Analiza

A do të jetë kjo vera e separatizmave për Europën?

Frank Jacobs

a do jete veraSa herë që hapim e mbyllim sytë, situata në Ukrainë përkeqësohet. Në një lojë që të kujton “Rebelin pa kauzë”, Kievi dhe Moska po shkojnë drejt buzës greminës.

Marrëveshjet e Gjenevës të 17 prillit për të çtensionuar situatën kanë patur efekt zero. Operacioni “antiterrorizëm” i Ukrainës është duke vazhduar në Sloviansk, ku trupat nën komandën e Kievit kanë vrarë 5 aktivistë prorusë, ndërkohë që kanë zhbllokuar rrugët. Mijëra separatistë të tjerë prorusë kanë pushtuar ndërtesat qeveritare. Dhe tani, ata kanë marrë peng edhe një autobus plot me vëzhgues të OECD dhe ukrainas – spiunë të NATO-s”, thotë kryebashkiaku i qytetit.

Si përgjigje, Rusia po kryen prova ushtarake mu në kufi, dhe burimet nga SHBA thonë se avionët gjuajtës rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore ukrainase në disa raste gjatë ditëve të fundit. Kjo ka bërë që kryeministri i Ukrainës të akuzojë Rusinë se “dëshiron të nisë Luftën e Tretë Botërore”.

Në qendër të krizës që po acarohet është e ashtuquajtura “Republikë Popullore e Donetskut”, e shpallur në Ukrainë në 7 prill. Ishte dita kur aktivistët sulmuan për herë të parë ndërtesat në qytetet e Kharkovit, Luganskut dhe Donetskut, ndërkohë që tundnin flamuj rusë.

Ashtu si tërmetet, ndarjet ndodhin përgjatë vijave të caktuara – dhe shpesh herë në mënyrë të njëpasnjëshme dhe të shpejtë. A janë ngjarjet në Ukrainë faza e dytë e planit të presidentit Vladimir Putin për ta shpërbërë atë vend? Protestuesit atje duket se po lexojnë nga i njëjti skenar që përdorën ata të Krimesë pak javë më herët. E para: Shpall pavarësinë. Më pas: Shpall një referendum për t’u bashkuar me Rusinë. Ndërkohë: Kërcëno se do të ftosh trupat ruse të vijnë të të mbrojnë.

Historia – dhe veçanërisht historia e ndarjeve – ka një mënyrë të përsërituri. Rregulli bazë, këtu dhe kudo është: Po nuk u ndave herën e parë, provoje prapë. A do të jetë kjo vera e separatizmave në Europë?

Ambicia për t’u shkëputur ka gjasa të mbetet e fortë, edhe në vende që janë larg si Transnistria apo Kazakistani, ndërkohë që zonat e Kaukazit dhe ato të lindjes së largme mund të kërkojnë shkëputjen. Por separatizmi nuk është një mentalitet unik postsovjetik. Shikoni brenda kufijve të pothuajse çdo shteti, dhe do të gjeni një lëvizje secesioniste që ëndërron lavditë e dikurshme dhe për të fituar liri të reja.

Ndonëse separatizmi është i përhapur pothuajse kudo në botë, çdo lloj diskutimi i kësaj teme nxjerr gjithmonë në pah të njëjtën listë kandidatësh: Baskët, që duan të shkëputen nga Franca dhe Spanja, Katalonja, që do të shkëputet nga Spanja, Flander-ët nga Belgjika, Kuebeku nga Kanadaja dhe Skocia nga Mbretëria e Bashkuar. Të gjithë kanë dekada që kërkojnë pavarësinë, por duke fituar vetëm një masë të caktuar autonomie. Askush nuk është shkëputur, as me plumb dhe as me votë – ndoshta sepse autonomia e ka reduktuar shumë interesin për të dalë më vete. Mund të argumentosh që, këto lëvizje për ndarje janë kaq të mirënjohura, pikërisht sepse kanë qenë kaq jo-konkluduese.

Në marshimin e tyre të ngadaltë drejt shtetësisë, mundet që të kapen nga disa prej “kuajve të errët” që kanë zënë fushën. Marrim Venecian, për shembull. Që nga shekulli i shtatë deri në aneksimin e saj nga Perandoria e Napoleonit në vitin 1797, qyteti-lagunë ka qenë epiqendra e një shteti të pavarur tregtar, me territore që në një moment shtriheshin deri në Qipro.

Lëvizja për pavarësi e republikës së Venecias ofron një terren për zemërim dhe frustrim rajonal. Elementët kryesorë të pretendimeve për ndarje, në Venecia dhe gjetkë janë: që qeveria qendrore merr shumë të ardhura nga taksat, duke mos i investuar në rajon. Që qeveria qendrore, ose është e paaftë ose nuk do që të respektojë dhe promovojë kulturën, gjuhën dhe/ose fenë e rajonit. Dhe që historia tregon që ecim më mirë kur jemi vetëm, se sa si pjesë e një tjetër vendi.

Separatizmi venecian ka një dozë të fortë “opera buffa”, lloji komik i operës që ka lindur pikërisht aty. Në fillim të prillit, policia italiane arrestoi një dyzinë separatistësh venecianë, që akuzohen se po planifikonin të ngisnin një tank të bërë vetë në sheshin qendror “San Marco”. Plani ishte të shpallej pavarësia nga Italia – nuk është aspak e qartë se si pushtimi i sheshit qëndror me një buldozer të konvertuar do të afrohej këtij qëllimi. Në fakt, ishte përsëritja e një veprimi të ngjashëm qesharak të vitit 1997, kur separatistët që përdornin po një tank të bërë vetë, shpallën pavarësinë e Venecias gjatë një rrethimi shtatë-orësh në kullën e Sheshit “San Marco”.

Megjithatë, apo ndoshta sepse venecianëve u pëlqen “opera buffa”, mbështetja publike për separatizmin është e lartë. Një sondazh i muajit mars (që dyshohet se u organizua nga vetë palët pro pavarësisë) zbulonte se 89 përqind e 2 milionë banorëve që u përgjigjën ishin në favor të pavarësisë.

Venecia nuk është aspak e vetmja lëvizje për shkëputje në Itali. Prej dekadash, gjermanisht-folësit e Tirolit të Jugut kanë pretenduar më shumë autonomi, një rikthim në Austri, apo edhe pavarësi – në fakt çdo gjë, për sa kohë që nënkupton më pak Itali. 1.6 milionë sardenjasit në gjysmë të rrugës drejt Spanjës, ndiejnë gjithashtu neglizhimin që ushqen mendimet për t’u shkëputur. Ironikisht, shumë korsikanë (në total janë 300 mijë banorë) duan më pak Francë, ndonëse kjo nënkupton më shumë Itali.

Franca, ai hekzagoni në dukje unitar, vuan prej forcave centrifugale në pesë prej gjashtë qosheve të saj. Bretonët bënë fushatë kohët e fundit, për të kufizuar numrin e puthjeve miqësore në faqe në vetëm një, pikërisht siç ndodh në gadishullin kelt – një mënyrë kjo për të diferencuar bretonët nga fqinjët e tyre francezë, që puthen disa herë. Alsasa, e “francezizuar” tërësisht pas Luftës së Dytë Botërore,  i rikthehet historisë, folklorit dhe dialektit lokal për të pretenduar një identitet të dallueshëm gjerman (por jo shumë gjerman). Savoja, qendra e një dukati shumë të fuqishëm nga shekulli 15 deri në shekullin 19, u aneksua nga Franca pas një plebishiti në vitin 1860, që atëherë u tha se ishte manipuluar. Kujtimi i asaj padrejtësie është një prej shkaqeve të lëvizjes separatiste savojiane. Dhe sa për ta ditur, shteti i ardhshëm federal i Savojës e ka tashmë një faqe interneti.

Mes oksitanëve në jug të Francës, armiqësia e mbushur me humor ndaj veriorëve mund të përzihet fare lehtë me ankesat historike, për të prodhuar diçka më të fortë se sa thjeshtë rajonalizmi. Nica, një qytet francez në kufi me Italinë, kujton kohën kur ishte ende Nizza, një qytet italian në kufirin me Francën. Pastaj janë copëzat e vogla të Francës, në secilën anë të Pirenejve, që kanë lidhje me qendrat baske dhe katalane të jugut.

Siç tregon harta e të gjithë lëvizjeve separatiste në Bashkimin Europian, Spanja është edhe më e trazuar prej separatizmave të mundshëm. Përveç tre lëvizjeve kryesore separatiste të Spanjës – në Katalonjë, Vendin e Baskëve dhe Galici – levizje me te vogla per ndarje po ziejnë në Navarra, Valencia, Ishujt Balerikë, Ishujt Kanarie, Asturia, Andaluzi dhe madje edhe në Kastijë dhe Leon.

Edhe më keq është në Belgjikë dhe në Britani, vende të përbërë pothuajse krejtësisht prej lëvizjesh separatiste. Në Mbretërinë ende të Bashkuar, referendumi skocez për pavarësinë në shtator mund të rezultojë një moment vendimtar. Nëse skocezët vendosin të ndahen, çfarë do i ndalë 3 milionë uellsianët që të bëjnë të njëjtën gjë? Në fund të fundit, Irlanda duket se po ecën mirë, një shekull pasi dëboi britanikët (edhe pa veriun separatist). Po republika e Cornwallit çfarë do të bënte? Ajo ka flamurin e saj, po ringjall gjuhën kelte dhe është aq rurale dhe larg nga Londra, sa që të ndihet jo e mirëpritur në metropolin e madh e “të keq”. Shpallja në 24 prill se populli i Cornwallit do të marrë “statusin e pakicës” brenda Mbretërisë së Bashkuar, e vendos Cornwallin në të njëjtin nivel me vendet keltë që më parë janë njohur.

Të tjerë rajonalizma brenda Anglisë përfshijnë Yorkshiren, Mercian dhe madje edhe Wessexin – jo vendin e ëndrrave të romaneve të Thomas Hardyt, por një rajon shumë real që ka Partinë e vet Rajonaliste.

Në pjesën tjetër të Europës potenciali separatist është më i vogël, por nuk do të thotë që është më pak shpërthyes. Pjesa jugore e Sllovakisë është e banuar nga pothuajse gjysmë milioni hungarezë, të cilët Traktati i Trianonit i vitit 1920 (ai që ndau perandorinë Austro-Hungareze) i shkëputi nga Hungaria. Po kështu edhe anëtarët e minoritetit hungarez, që çuditërisht janë vendosur mu në qendër të Rumanisë. Edhe pas ndarjes së Republikës Ceke nga Sllovakia në vitin 1993, e para vazhdon të jetë e përbërë nga dy rajone të dallueshëm, me Moravinë në lindje që ka marrë rolin që kishte dikur Sllovakia, si partner i vogël i një aleance të dominuar nga çekët.

Nga të gjithë lëvizjet e tjera separatiste, që nga Frisianët në secilën anë të kufirit gjermano-holandez, tek bavarezët në jug të Gjermanisë dhe Silezianët në jug të Polonisë, pak prej tyre janë aq mbresëlënëse nga pikëpamja gjeografike, sa Sapmiti – toka e premtuar për pasardhësit e gjuetarëve te lashte të Skandinavisë (Samit, që më parë njiheshin si Lapps). Me aq shumë kufij rrethues, Sapmi të kujton në fakt Kurdistanin: toka mëmë e kurdëve, që është e ndarë mes Turqisë, Iranit, Irakut, Sirisë. Separatizmi është i vështirë, por imagjino të duash të shkëputesh nga katër shtete njëkohësisht.

Me që ra fjala tek kurdët, sigurisht që separatizmi nuk ndalet në kufijtë e Europës. Harta e lëvizjeve per ndarje përfshin afro 600 ëndrra separatiste. Kabilia në Algjeri, Republika Faraonike Koptike në Egjipt, Kaprivi në Namibi, Gorkhalandi në Indi dhe Patagonia në Kil dhe Argjentinë janë vetëm disa prej tyre. Po Suedia, nga se shkëputet? Dhe sigurisht, të rendisësh të gjithë shtetet e SHBA, nuk të del vendi.

A do të ishte bota vend më i mirë nëse gjithë këto ëndrra separatiste do lejoheshin të dilnin nga sirtarët dhe çdo rajon i frustruar, mbretëri e amalgamuar dhe ndonjë ish dukat shohin punën e tyre?

Pyetja është më pak absurde nga sa tingëllon. Vetëm shihnin projektin transnacional, që është Bashkimi Europian. Ironia e hidhur është që një prej të vetmeve gjëra që bashkon opinionet publikë të 28 vendeve anëtarë të këtij “supershteti”, është pakënaqësia e tyre ndaj projektit të përbashkët.

Disa prej kundërshtarëve më të zhurmshëm të Bashkimit Europian e krahasojnë atë me Bashkimin Sovjetik dhe mezi presin fundin e ngjashëm. Në fakt, shpërbërja e Bashkimit Europian do të ishte po aq shumë një kuti Pandore me levizje per ndarje, sa ishte edhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik: sot në Ukrainën lindore, nesër ndoshta në Francë, Spanjë dhe Itali. (Forein policy)

Leave a Reply

Back to top button