Analiza

“Të fitosh zemrat dhe mendjet e njerëzve”

Themelohet Instituti Shqiptar i Diplomacisë Publike

Screen Shot 2014-11-28 at 9.13.50 AMNë ditën e pavarësisë, në Nëntorin që bashkon shqiptarët anekënd globit, themelohet “Instituti për Diplomaci Publike dhe Komunikim Strategjik (IDPKS). Instituti, i pari i këtij lloji në Shqipëri, synon përmirësimin e imazhit të Shqipërisë, promovimin e një bashkëpunimi të frytshëm mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, Shqipërisë dhe Europës, dhe më gjerë.

Bota.al bisedoi me studiuesin Xhafer Rakipllari, themeluesin e Institutit. Ai është profesionist i komunikimit dhe i diplomacisë publike dhe në këtë nismë do të ndihmohet edhe nga një bord këshillimor i përbërë nga personalitete të huaj të kësaj fushe.

Që në fillim të shekullit të 21-të, ngjarje të rëndësishme globale si sulmi terrorist i 11 Shtatorit apo kriza financiare globale, kanë tregur se ‘fuqia e fortë’ (hard power), e cila përqëndrohet në fuqinë ushtarake të një kombi, aftësitë ekonomike dhe ndikimin diplomatik zyrtar, ka kufizimet e saj.

Sipas Rakipllarit, “tanimë bashkësia ndërkombëtare është ndërgjegjësuar për rëndësinë e diplomacisë publike, e cila mbështetet në nismat e ‘fuqisë së butë’ (soft power). Por nëse vende të mëdha e të vogla po angazhohen seriozisht në diplomaci publike për të pushtuar zemrat dhe mendjet e njerëzve me vlerat e tyre më të mira, Shqipëria ka ngelur në vend numëro. Ndaj edhe lindi nevoja për të themeluar IDPKS-në”.

Ai sqaron më tej se “ka përfunduar koha kur çështjet parashtroheshin vetëm nëpërmjet qeverive. Është koha e diplomacisë publike, ku shteti promovon vlerat e veta te publiku i kombeve të tjera, jo vetëm nëpërmjet aktorëve qeveritarë, por edhe përmes organizatave jo-qeveritare, veprimtarive shkencore, ekonomike, kulturore, sportive etj”.

“Një pjesë e madhe e të huajve i njohin shqiptarët më mirë përmes Nënë Terezës, Ismail Kadaresë, Eliza Dushkut, James Belushit, Majlinda Kelmendit, Rita Orës, etj., se sa nëpërmjet aktivitetit diplomatik të Republikës së Shqipërisë”, thekson Rakipllari. Ai përmend rastin e tenistit Novak Djokovic, i cili po shfrytëzohet më së miri për të kuruar imazhin e Serbisë. “Kemi nevojë që edhe ne t’i përpunojmë më mirë kësisoj margaritarësh që diplomacia jonë publike të përçojë gjallërisht intelekt, freski e sukses shqiptar në mbarë globin”, vë në dukje ai.

Të ngacmuar nga rasti i tenistit serb, e pyetëm studiuesin Rakipllari edhe për ngjarjet e 14 tetorit në stadiumin e Partizanit në Beograd ku Shqipërua u dhunua dhe dënua. Kjo sipas tij ndodhi pasi “në epokën e informimit nuk shtrohet më çështja se cila palë ka të drejtë, por se cila ngjarje është treguar më së miri. Serbët u treguan më të zotë për të mbrojtur versionin e tyre të ngjarjes”.

Sipas Rakipllarit, i cili ka një eksperiencë të vyer studimore në disa vende europiane, Shqipëria ka një problem serioz imazhi. “Së pari, kjo ka ardhur si pasojë e faktit se prej më shumë se një shekulli, ‘rivalët’ tanë kanë investuar mjaftueshëm në vjelljen e vrerit për Shqipërinë pasi e konsideronin Shqipërinë si rival gjeo-politik, gjeoekonomik, por dhe në rrafshin e interesave etnike, etno-kulturore dhe etno-religjioze. Steriotipet që vinin të bartura nga trashëgimia historike dhe mosmarrëveshjet mes Shqipërisë dhe vendeve të rajonit na kanë gjetur përherë në pozita inferioriteti. Së dyti, në periudhën e tranzicionit shqiptarët nuk kanë arritur të përçojnë vlerat më të mira të tyre në vendet ku jetojnë e punojnë. Themelimi i Institutit, përmes komunikimit dhe besueshmërisë, si instrumente të ‘fuqisë së butë’, synon të luftojë ‘sindromin anti-shqiptar’ dhe të shërbejë si urë komunikimi për të fituar besimin e popujve të tjerë dhe përmirësuar imazhin e vendit”, shprehet Rakipllari.

Ai sqaron se ndër objektivat e Institutit, do të jetë hedhja e themeleve të literaturës për diplomacinë publike në Shqipëri përmes kërkimit shkencor dhe përkthimeve të autorëve më të zëshëm në këtë fushë. Përmes punës teorike dhe praktike, IDPKS-ja synon të shndërrohet në një platformë që do të promovojë komunikimin strategjik mes Shqipërisë dhe vendeve fqinje, por dhe më gjerë.

Vizioni i Drejtorit Ekzekutiv të ‘Institutit për Diplomaci Publike dhe Komunikim Strategjik’ është që “përmes komunikimit, shkëmbimit të ndërsjellë të së mirave dhe kulturës, të promovojmë një bashkëpunim frytdhënës në Ballkan, si dhe shtyjmë përpara proceset integruese të Shqipërisë. Ndonëse me vonesë, duhet të bëhemi gati për të fituar mendjet dhe zemrat e njerëzve”, përfundon Xhafer Rakipllari.

 

Leave a Reply

Back to top button