Horizonti.al

Tani e thotë edhe shkenca: Do të jemi të pavdekshëm?

Të jetosh përgjithmonë, falë teknologjisë. “Babai” i Inteligjencës Artificiale (IA) shpjegon vizionin e tij për të ardhmen. Dhe rrëzon vetë konceptin e vdekshmërisë

Screen Shot 2015-05-26 at 09.46.22

Zhvillimi teknologjik do të revolucionarizojë shumë shpejt konceptin e vdekshmërisë dhe vetë natyrën e qenieve njerëzore. Shpikësi, shkrimtari, informaticieni dhe babai i Inteligjencës Artificiale (IA), Raymond Kurzveil, ua ka shpjeguar studentëve të Singularity University, në zemër të Silicon valleyt, në Kaliforni. Në një të ardhme jo shumë të largët, sipas shkencëtarit amerikan, njeriu dhe makinat digjitale do të shkrihen në një, për t’i dhënë jetë një tjetër krijese, edhe më të përsosur, dhe mbi të gjitha të përjetshme. Eshtë ky, në sintezë, mendimi i Drejtorit aktual të Projektimit në Google, i cili ka “zbritur” në kompaninë kaliforniane në fund të vitit 2012. Një teori tërheqëse, për shumëkënd alarmante, që Kurzveili ka nisur ta zhvillojë në vitin 2005, kur shkroi atë që tashmë mund të konsiderohet një bestseller: “The singularity is near”. Libri u pasua nga një film në vitin 2010: “The singularity is near: a true story about the future” (Singulariteti është pranë:

Një histori e vërtetë për të ardhmen). Mesazhi është i thjeshtë: shumë shpejt, makinat do të jenë më inteligjente se sa njerëzit, të cilët, falë tyre, mund të bëhen të pavdekshëm.

Bota e kopjeve
Skenari i parashtruar prej guru-së së Google, është në disa drejtime, i ngjashëm me atë që përshkruan filmi i Jonathan Mostov, “Bota e kopjeve” (2009). Praktikisht, thotë Kurzveil, mund të kemi “trupa jobiologjikë, të realizueshëm falë nanoteknologjive, apo edhe trupa virtualë si dhe një realitet virtual, po aq realist sa ai i vërteti”. Sigurisht, njeriu ka nevojë për një trup: “INteligjenca jonë vërtitet përreth një trupi, por jo domosdoshmërisht atij biologjik, i cili është i brishtë dhe i prekshëm nga gjithfarësoj defekti. Mund të zgjedhim të ndryshëm, të ndryshojmë atë origjinalin përmes realitetit virtual. Do të shndërrohej në një zakon, pak a shumë ashtu si ndodh tani me ‘Second life’. Janë të shumtë përdoruesit që fillojnë të identifikohen me avatarin e tyre”.

2045: IA do të parakalojë inteligjencën njerëzore
Në Singularity Universty, organizatë e themeluar nga vetë Kurzveil, prej kohës debatohet për këtë temë. Janë me mijëra pyetjet që trazojnë ndërgjegjen tonë. Mbi këto pikëpyetje duhet arsyetuar, me qëllim që të mësojmë të bindemi sa më shpejtë të jetë e mundur.
Sipas Kurzveilit, shumë shpejt kompjuterët do të jenë në gjendje të kuptojnë gjuhën tonë, me aftësinë për ta vendosur atë në kontekst. Nuk është e gjitha: do të jenë në gjendje të mësojnë nga eksperienca, të bëjnë shaka me ne, e madje të na tregojnë histori. Në thelb, mund të kryejnë të gjithë ato që bëjnë qeniet njerëzore, por edhe më mirë. Që në vitin 2029, mendohet që një kompjuter mund të kalojë testin e Turingut, i cili vlerëson aftësinë e një makine për të patur një sjellje inteligjente, të barazvlefshme apo të padallueshme nga ajo e një personi.

Linja evolutive do të vazhdojë të rritet në mënyrë eksponenciale, deri kur të mbërrijë në pikën që Kurzveil e quan “singulariteti”. Nga ai moment, inteligjenca e kompjuterit do e parakalojë atë të njeriut, duke përcaktuar kështu një ndryshim radikal në jetën e të gjithëve ne. Në librin “Singulariteti është pranë”, Kurzveil parashikon që do të ndodhë diku rreth vitit 2045, datë në të cilën do të ekzistojnë robotë të pavdekshëm dhe superinteligjentë, ashtu sikurse edhe mundësia për të krijuar inteligjencë biologjike përmes vetë robotëve.

Drejt transhumanizmit
Me rastin e konferencës kushtuar ndryshimeve që do i ndodhin planetit tonë deri në vitin 2045, e mbështetur fort nga miliarderi rus, Dmitry Itskov, Kurzveil ka imagjinuar një të nesërme në të cilën njerëzit mund të kryejnë “ngarkimin” e trurit të tyre në kompjutera të posaçëm, duke u bërë kështu të pavdekshëm. Gjëja më mbresëlënëse, megjithatë, është se duhen edhe pak më shumë se tridhjetë vite që skenari të realizohet: “Sipas disa vlerësimeve që lidhen me sasinë e informacioneve të nevojshme për simulimin e trurit të njeriut – shpjegon menaxheri i Google – kapaciteti i inteligjencës sonë do të rritet një miliard herë”. Në librin e tij më të famshëm, “singulariteti” përshkruhet si “pavdekshmëria digjitale”, duke qenë se falë inxhinierisë neurale, bio-inxhinierisë dhe progresit që do të bëhet në sintetizimin e trurit të njeriut, inteligjencat tonë do të mund të “digjitalizohen” në tërësinë e tyre, duke u “magazinuar” kështu përgjithmonë. Ndryshime të pakthyeshëm

Singulariteti i Kurzveilit përshkruan një të ardhme në të cilën teknologjitë do të zgjerohen në mënyrë eksponenciale. Impakti i këtyre ndryshimeve do të transformojë në mënyrëtë pakthyeshme vetë jetën. Nuk bëhet fjalë për një çështje utopike apo antiutopike, por singulariteti do të ndryshojë në mënyrë radikale konceptet mbi të cilët është ngritur kuptimi i jetëve tona, i modeleve të biznesit dhe ciklit të jetës njerëzore, duke përfshirë vdekjen. Perceptimet e të kaluarës dhe të ardhmes tonë do të ndryshojnë rrënjësisht. Kurzveili, në krye të departamentit të inxhinierisë në Google ka shpjeguar se kompania amerikane “ka projektuar automobilë që nuk kanë nevojë për shofer, celularë në gjendje t’u përgjigjen pyetjeve zanore. Ne sillemi sikur këto teknologji të kenë qenë aty gjithmonë, por në fakt jemi përballë një përshpejtimi të dukshëm teknologjik, dhe Google është pionieri i zhvillimit”.

Kompania e Larry Page dhe Sergey Brin, e ka punësuar futuristin pikërisht për ta çuar “Google drejt kuptimit të gjuhës natyrore”. Nuk është rastësi që kompania ka kryer blerje të mëdha teknologjish ekzistuese, me qëllimin për të realizuar laboratorin më të madh të inteligjencës artificiale në planet. Qenie gjithnjë e më pak biologjike

Pikërisht temës së zhvillimeve të ardhshëm të riprodhimit informatik të njeriut, Kurzveili i ka dedikuar librine tij të ri “Fantastic Voyage”, që është një udhëtim fantazi drejt singularitetit. “Do të jemi gjithnjë e më shumë qenie jo biologjike, deri kur pjesa jonë jobiologjike do të jetë dominuese dhe ajo biologjike do të bëhet gjithnjë e më pak e rëndësishme”, ka shpjeguar Kurzveili gjatë kongresit njujorkez, duke shtuar se “pjesa jonë robotike do të jetë kaq e fuqishme, saqë do të jetë në gjendje të modelojë dhe kuptojë tërësisht atë biologjike. Nëse kjo e fundit do të zhdukej fare, nuk do të kishte asnjë ndryshim”.
Në të ardhmen, identiteti ynë digjital nuk do të kufizohet më të jetë një imazh i vogël në brendësi të një mjedisi të simuluar. Përkundrazi, trupi ynë virtual do të jetë një zgjatim i atij të vërtetit. Do të jetë sikur të jemi tërësisht të zhytur në mjedisin virtual, duke mos mundur të bëjmë më dallimin mes të vërtetës dhe ismulimit, aq realist do të jetë ky i fundit. Do të jetë e mundur të ndryshojmë me shpejtësi trupin, ashtu sikurse mund të ndryshohet mjedisi. Duke arritur kështu, sipas Kurzveilit, drejt një pavdekësie digjitale në të cilën mund të eksplorojmë “mjedise të pafundëm virtualë, që do të mundësojnë zgjerimin e trurit tonë”. Voyager-Bota.al

Screen Shot 2015-05-26 at 09.46.29

Leave a Reply

Back to top button