Analiza

Të qeverisësh një botë pa rend

Anne-Marie Slaughter*

ebl

A mund të krijojmë ne një rend ndërkombëtar që do të ruajë paqen dhe do i lejojë shtetet të luajnë sipas rregullave për të cilat kanë rënë dakord? Kjo është pyetja që ngre Henry Kissingeri në librin e tij të ri “Rendi Botëror”. Fatkeqësisht, është pyetja e gabuar.
Kissingeri e përcakton “rendin botëror” si një koncept vetëm marrëveshjesh ndërkombëtare që “mendohet të jetë i zbatueshëm për të gjithë botën”. Për shembull, përpara lindjes së Bashkimit Europian, Europa e konceptonte rendin botëror si një ekuilibër mes fuqive të mëdha, ku mund të bashkëekzistonin rajone të shumtë dhe forma të ndryshme qeverisjeje.
Si qytetërim dhe si besim fetar, Islami e sheh shumë ndryshe rendin botëror optimal – si një kalifat, në të cilin feja dhe qeveria janë të bashkuar dhe paqja mbizotëron në Shtëpinë e Islamit. Sigurisht ky nuk është besimi i të gjithë myslimanëve apo i të gjithë qeverive të shteteve me shumicë myslimanësh, por radikalizmi i shfaqur nga grupe si SHteti Islamik kërkon që të përhapë jo vetëm kode të sjelljes, por një këndvështrim të tërë mbi botën.
Në këndvështrimin e Kissingerit, koncepte kundërthënës mbi rendin botëror po shfaqen jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Azi. Kina po luan aktualisht sipas rregullave ndërkombëtarë, por ajo po lëshon gjithnjë e më shumë sinjale se pret që të trajtohet si e parë mes të barabartëve. Por teksa Kina forcohet dhe ripretendon atë që beson se është pozicioni i saj historik në Azi dhe në botë, sa kohë do të presë ajo para se të këmbëngulë për të ribërë rregullat ndërkombëtarë?
Rusia po i shkel hapur këta rregulla dhe tani as nuk e merr mundimin të vetëjustifikohet para ligjeve ndërkombëtarë. Ajo madje mburret se po ripretendon territore që dikur sundoheshin nga Kremlini dhe kanoset që të përdorë forcën për “të mbrojtur” rusët etnikë nga rreziqet e supozuar.
Kur Rusia aneksoi Krimenë në mars, Kadri Liik i Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë vinte në dukje dallimin e madh me mënyrën si ajo kishte vepruar me pushtimin që i bëri Gjeorgjisë në vitin 2008. Qeveria ruse e provokoi Gjeorgjinë që kjo të sulmonte e para, dhe më pas krijoi një justifikim të rafinuar që synonte të bënte veprat e saj të pajtueshëm me ligjet ndërkombëtarë. Por këtë herë, shkruante Kadriu, “Moska ka sfiduar të gjithë rendin botëror postsovjetik, bashkë me sistemin e tij të vlerave”.
Shpresa e Kissingerit se këta vende dhe fuqitë në rritje si India dhe ndoshta edhe Brazili (ai në fakt e lë Amerikën Latine jashtë rrëfimit të tij për rendet botërorë) do të jenë në gjendje të bien dakord për një seri rregullash që të gjithë do i shohin si legjitimë, duke ruajtur kështu një ekuilibër global të fuqive. Parimi Vestfalian do të jetë kritik, beson ai, ashtu si do të jetë e domosdoshme që të lejohen vende dhe qytetërime të ndryshëm që të veprojnë mbi parime të brendshëm shumë të ndryshëm.
Megjithatë, një rend botëror efikas për shekullin 21 duhet të bëjë shumë më tepër se sa thjeshtë të ruajë paqen. Kissingeri fokusohet në marrëdhëniet mes shteteve – se si, nga këndvështrimi i një shteti, të shmanget lufta me vendet e tjerë ndërkohë që i pengon këta të jenë agresivë apo të kryejnë veprime që prishin një ekuilibër rajonal apo global të fuqive. MEgjithatë, një vështrim i shpejtë i titujve të gazetave të këtyre ditëve tregon se gjërat që me shumë gjasë do të shkaktojnë vdekjen apo zhvendosjen e miliona, në mos qindra miliona njerëzve në dekadat që do të vijnë janë rreziqet globalë si epidemitë, ndryshimi i klimës, si dhe rrjetet terroristë dhe kriminalë – jo luftërat mes shteteve.
Po, pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka shkaktuar më shumë se 3000 të vdekur. Por projeksionet aktualë të përhapjes së virusit të Ebolës parashikojnë një milionë raste deri në muajin janar. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, epidemia HIV/AIDS ka vrarë 36 milionë vetë, afro dhjetë herë më shumë se sa numri i të vdekurve në veprimet ushtarakë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërkohë që 35 milion të tjerë janë të infektuar.
Shumë prej këtyre rreziqeve globalë janë ngushtësisht të lidhur me luftën, por me luftëra që ka më shumë gjasa të zhvillohen brenda kufijve, se sa ndërmjet tyre. Mendoni që afro dy të tretat e popullsisë së Sirisë është zhvendosur për shkak të luftës civile në vend, teksa miliona njerëz jetojnë mjerisht në kampet e refugjatëve.
Gjendja shkatërrimtare e shtetit në Liberi dhe Sierra Leone, ku Ebola po bën kërdinë, reflekton disa dekada luftërash të tmerrshme civile në të dy këta vende. Dhuna në rajonet e Liqeneve të Mëdhenj të Afrikës, që ka marrë miliona jetë, i ka rrënjët në gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë si dhe vërshimin e refugjatëve Hutu në shtetet fqinjë.
Thatësirat dhe përmbytjet e shkaktuara prej ndryshimit të klimës do të vënë në lëvizje miliona vetë, fillimisht në qytete të mbipopulluar dhe më pas përtej kufijve. Rusia dhe Kanadaja mund të jenë të lumtura t’i mirëpresin për shkak të disponueshmërisë së tokave të reja, por shumë pjesë të tjera të botës janë të mbipopulluara tashmë, dhe ky është një parashikim për konflikte.
Ruajtja e paqes është kryesisht cështje vetëpërmbajtjeje. Bashkëpunimi efikas global kërkon shumë më tepër. Qeveritë duhet të jenë në gjendje të ulen së bashku, bashkë me aktorë jetikë nga biznesi dhe shoqëria civile, për të përshtatur plane veprime gjithëpërfshirës.
Këta plane, nga ana tjetër, do të kërkojnë financime, fuqi njerëzore, vullnet dhe aftësi zbatuese. Megjithatë sot, të gjendur përballë një virusi që vret gjysmën e atyre që infekton dhe me perspektivën që do të bëjë kërdinë mbi të gjithë rajonin e Afrikës, do të ndalë udhëtimin ajror dhe do të fusë në karantinë njerëzit përreth botës, bota ka dhënë vetëm një pjesë shumë të vogël të ndihmës financiare dhe asistencës materiale që nevojitet.
Ne jetojmë në një botë problemesh globalë dhe zgjidhjesh kryesisht kombëtare. Nevoja për institucione që munden të reagojnë me shpejtësi dhe efektivitet, sic bëjnë qeveritë në shtetet e mirëqeverisur, është më e madhe se kurrë. Institucionet e pas Luftës së Dytë Botërore janë bërë të pamjaftueshëm. Eshtë koha që të reformohen – si dhe të ngrihen struktura të reja si dhe mjete për të zgjidhur këta probleme globalë. /Project Syndicate/
Anne-Marie Slaughter, ish Drejtore e planifikimit të politikave në Departamentin e Shtetit në SHBA është Presidente e Fondacionit Amerika e Re si dhe Profesore e Politikës dhe Cështjeve Ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit

Leave a Reply

Back to top button