Histori

Të mbijetuarit e apokalipsit të Hiroshimës: Bota edhe sot e rrezikuar nga lufta bërthamore

Nga Kethrin Hignet

Shtatëdhjetë e tre vjet më parë, SHBA-ja hodhi një bombë atomike në Hiroshima të Japonisë, një qytet me 350.000 banorë. Bomba shkatërroi qytetin, dhe vrau dhjetëra mijëra njerëz në vetëm një çast. Një orë pas shpërthimit, kishin vdekur rreth 80.000 vetë. Ishte hera e parë që hidhej një armë bërthamore.

Tre ditë më vonë, SHBA-ja hodhi një bombë të dytë atomike në Nagasaki, një shpërthim që vrau dhjetëra mijëra njerëz të tjerë. Shumë nga të mbijetuarit e plagosur vuajtën për javë dhe muaj. Shumë të tjerë që i mbijetuan shpërthimeve fillestare, u prekën nga sëmundjet tumorale të shkaktuara nga rrezatimi. Edhe pse është e pamundur të dihet numri i saktë i jetëve të shkurtuara nga bombat, vlerësimet arrijnë në 290.000.

Deri në marsin e vitit 2017, më shumë se 160.000 “hibakusha”, ose siç quhen në japonisht të mbijetuarit e shpërthimit të bombave bërthamore, ishin ende gjallë. Një pjesë e vogël e tyre e kanë kaluar jetën duke rikujtuar historitë e tyre, në një nga fushatat më të qëndrueshme politike të kohës sonë.

Në vitin 2017, Fushata Ndërkombëtare për Zhdukjen e Armëve Bërthamore (ICAN), fitoi Çmimin Nobel për Paqe. Të mbijetuarit në mbarë botën, tregojnë përvojën e tyre në shkollat ​​e mesme, nëpër televizione dhe madje edhe para politikanëve.

Hauard Kakita, lindi në Los Anxhelos në vitin 1938. Ai kishte nënën, babanë dhe një vëlla më të madh të quajtur Keni. Në vitin 1940, familja udhëtoi me anije drejt Japonisë për të vizituar gjyshin e sëmurë të babait të Hauard. Asokohe, nëna e Hauard ishte shtatzënë me fëmijën e tretë, Albertin.

Shëndeti i gjyshit të Haurd u përm,irësua ndjeshëm me ardhjen e familjarëve të tij nga Amreika. Dhe kështu, kur lajmëruan se dyqani i prindërve të Hauard ishte në telashe, ata u kthyen me shpejtësi në SHBA me Albertin e vogël, duke lënë në Japoni Hauardin dhe Kenin, për t’i bërë shoqëri gjyshërve të tyre.

Haurd ishte 7 vjeç e gjysmë mëngjesin e 6 gushtit 1945. Shkolla ishte mbyllur, pasi zyrtarët lokalë thanë se bombarduesit amerikanë mund të fluturonin pranë qytetit, ndaj djemtë e vegjël ishin të ngazëllyer për ditën e tyre të pushimit. Kur dëgjuan alarmin e sirenës që paralajmëroi sulmet ajrore, Keni dhe Hauard u ngjitën në çatinë e shtëpisë, për të parë fluturimin e avionëve bombardues B-29.

Gjyshja u bërtiti të zbrisnin menjëherë nga çatia, dhe ata zbritën. Hauard shkoi në bodrum, ndërsa Keni drejt një porte në pjesën e përparme të shtëpisë së tyre. Një derë, që mund t’i ketë shpëtuar jetën. Në atë moment, koloneli amerikan Pol Tibets lëshoi bombën e quajtur “Enola Gay” nga një lartësi prej 10 mijë metrash mbi kokat e tyre.

B-29 lëshoi ​​një ngarkesë të ndryshme nga çdo tjetër:një bombë uraniumi. Ajo fluturoi në rënie të lirë për 44 sekonda, përpara se të shpërthente 650 metra mbi qytetin e Hiroshimës. Djemtë jetonin vetëm 1.3 km nga zona e shpërthimit, dhe shpërthimi e fluturoi tej Haurdin.

Ai nuk e dëgjoi shpërthimin që zhduku qytetin. Nuk pa as dritën e shndritshme të bombës. Disa çaste më vonë, u zgjua nën rrënojat e banjos. Për mrekulli, dy djemtë dhe gjyshërit e tyre i kishin mbijetuar shpërthimit vetëm me disa plagë të lehta.

Ndërkohë, në një fabrikë të municionesh 1 milje e gjysmë nga vendi i shpëthimit, 16-vjeçari Junji Sarashina po zvarritej nën një pirg gurësh, xhamash dhe rëre. Ndryshe nga Haurd, ai kishte parë një blic të ndritshëm drite ngjyrë portokalli, përpara se shpërthimi ta flakte përtokë. I lindur në SHBA, ai ishte zhvendosur në Japoni në vitin 1937. Si një student në një shkollë lokale, ai punonte gjatë luftës në një fabrikë.

Junji vrapoi në dhomën e ndihmës së shpejtë që kishte fabrika, por gjeti vetëm një infermiere të mbuluar me gjak. Kur e ndihmoi të hiqte një copë qelqi nga goja e saj, ai e dinte që ai nuk qe një sulm i zakonshëm ajror. “Në atë moment isha shumë i frikësuar”- kujton ai.

Junji dhe shokët e tij të klasës, u përpoqën të kalonin në një urë të afërt drejt qytetit, por ajo ishte bllokuar. “Aty pashë njerëz të djegur, me lëkurë të varur dhe pa flokë”- tha ai. Ndërkohë, djemtë e familjes Kakita ecën në drejtim të një zone malore me gjyshen e tyre. Ata panë tabllonë e parë të shkatërrimit unik të një bombe bërthamore.

Deri tani, ata nuk e kishin kuptuar shkallën e shkatërrimeve. “Asnjeri prej nesh nuk e dinte se sa keq ishte rrënuar qyteti”- tha Hauard. Ndërsa po ecnin, ata vunë re se ushtarë që kishin nisur të rreshtonin trupat e panumërt të të vdekurve. Qielli ishte errësuar ​​dhe bërë radioaktiv, shiu i zi mbuloi të mbijetuarit.

Një tren i çoi djemtë dhe gjyshen e tyre tek të afërmit në fshat. Për Junjin, imazhi më i qëndrueshëm dhe i tmerrshëm i bombës, është ai i trupit të djegur të një gruaje, që ishte ngjitur me atë të fëmijës së saj. Japonia Perandorake u dorëzua tek SHBA-ja më 2 shtator 1945, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Hauard, Keni dhe gjyshërit e tyre u rikthyen në shtëpi pak ditë më vonë. Ndërtesat ishin të rrafshuara – më këmbë kishin mbetur vetëm strukturat e betonit dhe ato metalike. Trupat e djegur pre disa javësh dergjeshin ende mes rrënojave. Kujtimi i erës së rëndë të mishit të djegur të njeriut, i shkakton ende probleme në stomak Hauardit.

Familja jetoi për disa javë në rënojat e një godine, derisa ndërtuan një kasolle nga materialet që i mbijetuan shpërthimit. Ata u prekën nga dizenteria dhe humbën përkohësisht flokët. Në SHBA, prindërit e Haurd dhe Kenit po kërkonin fëmijët e tyre, duke u druajtur për më të keqen. Iu deshën një muaj të gjenin djemtë nëpërmjet Kryqit të Kuq.

Pasi prindërit e Haurd u liruan nga kampi i tyre të internimit, u rrikthyen të punonin në Los Anxhelos, dhe iu deshën 3 vjet derisa patën mundësi të kthenin në shtëpi dy fëmijët. Ndërkohë, gjyshi i Hauard dhe Kenit, u prek nga kanceri. Lufta i kishte mbajtur për 4 vite larg vëllezërit, nga prindërit e tyre dhe vëllai më i vogël.

“Kur gjyshja na tha se duhej të ktheheshim në SHBA tek prindërit tanë, ne refuzuam. Nuk donim të shkonim dhe jetonim me dikë që nuk e njihnim”. Kur u kthyen në SHBA, djemtë u përpoqën të integrohen në qytetin e tyre të banuar thuajse nga të bardhë anglishtfolës.

“Gjithçka ne njihnim ishte Japonia, dhe flisnim gjuhën japoneze”. Por me kalimin e kohës, familja filloi të merret veten. “Në fund u bëmë një familje shumë e mirë. Prindërit e mi ishin vërtet të mrekullueshëm. Qenë shumë të durueshëm me ne”- tha Hauard. Për vite të tëra ai vuajti psikologjikisht.

E ëma do ta gjente shpesh duke ulëritur në mes të natës. Ushqimet me ngjyrë të kuqe – bifteku, salca e domates etj, i shkaktonin kujtimet e tmerrshme të masakrës që kishte parë në Hiroshima. Një dekadë pas hedhjes të bombës, Hauard nuk pati më makthe gjatë natës, dhe filloi të ritregonte historinë e tij. Të folurit rreth përvojës, është një mjet terapeutik.

Tani më shumë se kurrë, dy të mbijetuarit kanë frikë nga përshkallëzimi i aktivitetit bërthamor. “Njerëz si Kim Jong Un në Korenë e Veriut, Asad në Siri, nëse do t’i kishin këto armë, mendoj se do t’i përdornin ato. A ekziston ndonjë mënyrë për ta zbutur kërcënimin? Unë dyshoj, por mendoj se unë kam një detyrim ndaj njerëzve që vdiqën atje në Hiroshima”.

“Njerëzit duhet të kuptojnë tmerrin e luftës bërthamore. Ndjej se i detyrohem shoqërisë që të ndaj së paku përvojën time, dhe të përpiqem të zbus përhapjen e luftës atomike. Kjo është dëshira ime më e madhe për paqen botërore, dhe për një botë pa përdorimin e armëve atomike”- thotë Junji. / “Newsweek” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button