Analiza

Të lirë, në këmbë, së bashku

Gilles van Kote
Drejtor i Le Monde

allEmocion, trullosje, por gjithashtu revoltë dhe vendosmëri: nuk gjen fjalë për të shprehur gjerësinë e valës goditëse që po kalon Franca, të nesërmen e sulmit terrorist kundër Charlie Hebdo. Një goditje që na shpie me të gjitha përmasat  në atë ndjenjë që përjetoi e gjithë bota më 11 shtator 2001.
Në mes të ditës, në mes të Parisit, gjakftohtë, fanatikët vranë në mënyrë burracake gazetarë, karikaturistë, nënpunës, si dhe policin e ngarkuar për mbrojtjen e tyre. Dymbëdhjetë të vrarë, të ekzekutuar me pushkë automatike, shumica e tyre në vendin e punës në këtë revistë të lirë dhe të pavarur.
Dhe në mes të kasaphanës viktima, viktima të kësaj poshtërsie, kolegë, shokë: Cabu, Charb, Honore, Tignous, Wolinski, si dhe ekonomisti Bernard Maris. Qysh prej vitesh, dekadash, ata rezistonin me karikaturën, humorin dhe paturpësitë e të gjitha fanatizmave, dënonin integralizmat, denonconin gjepurat, denigronin institucionet.
Qysh prej dhjetë vitesh, ata ishin kërcënuar dhe e dinin atë: të marrë të Zotit, islamistë, ndiqnin me urrejtjen e tyre këta “blasfemues”, që guxonin të talleshin me Profetin e tyre. Ekipi i Charlie Hebdo nuk ishte sprapsur, nuk kishte ceduar, nuk mbyllte sytë. Çdo javë, të armatosur vetëm me lapsat e tyre, ata vazhdonin luftën e tyre për lirinë e mendimit dhe të shprehurit.
Disa nuk e fshihnin frikën e tyre, por të gjithë e kapërcenin atë. Ushtarë të lirisë, të lirisë tonë, ata vdiqën për atë. Vdiqën për karikaturat. Nëprmjet tyre është liria e të shprehurit – ajo e shtypit, ashtu si e të gjithë qytetarëve – që ishte shënjestra e vrasësve. Eshtë liria për të informuar dhe për t’u informuar, për të debatuar dhe kritikuar, kuptuar dhe bindur, kjo pavarësi e mendimit, ky guxim i nevojshëm dhe vital i lirisë, që vrasësit kanë dashur ta shtypin me plumbat e tyre.
Kjo lidhje me liritë qëndron në zemër të demokracisë. Por komando xhihadiste na kujton në mënyrë mizore që për disa, sot  liria e mendimit dhe e shprehjes është një kërcënim i patolerueshëm kundër ligjit të Zotit, që ata ëndërrojnë të imponojnë. “E gjithë Republika u sulmua”, siç foli kryetari i shtetit François Hollande të mërkurën në mbrëmje. E sulmuar në sloganin e saj, “Liberté, Egalité, Fraternité, Liri, Barazi ,Vëllazëri”, dhe në vlerat që ajo shpreh.
E sfiduar në parimin e saj të laicitetit dhe në angazhimin e saj për të “respektuar të gjitha besimet”, fetare apo filozofike. E sulmuar në vullnetin e saj për të respektuar pluralizmin e bindjeve dhe të ndërgjegjeve – me kusht që ato të respektojnë Republikën.
E sulmuar  për ambicjen e saj për të qenë e pandashme. Sepse atentati i kryer kundër Charlie Hebdo nuk është vetëm një krim, ai nuk kërkon vetëm të mbjellë frikën në mendjen e publikut.
Ai është gjithashtu një kurth: dëshiron të endë ndarjet, dyshimet, mosbesimet që kalon shoqëria franceze, dhe sipas shprehjes së ish-ministrit të drejtësisë Robert Badinter, “të hapë një gropë urrejtje midis komuniteteve që përbëjnë Republikën franceze”.
Franca është vënë në shënjestër sepse ajo është në vijën e parë, vetëm apo me aletatët e saj, në luftën e nisur kundër xhihadizmit ndërkombëtar. Eshtë në Mali dhe në Sahel qysh prej dy vitesh, në Irak dhe në kufijtë e Sirisë kundër barbarisë të Shtetit islamik qysh prej disa muajsh. Qysh prej njëzet e katër orësh, mesazhe mbështetëse të panumërta të ardhura nga Evropa, nga Shtetet e Bashkuara dhe më përtej, si dhe nga redaksitë e të gjithë botës, dëshmojnë që komuniteti ndërkombëtar është i ndërgjegjësuar.
Përballë këtyre kërcënimeve, kryetari i shtetit, parardhësi i tij Nicolas Sarkozy dhe të gjithë drejuesit politikë kanë dënuar me forcë këtë atentat: në këtë provë, Franca duhet të bashkohet në një bllok, të qëndrojë e bashkuar në mbrojtje të vlerave të saj, të parandalojë çdo amalgamë midis autorëve të atentatit dhe bashkësisë së myslimanëve, midis fanatizmit dhe besimit. Drejtuesit kryesorë fetarë, të të gjitha besimeve fetare, kanë mbajtur një diskur të ngjashëm.
Nuk e prisnim më pak këtë nga disa apo të tjerë. Por është imperative që ky  konsensus të rezistojë, nesër në përpjekjen për të gjetur në këtë dramë rastin e polemikave të politizuara.
I takon formacioneve politike që të tregohen në lartësinë e kësaj sfide përballë demokracisë. Sepse këto vrasje na vendosin përpara përgjegjsive. Për të mos stigmatizuar myslimanët e Francës, për t’i u përgjigjur këtij sulmi kundër lirisë dhe të jetuarit sëbashku me më shumë guxim dhe inteligjencë.
Reagimi i francezëve dëshmon se ata e kanë kuptuar këtë. Kjo na qetëson dhe na siguron. Me dhjetëra-mijëra u mblodhën në sheshin e Republikës në Paris dhe në qendrat e qyteteve kryesore të vendit, ata u mblodhën në mënyrë spontane për të shprehur emocionin e tyre, solidaritetin, zemërimin, vullnetin e tyre për t’i bërë ballë sëbashku, në këmbë, të lirë.
Të gjithë mbanin një mesazh që i përmblidhte të gjitha këto ndenja: “Je suis Charlie” – (Unë jam Charlie).
Po , “ne jemi të gjithë Charlie”. Përveç ndjekjes së policisë për t’i gjetur ata, kjo është përgjigja më e mirë që ne mund t’i drejtojmë autorëve të këtij akti lufte kundër Francës dhe francezëve. Ne ia dedikojmë atë viktimave, miqve tanë.
s.m./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button