Histori

“Të gjithë ne jemi trojanë…!”

Trashëgimia poetike Homerit

I njohur në të gjithë botën si autor i Iliadës dhe Odisesë, Homeri besohet të jetë më i madhi i poetëve të lashtë epikë grekë. Më poshtë po paraqesim ligjëratën e profesor Entoni Makrinos në Festivalin e Kulturës në University College të Londrës

Nga Emma Mason

Poeti grek Homer, nënkupton agimin e letërsisë perëndimore, dhe veprat e tij përfshijnë disa nga produktet më të rëndësishme letrare të intelektit njerëzor. Homeri është një figurë enigmatike, dhe ekzistojnë ende polemika në lidhje me kohën dhe vendin ku ai ka jetuar. Pikëpamja më e zakonshme është se ai jetoi në shekullin VIII para Krishtit, dhe se shkroi Iliadën në vitin 750 dhe Odisea në 725-ën Para Krishtit.

Epikat e tij përshkruajnë ngjarjet në lidhje me vitin e fundit të Luftës së Trojës, të cilat besohet të kenë ndodhur rreth 400 vjet para Homerit. Pjesa më e madhe e përmbajtjes së epikave homerike, duket të jetë në përputhje me Epokën e Vonë Egjeane të Bronzit (shekulli XII Para Krishtit) dhe në veprat e tij, Homeri u përpoq të rindërtojë të kaluarën e largët.

Në të dyja poemat e tij, Homeri rrëfen historitë e heronjve epike (kryesisht Akilit dhe Odiseut), të cilët jetojnë në një epokë heroike. Iliada dhe Odisea përfshijnë temat kryesorë të jetës njerëzore:zemërimin dhe luftën, udhëtimin dhe rikthimin. Bota e Homerit është në shumë mënyra edhe bota jonë. Në këtë botë, ne na ofrohet një mundësi unike për të shqyrtuar përkufizimin e qenies njerëzore.

Mesazhi i epikave homerike në lidhje me ndryshimin e gjendjes njerëzore nga lumturia absolute të mjerimin e shkretë, është mesazhi i vetë jetës njerëzore. Epikat homerike nuk janë vetëm tekste shumë moderne, në kuptimin që na mësojnë mbi pasojat e mosmarrëveshjes politike në kohë krize dhe lufte, apo në lidhje me dëshpërimin e refugjatëve në luftën e tyre për mbijetesë. Ato janë gjithashtu tekste që synojnë përcaktimin më të thellë të njerëzores dhe hyjnores. Ato janë pasqyra të mrekullueshme artistike, që pasqyrojnë në një mënyrë gjeometrike një botë komplekse emocionesh – që është vetë psikologjia e njeriut.

Koncepte si nderi, heroizmi, grindja, arroganca, faji dhe hakmarrja balancojnë njëra-tjetrën, duke ofruar farat e para të tragjedisë dhe komedisë greke, dhe justifikojnë ndikimin katalitik të epikave homerike mbi psikologjinë, filozofinë, politikën, retorikën dhe teatrin botëror. Trashëgimia e Homerit nuk mund të përmblidhet lehtësisht, për shkak se ajo është historia e një bote që ka qenë pjesë e argëtimit dhe edukimit tonë për gati 3 mijëvjeçarë. Do të ndalem tek ndikimi i epikave të Homerit në veprën letrare të Konstantin P. Kavafit (1863-1933), një nga poetët më të rëndësishëm modernë greke.

Leximet e Kavafit mbi Homeri,n janë filtruar nëpërmjet përkthimeve të rëndësishme të kohës së tij. Ndonjëherë ai përdori gjithashtu tekstin origjinal grek Homerit. Nga  vitin 1893, me “Udhëtimi natën i Priamit” deri në vitin 1911 me publikimin e “Itakas”, Kavafi u mor vazhdimisht me botën e Homerit. Rezultati i këtij angazhimi janë edhe disa poezi të frymëzuara nga Homeri dhe bota e lashtë greke.

Kavafi ka shkruar edhe një ese në prozë “Odiseu” (1895). Në poemën “Tradhtia” (1904), Kavafi është frymëzuar nga Republika e Platonit. Ai krijon një poemë, e cila është reflektim i perëndive homerike, psikologjisë së tyre antropomorfe, të metat dhe pasionet e tyre njerëzore. Poeti fillon me imazhin e dasmës së Peleut dhe Tetit, prindërit e heroit grek Akilit.

Atmosfera e gëzueshme përforcohet nga profecia e Apollonit, se fëmija i lindur nga ky bashkim do të ketë një jetë të gjatë dhe të lumtur. Teti është e lumtur nga këto fjalë, dhe gëzohet kur Akili bëhet heroi më i bukur i Thesalisë. Por shpejt pleqtë sjellin lajmin e keq se Akili ishte vrarë në Trojë. Kur Teti, në vajtimin e saj dramatik, kujton premtimet e Apollonit mbi martesën e saj dhe jetën e gjatë dhe të lumtur të Akilit, ajo pyet me zemërim mbi vendndodhjen e profetit “të mençur”, kur djali i saj u vra. Poema arrin kulmin e saj dramatik me përgjigjen e menjëhershme të pleqve:Apolloni zbriti vetë në Trojë, dhe bashkë me Trojanët vrau Akilin.

Në thelbin e poemës së Kavafit, lexuesi gjen një koment ironik mbi tragjedinë e jetës njerëzore, të krijuar nga antiteza e injorancës së Tetit dhe njohurive të Apollonit mbi të ardhmen. Mashtrimi i këtij të fundit ndaj Tetit, është një tipar i perëndive homerike. Kavafi është i etur për t’u angazhuar në një dialog mbi mekanikën e vdekshmërisë dhe pavdekshmërisë në botën homerike. Apolloni është simbol i perëndisë mashtruese, që përfaqëson paparashikueshmërinë e jetës dhe vdekjen e njeriut. Ndërkohë Teti mishëron arketipin e një nëne shumë humane, që përpiqet të arrijë një ekuilibër ndërmjet natyrës së saj të pavdekshme dhe të vdekshmërisë të djalit të vet.

Me poemën “Trojanët” (shkruar në vitin 1900, dhe botuar në 1905ën), Kavafi arrin të zhvendoset përtej Homerit, dhe vjen më afër krijimit të universit së tij poetik. Poema është  frymëzuar nga një episod i njohur i Luftës së Trojës tek Iliada, ku udhëheqësi trojan, Hektori vendos të përballet me më të mirin e akejve, Akilin, në një duel jashtë mureve të Trojës.

Prindërit e Hektorit, mbreti Priam dhe mbretëresha Hekuba, përpiqen ta bindin Hektorin të mos përleshet me Akilin, por pa sukses. Në poemën e tij, Akili dhe Hektori nuk janë më udhëheqësit homerikë të grekëve dhe trojanëve, të cilët fituan lavdi dhe famë përmes betejave të tyre në Trojë. Poeti i transformon heronjtë homerike në simbole universale të jetës sonë të vdekshme:Hektori dhe Trojanët na përfaqësojmë ne, të vdekshmëve të zakonshëm që jemi të paralizuar nga ideja e frikshme e vdekjes dhe përpiqemi t’i ikim pashmangshmërisë së saj.

Ne njerëzit (duke përfshirë edhe Kavafin) jemi Trojanët, përpjekjet e të cilëve janë të destinuara të dështojnë, kur përballen me forcën e mbinatyrshme të Akilit, i cili simbolizon realitetin e pandalshëm të vdekjes. Muret e Trojës simbolizojnë jetën tonë, dhe ato përmbajnë si kujtimet individuale e kolektive por edhe emocionet.

Prindërit e Hektorit, Priami dhe Hekuba, janë miqtë dhe të afërmit tanë, që qajnë për vdekshmërinë tonë të paracaktuar. Kavafi tek “Trojanët”, e ka transformuar Luftën e Trojës

në luftën e jetës sonë, luftën e mbijetesës së njerëzimit kundër hiçit. Kavafi shpreh nëpërmjet kësaj poeme dhimbjen e tij për rezultatin final të vdekjes si fund i përvojës njerëzore.

Versioni i parë i “Itakës” u shkrua në vitin 1894, dhe u titullua “Odiseu i Dytë”. Kjo ishte një poemë e shkruar para se Kavafi të krijonte hapësirën e tij poetike, dhe kjo është arsyeja pse thuhej se vuante nga kongjestioni letrar (ai e merr frymëzimin nga Odisea e Homerit, Komedia Hyjnore e Dantes dhe Uliksi i Tenisonit). ”Odiseu i Dytë” nis me vendimin e Odiseut “për t’u larguar nga Itaka, për shkak të jetës monotone atje.

Ideja qëndrore e poemës, është se njerëzit që përcaktojnë një qëllim në jetën e tyre përftojnë dije dhe përvojë, dhe se për këtë arsye janë superiorë. Megjithatë, ky udhëtim nuk është një rikthim tek Homeri. Është udhëtimi i jetës, dhe Itaka është destinacioni. Nëse tek “Odiseu i dytë”,  Kavafi paraqet një Odise të etur për liri, larg dashurisë dhe ngrohtësisë së familjes, në Itaka ka një këshillë për ndjekjen e intelektit të lartë dhe emocioneve të rralla, kombinimin e kënaqësisë trupore dhe njohjen e mendjes. Protagonistët homerikë të mitit odisean (Odiseu, Penelopa, Telemaku, Laerti) zhduken në Itakën e Kavafit.

Armiqtë e Odiseut (Lestrigoniani, Ciklopi, Poseidoni) janë pengesat që hasim në jetën tonë, kur shpirti ynë i vendos ata para nesh. Poema shndërrohet më pas në një metaforë, e cila i këshillon lexuesit se si të përjetojnë udhëtimin e jetës dhe si të përftojnë diturinë e vërtetë. Kavafi e kuptoi se epikat e Homerit nuk janë thjesht tekste të lashta, që na zbavisin dhe na mundësojnë udhëtimin ne botën e largët të së shkuarës mitologike.

Ato janë ndërkaq edhe histori që flasin mbi të ardhmen tonë si specie njerëzore, dhe na edukojnë mbi rëndësinë e ideve si miqësia, besnikëria, atdheu, familja, vëllazëria, mikëpritja apo edhe koncepte si humbja, hakmarrja, tradhtia dhe vdekja. Nga ky këndvështrim, Homeri shfaqet si një pus i kohës me thellësinë e 28 shekujve, dhe kërkon jo vetëm të lexohet nga ne por edhe të dashurohet me pasion and forcën e shpirtit, dhe si një busull që na udhëheq drejt rrugëtimit për të kuptuar vetveten.

Kavafi duket se e di shumë mirë këtë kur deklaron:”Aty ku Homeri vendosi të ndalojë dhe pushojë, është e vështirë dhe e rrezikshme për cilindo tjetër që të vazhdojë përpara. Por pikërisht tek vështirëritë dhe detyrat e rrezikshme janë të sukseshëm njerëzit e mëdhënj”. / “BBC History Magazine” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button