Magazine

Të bësh famë në botë, krenari apo humbje për vendin tonë?

Kemi kaq shumë raste të shqiptarëve që kanë bërë famë botërore dhe padiskutim krenohemi me ta. Është e pashmangshme të mos ndihemi mirë, teksa shohim Rita Orën, Dua Lipën, Albert Stanaj apo shumë të tjerë që kanë arritur sukses nëpër botë.

Por nëse e mendojmë mirë këtë problem, është vërtet kaq e cekët kjo çështje? Vërtet ka të bëjë vetëm me krenarinë dhe kaq mjafton?

Së pari, këta artistë normalisht kanë synuar famën në perëndim, por me të kanë nxjerrë në pah edhe humbjen e vendit tonë. Pra, është vendi ynë që nuk i siguron atyre famën dhe suksesin e mjaftueshëm që ata të qëndronin këtu e të mos largoheshin.

Së dyti, duke u larguar, ata shpalosin talentin e tyre në një vend tjetër që nuk është vendi i tyre. Pra, për Shqipërinë tonë kjo është një humbje e dyfishtë, sepse po i ikën rinia, potenciali i avancimit dhe i progresit të kësaj shoqërie.

Disa ditë më parë isha në një konferencë mjekësore ku figura të shquara të mjekësisë shqiptare dhe të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, krenoheshin duke shprehur që shumë mjekë shqiptarë po i kërkon tregu gjerman i punës. Kjo është një gënjeshtër e madhe, sepse vërtet Gjermania ka nevojë për specialistë në fushën e mjekësisë, por askujt nuk i ka bërë ofertë. Kanë qenë vetë mjekët, sidomos ata të rinj e të sapodiplomuar, që i janë “me kokë” kursit të gjermanishtes dhe kanë aplikuar për punë në Gjermani. Dhe nuk e kuptoj se si mund të ndihemi krenarë, kur në këtë rast, ne po humbasim mjekët e rinj. Aq e vërtetë është kjo, saqë vjet mezi u mbushën vendet e specializimeve, sepse mjekët e rinj janë larguar nga vendi. Por imagjinoni pak që për disa vite, ne mund të mos kemi mjekë specializantë. Mund të sëmuremi nga diçka dhe të detyrohemi të shkojmë jashtë, sepse vendi ynë nuk po ofron potencialet e duhura për progresimin e të rinjve. Dhe kjo gjë dhemb, dhemb të mendosh që e ardhmja do të ketë një numër të reduktuar të rinjsh në vendin tonë, sepse shumica do të jenë shpërndarë nëpër botë për një jetë më të mirë.

Dhe ashtu sikurse çdo gjë që po ecën për mbrapsht tek ne, askush nuk po ndihet. Më mrë, le të vazhdojmë me parimin e përhershëm. Le të krenohemi sot dhe të vuajmë nesër, meqë ne jemi mësuar që gjërat t’i shohim vetëm për sot, sepse të nesërmes “nuk i dihet”, kur nesër do të jemi ne ose pasardhësit tanë që do vuajnë nga problemet e sotme… / endri hoxhaj / bota.al

Leave a Reply

Back to top button