Analiza

“Të korrat” diplomatike të nëntorit

Javier Solana

solanaa

Xhihadizmi po lulëzon. Tensionet me Rusinë po rriten. Marrëveshja mes IRanit dhe “E3+3”-shit (Britania, Franca dhe Gjermania nga Bashkimi Europian, plus Kinën, Rusinë dhe SHBA) mbetet bishtnuese, teksa politika e brendshme në të gjithë partnerët negociues paraqitet ndërlikime shtesë në një proces edhe kështu shumë të ndërlikuar. Presidenti i SHBA, Barack Obama, pasi ka pësuar një humbje të rëndë të mesit të mandatit, tani duhet të ketë të bëjë me një Kongres tërësisht nën kontrollin e republikanëve. Në eurozonë, rritja ekonomike mbetet anemike, duke i shtyrë udhëheqësit që të mbyllen së brendshmi.
Mund të konkludosh lehtësisht se bota po përthithet në një vorbull paqëndrueshmërie. Por muajin e kaluar pamë disa momentë shpresëdhënës, dhe një ndalesë për t’i studiuar këta momente është e detyrueshme për të shmangur zhytjen në pesimizëm.
Përmbyllja e një marrëveshje me Iranin mbi programin e tij bërthamor mbetet një çështje e papërfunduar e biznesit global. Negociatat në Vienë nuk arritën të prodhojnë një marrëveshje e cila është tejet e rëndësishme si për stabilitetin rajonal, edhe për atë global. Por atmosfera ishte pozitive: Irani i përmbushi detyrimet e tij sipas marrëveshjes së përkohshme të vitit që kaloi, dhe “E3+3” tregoi një gatishmëri për të lehtësuar sanksionet. Afati përfundimtar për finalizimin e negociatave është shtyrë tashmë për në qershor 2015.
Perëndimi ka një dritare unike mundësish. Arritja e një marrëveshjeje është thelbësore për shmangien e një konflikti të ri – dhe potencialisht katastrofik – në Lindjen e Mesme. Negociatat dhe diplomacia janë e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjen bërthamore të Iranit në afatgjatë, si dhe për të normalizuar rolin kritik të Iranit në sigurinë rajonale.
Nëntori pati edhe disa zhvillime të tjerë premtues. Komisioni i ri Europian mori detyrën në 1 nëntor, duke e nisur mandatin e tij me një plan për të rritur investimet publike dhe private me 315 miliardë Euro gjatë tre viteve të ardhshëm. Po kështu, në Brisbane, G-20 miratoi një paketë masash ekonomike  për të sjellë një rritje me 2.1 përqind deri në vitin 2018 të rritjes ekonomike globale. Po kështu, 20 udhëheqësit përqafuan Nismën Globale Infrastrukturore, e cila do të krijojë një Nyjë Infrastrukturore Globale që të shërbejë si platformë për ndarjen e njohurive për qeveritë, sektorin privat, bankat e zhvillimit, dhe organizatat ndërkombëtare.
Samiti i Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Pekin pati gjithashtu disa marrëveshje të rëndësishme. Në krye të listës është shpallja e marrëveshje dypalëshe për klimën mes SHBA dhe Kinës, që ndihmon për të shtruar rrugën drejt Samitit të rëndësishëm të OKB për ndryshimin e klimës në Paris vitin e ardhshëm. Nëse India do të miratonte një qëndrim të ngjashëm, shpresa do të rritej edhe më shumë.
Fondi i Klimës së Gjelbër i OKB, ndërkohë, është shtuar me financime të tjerë – një tjetër gurthemel i rëndësishëm në rrugën drejt Parisit. Fondi, i financuar prej vendeve të zhvilluar, është projektuar të ndihmojë vendet në zhvillim që të plotësojnë kostot e zbutjes dhe përshtatjes me ndryshimet e klimës. SHBA ka premtuar tashmë 3 miliardë dollarë, teksa Japonia ka premtuar 1.5 miliardë, duke rritur premtimet e mëhershëm të Francës dhe Gjermanisë – financime që janë thelbësorë për të garantuar pjesëmarrjen e plotë të vendeve në zhvillim.
Edhe BE i ka sytë nga Parisi, pas miratimit prej Këshillit Europian të kuadrit të Komisionit Europian 2030 për klimën dhe politikat energjetike. Janë vendosur objektiva për reduktimin e lëshimit të gazrave, duke e rritur përqindjen e energjive të rinovueshme në përzierjen energjetike të Europës, rritur eficencën energjetike, si dhe nxitur konjeksionin e energjisë elektrike mes shteteve anëtarë.
Kina dhe SHBA arritën një tjetër marrëveshje dypalëshe në samitin e APEC-ut, që do të shërbejë për të zhbllokuar Marrëveshjen e Teknologjisë së Informacionit të OBT-së dhe do të eleminojë tarifat mbi teknologjinë e informacionit dhe komunikimit. Administrata Obama ka vlerësuar që, kur të jetë vënë në zbatim, kjo marrëveshje do të rrisë me afro 190 miliardë dollarë GDP-në globale.
Në po të njëjtin samit, presidenti kinez Xi Jinping shpalli hapat drejt një Zone të Tregtisë së Lirë në zonën e Azisë-Paqësorit me 17 shtete anëtarë. Një bashkëpunim i tillë tregtar mund t’i japë një ndihmë shumë të nevojshme diplomacisë në një rajon që vuan tensione të përhershëm gjeopolitikë. Ndërkohë, partneriteti trans-paqësor (TPP) i mbështetur nga SHBA ka ecur përpara në Pekin. Ndonëse të dy projektet shihen shpesh si rivalë, për shkak të mungesës së Kinës në TPP, dy nismat mund të jenë komplementare. Nëse mbizotëron vizioni strategjik dhe arrihen pika konvergjence, stabiliteti në Azi mund të forcohet në mënyrë domethënëse.
E njëjta gjë është e vërtetë për Lindjen e Mesme, ku një takim i paplanifikuar i Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit në nëntor solli disa lajme të mirë e të papritur: Arabia Saudite, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe u angazhuan që të rikthejnë ambasadorët e tyre në Katar, pas një mungese 8-mujore.
Ndërkohë në Tunizi, qeveria teknokrate që ishte në krye prej disa muajsh u zëvendësua në mënyrë demokratike. Në zgjedhjet parlamentare në fund të tetorit, partia laike Nidaa Tounes (Thirrja e Tunizisë) arriti një fitore ndaj partisë islamike Ennahda (Rilindja). Një muaj më vonë, tunizianët shkuan në kutitë e votimit për të zgjedhur një president për herë të parë, që kur presidenti Zine el-Abidine Ben Ali u rrëzua në vitin 2011.
Tunizia mbetet një rreze shprese në rajon. Ardhja e një qeverie koalicioni tregon se paradigma e dëmshme “fituesi merr gjithçka” në politikën e Lindjes së Mesme mund të thyhet, dhe ai pushtet mund të ndahet. Bota arabe duhet të mbajë shënim.
Në Jeruzalem, rritja e tensioneve për vendet e shenjtë ka nxjerrë në pah vështirësitë e çuarjes përpara të procesit të paqes izraelito-palestinez. Me një rritje të sulmeve të dhunshëm në qytet – një vend i shenjtë për të dy palët – konflikti ka marrë një pamje më fetare. Dhe në këtë kontekst, propozimi legjislativ i qeverisë izraelite për ta quajtur Izraelin si shtetin-komb të popullit hebre – duke i dhënë kështu përparësi identitetit hebre të shtetit, mbi karakterine  tij demokratik dhe duke vënë në rrezik të drejtat e pakicave – është veçanërisht i dëmshëm.
Sot, më shumë se kurrë, unë besoj se procesi i paqes mund të marrë një kthesë të re nëse BE njeh zyrtarisht Palestinën – institucionet e përkohshëm të të cilës vazhdon t’i mbështesë. Efektiviteti i veprimeve të tillë të bashkërenduar ishte i mirëpritur në nëntor. Duhet të përpiqemi ta ruajmë vrullin.
Javier Solana ka qenë Përfaqësues i Lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s dhe Ministër i Jashtëm i Spanjës.

Copyright: Project Syndicate, 2014.
www.project-syndicate.org

SHQIPERUAR NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button