Kulture

Të jetosh përgjithmonë

road-to-eternityNdërkohë që kujtohen të vdekurit, vazhdojmë të kultivojmë obsesionin tonë për vdekjen. Kemi arritur të zgjasim moshën mesatare por ëndërrojmë të arrijmë përjetësinë. Letargjia, ilaçet e mrekullive, kontrolli i ADN-së dhe dietat prej asketësh janë varianti shkencor i kërkimit për eliksirin e rinisë. Një garë kundër kohës për t’i shpëtuar asaj që është siguria e vetme

Sikur në fund të jetë pikërisht vdekja ajo që “vdes”? Për matematikën, sentenca mund të jetë shkruajtur tashmë. Mjafton të lexosh atë kurbën që shkon për lart pa pikë hezitimi, që tregon se si rritet jetëgjatësia jonë dhe që i jep njeriut të sotëm mesatarisht 40 vjet jetë më shumë se sa në 1840: praktikisht dyfishi. “Nuk duhet të kemi iluzione, herët a vonë ritmi do të ngadalësohet, vdekshmëria sigurisht që nuk mund të zbresë në zero”, paralajmërojnë shkencëtarët realistë. Por ritmi që duket se nuk do të ndalet kurrë është aty, gati për t’i përgënjeshtruar. Deri për të mbërritur në studion e The Lancet që shpallte: një në dy fëmijë nga ata që lindin sot (por vetëm në botën e zhvilluar) do të arrijë moshën 100 vjec.

I pari që e nënvlerësoi kokëfortësinë e jetës ishte Louis Dublin, ekspert amerikan i statistikave, i cili në vitin 1928 parashikonte se burrat dhe gratë do të arrinin moshën mesatare 64.75 vjeç. Parashikimet e tij tingëllonin të guximshëm në një kohë kur pritshmëritë ishin për 57 vjeç. Sot të bëjnë të buzëqeshësh. Në vitin 1980 hynë në lojë Kombet e Bashkuara, që vunë në shërbim gjithë autoritetin e tyre për një objektiv të ri: tetëdhjetë vjeç. Pesë vite më vonë limiti ishte thyer tashmë dhe OKB iu desh të prekë vazhdimisht të dhënat e veta. Basti i fundit i përket vitit 2000 dhe flet për tetëdhjetë e pesë vjeç. Por edhe ky rekord është thyer në vende si Italia dhe Japonia ku mosha mesatare e grave është 86 tashmë. Paradoksi qëndron në faktin që jetëgjatësia përbën suksesin më të jashtëzakonshëm të mjekësisë, por përreth saj misteri mbetet më i pazbërthyeshëm se kurrë, aq sa plakja e ka madje shumë të vështirë të gjejë një definicion.

Disa këmbëngulin se mekanizmat e riparimit të ADN me kalimin e kohës mbeten më pak efiçientë, dhe që në gjenom akumulohen mutacione të rrezikshëm. Të tjerë thonë se janë ekstremitetet e kromozomeve – telomerët: zbuluesve të tyre u shkoi ne 2009 Cmimi Nobel për Mjekësinë – që shkurtohen në mënyrë të përsëritur pasi një qelizë ndahet disa herë, deri kur pengojnë replikime të mëtejshëm dhe pengojnë shkëmbimin e krijimeve të reja. Por nëse biologjia e species njerëzore është e papajtueshme me pavdekshmërinë – pra nëse vdekja është e shkruajtur në gjenezën tonë apo që nuk mund të shmanget – kjo mbetet një pyetje pa përgjigje.

As nuk kuptohet se si ka mundësi që rritet në mënyrë spektakolare mosha mesatare, por jo ajo maksimale (rekordi është 122 vjeç për francezen Jeanne Calment). Dyhe për këtë arsye ndoshta një ditë kurba e jetëgjatësisë do të fillojë të ngadalësohet apo edhe të zbresë, duke u dhënë kështu të drejtë shkencëtarëve realistë dhe duke hedhur në erë ëndrrën e një vdekshmërie të reduktuar në zero. Por gjithmonë duke lënë në hije forcat që e vënë në lëvizje.

Nëse faktorët që na kanë zgjatur jetën në shekullin e fundit kanë qenë higjiena, reduktimi i sëmundjeve fëmijërore dhe përparimi në mjekësi, faktori që mund të na e shkurtojë në të ardhmen mund të jetë obeziteti. Në mjergullën e arsyeve përse një njeri plaket dhe vdes, studiuesit kanë arritur në fakt të kapin një nyjë të hekurt: atë që lidh ushqimin me jetën. Nuk bëhet fjalë vetëm për të ushqyerit e shëndetshëm, duke i shtuar dietës fruta, sallatëra apo një pilulë me përbërësit e duhur kundër plakjes. Ushqimi dhe konsumi energjetik takohen në një nivel shumë mët të thellë, duke ndikuar në shpejtësinë e metabolizmit dhe ndoshta në ritmin e tretjes së trupit.

Nuk është rastësi që konstelacioni i të ashtuquajturve “gjene të jetëgjatësisë” që janë pikasur deri më sot (ata fragmente të ADN-së që janë shpesh të pranishëm tek ata mbi moshën 100 vjeçare) kanë të gjithë të bëjnë në një mënyrë apo në një tjetër me përdorimin e ushqyesve për të prodhuar energjinë e organizmit.

Apo që i vetmi ilaç në gjendje të zgjasë jetën (më shumë se 30 përqind e kavieve në laborator) është rapamicina, substancë e zbuluar rastësisht në terrenin e Ishullit të Pashkëve, që ndikon në shpejtësinë me të cilën qelizat rriten dhe ndahen: domethënë pikërisht shpejtësinë e metabolizmit.

Provën e madhe e bëjnë një grup individësh në gjendje të reduktojnë lëkurën dhe mishin, duke ulur një të tretën e kalorive të rekomanduara. Në emër të jetëgjatësisë, pesëdhjetë amerikanë kanë themeluar Calorie Restriction Society dhe kanë vendosur t’i nënshtrohen një regjimi pothuajse urie, në këmbim të agsjësimit të diabetit, sëmundjeve kardiovaskulare dhe kancerit. Cmimi: dobësim ekstrem, ngadalësim i metabolizmit, ndjesi të ftohti, ulje e testosteronit dhe libidos si dhe humbje të aftësisë rezistuese në veprimtarinë fizike.

Ajo e kufizimit kalorik është një teori e lindur në vitet tridhjetë. E vetmja mes teknikave të rritjes së jetëgjatësisë që ka hyrë me të drejta të plota në shkencë. Në disa dekada eksperimentesh kavie, merimanga e më në fund edhe kushërinjtë majmunë kanë shfaqur në laborator rritje me një të tretën e jetëgjatësisë, krahasuar me mesataren e species së tyre. Për dëshirën e lashtë të zhdukjes së vdekjes prej horizontit tonë flasin dy libra që sapo janë botuar, “Një jetë pa fund” dhe “Endrra e përjetësisë”.

Nëse dilet nga perimetri i shkencës zyrtare, janë baby boome-rat e moshës së tretë fansat kryesorë që i afrohen shumë folklorit, duke propozuar zgjatjen e jetës apo shpallur eleminimin e vdekjes. Nuk kanë frikë se thyejnë një tabu të psikikës sonë, as nuk ndihen të obliguar që t’i nënshtrohen kufizimit kalorik, por sugjerojnë letargjinë apo shitjen e eliksirit me bazë vaj gjarpëri apo minerale të vullkanit të Vilcabamba në Ekuador (aty ku njerëzit kanë një jetëgjatësi të lartë).

Dhe gjithmonë në bigëzimin mes shkencës dhe folklorit lëviz Aubrey de Grey, i departamentit të gjenetikës në Universitetin e Kembrixhit, i bindur që njeriu që do të jetojë një mijë vite është tashmë mes nesh dhe që vdekja nuk do të eleminohet asnjëherë plotësisht, por do të godasë vetëm të pavëmendshmit me pickime gjarpërinjsh apo aksidente rrugorë.

Me çmimin “Methusaleh Prize”, vizionari me mjekërr deri tek kërthiza u ka lënë skencëtarëve sfidën e krijimit në laborator të minjve të përjetshëm, apo të eleminimit të gjurmëve të kohës nga trupi i një kafshe

E megjithatë, ndjesia që të krijohet është se nuk duhet të shohësh një guru, por që rruga për të arritur “sekretin e salamandrës” në gjendje për t’i rigjeneruar në vazhdimësi qëndron në realitetin më të afërt. Me ritëm konstant, tashmë në laboratorët e të gjithë botës, shkencëtarët arrijnë që të bëjnë që një qelizë e rritur të kthehet në gjendjen e asaj “fëmijë”. Eshtë e vërtetë që bëhet fjalë për qeliza të veçanta. Por kjo zbritje në stadet fillestarë të jetës nuk është ajo që e quajmë rikthim të akrepave të kohës.

VULLLNETI

Eshtë krejt e natyrshme që njerëzit përdorin inteligjencën e tyre për t’u përpjekur të jetojnë sa më gjatë të jetë e mundur, dhe për shkak të shtytjes së natyrës së tyre, është e njëjta që i shtyn të ndiejnë dëshirën për ushqim, seks dhe njohje. Astrofizika bashkëkohore na mëson se ligji themelor kozmik është ekspansioni, në bazë të të cilit universi ka kaluar nga një dimension shumë i vogël e paiimagjinueshëm për mendjen njerëzore (10-33 centimetra), në një dimension aq të madh sa të rezultojë po kaq i paimagjinueshëm (një diametër prej qindra miliardë vite dritë).

Sot, veç të tjerash dihet se universi jo vetëm nuk e zvogëlon ekspansionin e tij, por madje e përshpejton atë. Dhe kjo ka sjellë postulimin e një forme energjie të ndryshme nga ajo që njihet për momentin e që quhet “e errët”. Tani, duke qenë se edhe njerëzit janë një fragment i universit (një fragment më se i vogël sa i përket energjisë dhe materies, por shumë më i pasur sa i përket qenies si informacion), ata nuk mundet veçse të riprodhojnë ligjin themelor kozmik: për këtë arsye njerëzit kanë tendencën të zgjerohen, dhe ekspansioni njerëzor shprehet edhe si dëshirë për të jetuar më gjatë. Fetë lindin prej këtu, prej dëshirës për t’u zgjatur edhe përtej vdekjes, dëshirë e cila në fe të ndryshme ka rrugën e saj të caktuar për t’u realizuar. Dhe natyrisht edhe shkenca, që sot në mendjen e shumëkujt luan të njëjtin rol që në të kaluarën ka patur feja, nuk mohon që po bën kërkime.

Bima e pavdekësisë për të cilën flitej në Epin e Gilgameshit në legjendën e disa mijëvjeçarëve më parë (“ka një bimë që rritet nën ujë, ka gjethet si drizë, ka kërcellin si trëndafili; do të të gjakosë duart, por nëse arrin ta marrësh, në duar do të kesh atë që i jep një njeriu rininë e humbur”) është sot objekt kërkimesh në laboratorët e botës. Si duhet të vlerësohet ky fenomen?

Nga një këndvështrim social-politik mendohet se rritja progresive e moshës mesatare duhet vlerësuar më se pozitivisht, për arsye se shoqëritë më të moshuara janë edhe ato më të shëndetshme, më shumë në gjendje të zbusin konfliktet, më pak agresive.

Por problemi më delikat ka të bëjë me individin dhe jo shoqërinë, dhe konsiston në pyetjen se si mund të vlerësohet nga pikëpamja etike tendenca për të rritur jetëgjatësinë deri në thyerjen e atyre që sot konsiderohen kufijtë e saj natyrorë. Për teologjinë, pyetja merr një veçanti të vetën: a nuk është ky kulmi i mëkatit të krenarisë nga ana e njeriut? Me rritjen e jetëgjatësisë përmes teknikës, a nuk guxohet që t’i hiqet Perëndisë ai që është tipari dallues i sundimit të tij?

Në të vërtetë, po të shohësh Biblën, zbulon që Perëndia gëzon për jetëgjatësinë e njerëzve. Eshtë e vërtetë që shifrat biblike duhen marë gjithnjë me kujdes, sepse shpesh herë prapa shifrave fshihen gjëra të tjera, por është gjithësesi shumë domethënës fakti që njerëzve kronologjikisht më pranë krijimit, Libri i Gjenezës u atribuon një moshë të jashtëzakonshme: Adami jetoi 930 vite, Seti 912, Matuzalemi 969 (rekordi absolut), Noe 950.

Pas përmbytjes së madhe gjërat nisën të marrin një formë më humane, por që mbetet e jashtëzakonshme: Abrahami jetoi 175 vite, bashëshortja e tij, Sara jetoi 127, Jozefi 110, Moisiu 120. Mosha e Moisiut është ajo kanonike, për arsye se Zoti kish thënë që “shpirti im nuk do të qëndrojë përherë tek njeriu, sepse ai është prej mishi dhe jeta e tij do të jetë 12 vite (Gjeneza, 6,3).

Një prag me të cilin çdonjëri prej nesh do të ish i kënaqur. Në realitet, ndërkohë që shifrat biblike nuk mund të merren asnjëherë në kuptim të drjetpërdrejtë e aq më tepër në rastin konkret, duhet nënvizuar se mesazhi biblik themeor është korrespondenca e përsosur mes vullnetit hyjnor dhe jetëgjatësisë së njeriut: zoti do që njerëzit të jetojnë gjatë. Profeti Isaja e shpreh këtë kur parashikon realizimin e premtimeve hyjnore: “Nuk do të ketë më një fëmijë që të jetojë vetëm disa ditë, as edhe një të moshuar që të mos arrijë kulmin e ditëve të tij, sepse më i riu do të vdesë në moshën 100 vjeç (Isaja, 65,20).

Vlerësimi etik dhe teologjik i kërkimit të pavdekësisë duhet të ndiqet megjithatë, duke nxjerrë në pah një tjetër aspekt, i vetmi element vendimtar: sado që teknika mund të ketë sukses, nuk do të jetë asnjëherë ajo që do t’i japë njeriut plotësimin e humanitetit.

Përse? Sepse teknika mund të veprojë vetëm në dimensionin hapësirë-kohë të qenies, dhe nuk është këtu, sado e rëndësishme, vendi ku luhet veçantia e jetës njerëzore. Nuk ka dyshime që të jetosh gjatë është bukur, por nuk është jetëgjatësia që përcakton qenien e njeriut, por liria. Njeriu i vërtetë është njeriu i lirë, i lirë edhe nga vetvetja dhe nga interesat e tij të menjëhershëm, dhe që për këtë është në gjendje të veprojë e jetojë në favor të së mirës e drejtësisë, pa u trembur që të rrezikojë për to edhe jetën fizike.

Plotësimi i humanitetit nuk jepet materialisht nga numri i ditëve, por përcaktohet shpirtësisht në bazë të cilësive etike dhe shpirtërore të ditëve të jetuara. Gjykatësi Rosario Livatino vdiq në moshën 38 vjeç nga një atentat mafioz, teologu Dietrich Bonhoeffer vdiq i rrahur në moshën 39 vjeç me urdhër të Hitlerit, Etty Hillesum vdiq në moshën 29 vjeç në Auschvitz për shkak se kish zgjedhur të qëndronte krah njerëzve të tij, dhe janë vetëm tre shembujt e njerëzve që kanë arritur plotësinë e jetës së tyre duke u angazhuar për të mirën dhe drejtësinë, protagonistë të një jete shumë më të pasur se sa e atyre që thjeshtë synojnë të qëndrojnë këtu sa më gjatë të jetë e mundur.

Në librin e Proverbave thuhet se “kush praktikon drejtësinë siguron jetën”. Në realitet, Hillesum, Bonhoeffer, Livatino dhe shumë të tjerë e humbën jetën për shkak të drejtësisë. Por këtu nuk bëhet fjalë për jetën në dimensionin hapësirë-kohë, por për një tjetër dimension të jetës, parashikimi i të cilit e bënte Sokratin ta pinte me qetësi helmin dhe që Testamenti i Ri e përshkruan duke thënë se ajo “do të qëndrojë përjetësisht në drejtësinë”. /Focus/

Leave a Reply

Back to top button