Analiza

“Të mirat” e Luftës së Ftohtë

Ian Buruma

Profesor i Demokracisë, të Drejtave të Njeriut dhe Gazetarisë në Bard College. Autor i shumë librave, mes të cilëve: “Vrasje në Amsterdam: Vdekja e Theo Van Gogh” dhe “Viti Zero: Një histori e 1945-ës”

Te mirat e luftes se ftohteMarrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë rrallëherë kanë qenë më të këqia se sa tani, pas ndërhyrjes së presidentit rus, Vladimir Putin në Ukrainë dhe vendimit për të aneksuar Krimenë. Por presidenti i SHBA, Barack Obama është përpjekur të garantojë botën se ky nuk është fillimi i një Lufte të Ftohtë.

Pavarësisht kësaj, fajkonjtë liberalë në Amerikë dhe konservatorët e vijës së ashpër po e krahasojnë udhëheqjen e Obamës me presidentë që supozohet të kenë qenë më të ashpër, si Eisenhoëer dhe Reagan. Pavarësisht se Eisenhoëeri nuk bëri asgjë për të ndalur tanket sovjetikë që të mos shtypnin kryengritjen hungareze në vitin 1956, apo që Reagani nuk kishte qëllim të mbështeste aktivistët e “Solidaritetit” kur këta u ngritën kundër regjimit në Poloni.

Në shumë drejtime, Lufta e Ftohtë ua bëri gjërat më të lehta presientëve të SHBA. Kishte vetëm dy fuqi të mëdha – Kina nuk kishte ndonjë peshë – dhe sferat e tyre të interecit ishin të përcaktuara qartë. Ideologjia udhëheqëse e Bashkimit Sovjetik ka qenë njësoj e qartë: një version stalinist i komunizmit.

Stalinizmi, ashtu si Maoizmi në Kinë, ishte në fakt thellësisht konservator, ai synonte të konsolidonte fuqinë e regjimit dhe dominimin e shteteve aleatë nga ana e tij. Armiku ideologjik ishte bota kapitaliste, por armiqtë më të afërt ishin “Trockistët”, “revizionistët” dhe elementë të tjerë “reaksionarë” brenda sferës sovjetike. Në kohë krize, nacionalizmi i vjetër rus mobilizohej në shërbim të interesave sovjetikë.

Kina ishte e ngjashme. Mao nuk ishte një ekspansionist imperialist – ai madje as nuk e mori ndonjëherë mundimin që t’u kërkonte britanikëve t’i rikthenin Hong Kongun. Edhe Maok e fokusoi nacionalizmin kinez pothuajse tërësisht për një botë të re komuniste.

Megjithatë, cdo gjë ndryshoi pas vdekjes së Maos dhe shembjes së Bashkimit Sovjetik. Komunizmi, si ideologji sunduese, u zhduk në Rusi dhe është “holluar” kaq shumë në Kinën kapitaliste, saqë tani mbetet vetëm dicka më shumë se sa zbukurimet simbolikë – dhe një parti leniniste që ka monopolin e pushtetit.

Kjo gjë ka lënë një vakuum në të dy shtetet, teksa qeveria e Rusisë është pëprjekur fort të justifikojë një autokraci të zgjedhur, ndërsa diktatura njëpartiake në Kinë kërkon një burim legjitimiteti. Traditat e vjetra e të diskredituara u ringjallën papritur. Putini citon filozofë gjysmë të harruar në një përpjekje për të treguar superioritetin spiritual të shpirtit kombëtar rus. Zyrtarët kinezë kanë nisur të flasin për konfucianizmin, si themel i një identiteti të i kombëtar.

Shumica e këtyre përpjekjeve janë gjysmake. Shumica e kinezëve, përfshirë zyrtarë të qeverisë, kanë vetëm njohuri të pjesshme për klasikët konfucianë. Ata kanë prirjen të përzgjedhin ato citime që justifikojnë mbajtjen e pushtetit prej tyre, duke vënë theksin në virtyte të tillë “tradicionalë” si bindja ndaj autoritetit, duke neglizhuar përmendjen e faktit që mendimi konfucian mbështet rebelimin ndaj sundimtarëve të padrejtë.

Filozofët e preferuar të Putinit janë një përzierje nacionalistësh mistikë, të cilët të gjithë e shihnin Rusinë si një komunitet spiritual me bazë besimin ortodoks, por idetë e të cilëve janë shumë të ndryshme në drejtime të tjerë, si dhe shumë të paqartë për të ofruar një ideologji koherente. As mendimet e tyre nuk janë gjithmonë në një linjë me ata të Putinit. Putini e sheh shembjen e Bashkimit Sovjetik si një fatkeqësi madhore; megjithatë, ai përmend lirisht Ivan Ilyinin, i cili u bë kundërshtar i ashpër i regjimit sovjetik dhe u dëbua nga Lenini në Europën Perëndimore në vitin 1922.

Mundet që Putini të besojë vërtetë që Rusia është një bastion spiritual kundër dekadencës së një bote perëndimore, e cila është korruptuar prej materializmit dhe homoseksualitetit. Eshtë gjithashtu e mundur që sundimtarët aktualë të Kinës, familjet e të cilëve janë pasuruar prej favoreve politikë, janë studentë të bindur të filozofisë konfuciane. Por qeveritë në Rusi dhe në Kinë udhëhiqen nga dicka më e ndërlikuar: nacionalizmi me bazë pakënaqësinë.

 

 

 

Dogma maoiste në Kinë është zëvendësuar kryesisht prej dickaje që quhet “edukimi patriotik”, gjë që manifestohet në tekstet shkollorë, muzetë e historisë, si dhe një seri monumentesh. Kinezët rriten me idenë – jo krejt të gabuar – se Kina u poshtërua shumë prej të huajve për më shumë se njëqind vite, sidomos gjatë Luftërave të Opiumit të shekullit 19, si dhe pushtimeve brutalë nga japonezët. Vetëm një Kinë e fortë, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, mund të mbrojë popullin e vet nga shkatërrimi në të ardhmen.

Edhe në Rusi, Putini po manipulon fyerjet e dikurshme si dhe një sens tradicional që Perëndimi i keq dëshiron të dëmtojë unitetin e Rusisë dhe shkatërrojë shpirtin e saj. Ashtu sic është e vërtetë për udhëheqësit e Kinës, Putini akuzon Perëndimin se grupohet kundër Rusisë.

Mund ta quash paranojë, por nuk është tërësisht irracionale. Në fund të fundit, si Rusia edhe Kina janë të rrethuara nga vende që janë aleatë me SHBA. Dhe, duke zgjeruar NATO-n deri në kufijtë e Rusisë, Perëndimi nuk është treguar i ndjeshëm ndaj shqetësimeve rusë për sigurinë.

Problemi me nacionalizmin e bazuar mbi pakënaqësinë është se ai pengon diplomacinë, e cila bazohet në “merr dhe jep”. Kriticizmi shihet menjëherë si shenjë armiqësie apo mungese respekti. Lëvizjet jo të mirëpritura nga politikanë amerikanë apo japonezë quhen zyrtarisht si “fyerje ndaj popullit”.

Sigurisht, një pjesë e madhe e këtyre janë për konsum të brendshëm – një mënyrë për të mobilizuar opinionin publik në mbështetje të sundimtarëve autoritarë. Por nacionalizmi i këtyre autokracive të fuqishme i bën gjithësesi më të vështira për t’u marrë me to, se sa paraardhësit e tyre komunistë, që ishin më brutalë por më pak të paparashikueshëm.

Duke parë që konfrontimi ushtarak mund të jetë tejet i rrezikshëm, formula më e mirë mund të jetë sërish ajo e propozuar nga diplomati amerikan George Kennan në vitin 1947. Nëse Rusia dhe Kina nuk mund të trajtohen si miq, konflikti mund të menaxhohet duke pranuar interesat e tyre të ndryshëm, përmes vigjilencës konstante, si dhe duke ruajtur forcën e institucioneve tanë demokratikë. Nëse jemi në fillimin e një tjetër Lufte të Ftohtë, atëherë luftë le të jetë. E gjithë ideja e Luftës së Ftohtë ishte që të mos lejonte një luftë të nxehtë.

Leave a Reply

Back to top button