerë mbathje dhe bluza (Woody Allen) dhe një triko kashmiri XXL (Noam Chomsky). Dhe pastaj është ylli i Substack-ut, Michael Wolff, i cili është kudo në dosjet Epstein: “Këpucët janë shumë të bukura. Faleminderit.”
Ka mënyra të shumta për t’u dukur budalla dhe i pështirë në dosjet Epstein, më e keqja prej të cilave janë padyshim email-et si ai që Peter Attia i shkroi Epsteinit në vitin 2016, tetë vjet pasi Epstein ishte regjistruar si kriminel seksual: “P*rdha është, me të vërtetë, me pak karbohidrate. Ende po pres rezultatet për përmbajtjen e glutenit, gjithsesi.” Të gjithë e kanë parë me siguri deri tani foton e dikurshme të Princit Andrew me krahun rreth 17-vjeçares Virginia Giuffre. Ekziston edhe një foto e Bill Clintonit në një vaskë me ujë të ngrohtë.
Ka email-e të tjerë, në dukje më të parëndësishme, që janë po aq diskretitues, sepse tregojnë një botë ku është në rregull të sjellësh fëmijët e tu në ishullin e një krimineli seksual. Në vitin 2012, gruaja e Sekretarit të Tregtisë Howard Lutnick i shkroi asistentes së Epstein, Lesley Groff: “Do të vijmë nga Caneel Bay në mëngjes,” duke sjellë “dy familje, secila me katër fëmijë të moshave nga 7-16 vjeç! Gjashtë djem dhe dy vajza. Shpresoj të jetë ok.” Më vonë, Lutnick gënjeu për lidhjen e tij me Epsteinin, duke thënë se ishte aq i “pështirosur” nga Epsteini në 2005-ën, saqë nuk kishte më kontakte. Në vitin 2017, Epstein dhuroi 50,000 dollarë në nder të Lutnickut për një organizatë të panjohur.
Shumë prej email-eve tregojnë një botë që përfshin një formë të rritjes së statusit përmes ndërmjetësimit. Epstein përdori miqtë e tij të Hollivudit (Allen dhe Brett Ratner, regjisorin e ardhshëm të dokumentarit “Melania”) për të joshur miqtë e tij të pasur e të zgjuar, por jo magjepsës. Një fluturim falas me avion për një person me status të lartë (ndoshta edhe një anëtar oborri mbretëror), i cili përndryshe nuk ka qasje në një avion privat, bën punë të madhe.
Në vitin 2016, Brad Karp, kryetari i Paul Weiss, firma ligjore më prestigjioze në Nju Jork dhe një nga të parat që arriti marrëveshje me administratën Trump, i shkroi Epsteinit: “A mund të diskutoj një çështje personale me ty në lidhje me djalin tim David?” Ai vazhdoi: “Ai do të dëshironte shumë të punonte, në çfarëdo cilësie, me Woody-n në projektin e tij të ardhshëm filmik, nëse kjo është e mundur. Sigurisht, ai nuk ka nevojë të paguhet dhe është një djalë vërtet i mirë dhe i talentuar.” Një prind që i kërkon një miku një punë për fëmijën e tij vështirë se është e paligjshme. Por është interesante që firma ligjore e Karp ishte një nga të parat që bëri një marrëveshje me administratën e një personi tjetër, që shfaqet mijëra herë në dosjet Epstein, Donald Trumpit.
Dhe çfarë ka të bëjë zoti Trump me këtë? Ai kishte premtuar të pastronte Amerikën pikërisht nga ai lloj i elitës globale vetëshërbyese, në mes të së cilës ishte Epstein. “Askush nuk e njeh sistemin më mirë se unë, prandaj unë i vetëm mund ta rregulloj atë,” tha Trump në fjalimin e tij të vitit 2016 duke pranuar kandidimin republikan. Ishte një mesazh që pati jehonë, dhe kur e shikon fjalimin përsëri siç bëra unë para disa ditësh, entuziazmi i turmës është mbresëlënës. Më në fund, po i tregonte popullit amerikan sekretin e tmerrshëm se pavarësisht sa fort punonte dikush, pavarësisht sa i zgjuar ishte, nuk kishte asnjë mënyrë për të ecur përpara në Amerikën e vitit 2016. Nuk ishte faji i tyre. Ishte faji i elitave. Rreth kësaj kohe, ne pamë rritjen e QAnon, një teori konspirative që pretendonte se një rrjet trafikimi seksual po drejtohej nga elitat, nga bodrumi joekzistent i një dyqani picash.
QAnon na dukej teori e çmendur neve të tjerëve në atë kohë, dhe është ende e çmendur, por dosjet Epstein tregojnë se ajo dosje kishte paralele në realitet.
Ka shumë sekrete të tmerrshme të varrosura në dosjet Epstein, të cilat përziejnë të rëndomtën dhe tmerrin, etjen për vëmendje dhe krimin, dhe ndoshta kjo është pjesa më shqetësuese e gjithë kësaj. Të mbështjella rastësisht së bashku me një fjongo janë burrat e “anuluar”, trafikimi seksual dhe këshillat mediatike nga Michael Wolff. Të qenit një kriminel seksual i dënuar nuk e bëri Epsteinin një personazh të dëbuar, jo kur ai dukej se kishte ende diçka për të ofruar. Amoraliteti i tij transaksional në fakt dukej se ia shtonte tërheqjen njerëzve që ishin të bindur se rregullat nuk vlenin për ta. / The New York Times – Bota.al



