Analiza

Të jetosh në Evropë në epokën e frikës

Nga Dejvid Grosman

France Eiffel Tower Evacuated

Qytetarët evropianë kanë filluar të kuptojnë se cilat mund të jenë pasojat e terrorizmit islamik. Ndoshta jo të gjithë e kanë kurajën që ta pranojnë këtë, pasi mesa duket manifestimet masive (mbresëlënëse në vetvete) krijojnë një farë ndjenje sigurie.
Por në zemër të evropianëve po fillon të përvijohet realiteti i ri i krijuar nga terroristët. Nuk po flas këtu, për kontrollet që kryhen në hyrje të kinemave, restoranteve, në stadiume apo aeroporte, apo kaosin e madh të trafikut sa herë që zbulohet një pako e dyshimtë, së bashku me të gjitha bezditë dhe mërzitë që mund të trazojnë jetën e përditshme.
Jam duke folur, pikërisht për deformimet që kërcënimi i terrorizmit prodhon tek individi dhe shoqëria: nevoja për të qenë vazhdimisht syçelët, për të parë tjetrin me dyshim, për të shoshitur çdo grimë të një rutine të qetë, sikur kjo e fundit të ketë një fund të dyfishtë.
Po edhe për frikën ndaj të njohurës dhe të panjohurës, ndaj ndërgjegjësimit se nuk jeni në gjendje të mbroni të dashurit tuaj, nga arbitrariteti i verbër i terrorizimit, nga apartia e heqjes dorë nga masat e sigurisë, që bëhen përherë e më të pakta, por gjithnjë e më shumë të përpiktë pas çdo sulmi, nga zakoni i katalogimit shpejt dhe automatikisht të cilitdo përson që ndesh në rrugë apo që zë hapësirën tuaj fizike, duke vlerësuar menjëherë nivelin e tij të rrezikshmërisë, sipas ngjyrës së lëkurës, veshjes  apo theksit.
Unë jam duke folur, për atë sesa e vështirë do të jetë t’i kundërvihemi një mendimi racist, kur jetohet nën një klimë terrori. Dhe në qoftë se ju i përkasni një prej grupeve etnike “të dyshuara”, atëherë do të përjetoni në “lëkurën”  tuaj, në mënyrën më të rëndë dhe më poshtëruese ofendimin e të qënit “i dyshuar a priori dhe a posteriori”.
Fuqia e vërtetë shkatërruese e terrorizmit, qëndron në të vërtetë tek rruga për zbulimin e së keqes, që ekziston tek qëniet njerëzore. Poshtërsia, barbarizmi, kaosi. Dhe kjo është e vërtetë, si për individët e veçantë ashtu edhe për shoqërinë në tërësi.
Terrorizmi-sigurisht ai i vrasësve të Parisit- kërkon të pengojë angazhimin për dialog, por dëmton gjithashtu edhe shoqërinë kundrejt të cilit ai operon. Ai synon të shpërbëjë lidhjet dhe simbolet ,që mbajnë bashkë qeniet njerëzore, pavarësisht nga dallimet e tyre dhe të kundërshtarëve, të prishë marrëdhëniet e krijuara dhe të konsoliduara me mjaft mund dhe jo gjithmonë me sukses, në mesin e njerëzve që u përkasin grupeve të ndryshme, të shfuqizojë arritjet e botës së ndriçuar të barazisë, dinjitetit njerëzor, njohjen e lirisë së shprehjes dhe demokracisë që janë ndër arritjet më të mëdha të njerëzimit.
Terrorizmi, përpiqet të godasë njerëzit pikërisht në vendet, ku pas shekujsh luftërash të dhunshme dhe një procesi të ngadaltë pjekurie politike dhe sociale, u arritën të kapërceheshin instikket bazike si barbaria dhe dhuna.
Në këtë mënyrë, goditen të gjithë anëtarët e shoqërisë por edhe anëtarët e moderuar të Islamit.
Sot bota duhet të dëgjojë fort dhe qartë zërin e myslimanëve të moderuar, racionalë dhe të hapur për dialog. Ata, më shumë sesa cilido tjetër, mund t’i rrikthejnë Evropës së traumatizuar ekuilibrin e humbur. Duhet të jenë ata që të ulërasin tani dhe të na rikujtojnë të gjithëve ne, se kjo nuk është një luftë midis Islamit dhe Krishtërimit (apo Hebraizmit), por një betejë mes fanatikëve ekstremistë dhe atyre që besojnë se toleranca nuk është vetëm një shprehje bosh, por e vetmja mënyrë për të garantuar jetën në realitetin modern shumëkulturor, racial dhe fetar.
Detyra e të gjitha vendeve, që ndodhen në shenjestrën e terrorizmit islamik (cili vend perëndimor sot nuk është?) është të jenë në vijën e parë, për të mbrojtur kategoritë më të rrezikuara, qofshin këta gazetarët apo intelektualët, që luftojnë në vijën e frontit për lirinë e shprehjes, apo edhe ndaj pakicave hebreje.
Ankthi aktual ekzistencial i hebrenjve evropianë, ka një domethënie të tmerrshme historike. Vërtetë, rrethanat sot janë shumë të ndryshme nga ato të 75 viteve më parë dhe për më tepër ka më shumë ndërgjegjësim dhe ndjeshmëri ndaj situatës së tyre. E megjithatë çdo person i arsyeshëm, duhet të pyesë veten, nëse është e tolerueshme që policia duhet të mbrojë hebrenjtë evropianë sa herë që ata shkojnë në sinagoga, shkolla apo kopshte, dhe çfarë mund të bëhet për të ndryshuar këtë gjendje.
Përgatiti: A.G./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button