Analiza

Të shpëtosh nga përqafimi i ariut

Merkhat Sharipzhan

Tw shpwtosh nga pwrqafimi i ariutTre ish republika sovjetike – Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina – kanë firmosur tashmë marrëveshjet e asociimit me Bashkimin Europian, pavarësisht përpjekjeve ndonjëherë brutale të Rusisë për të penguar procesin. Sigurisht, ky është një zhvillim premtues për këta vende, të cilët të gjithë kanë vuajtur për të arritur stabilitetin, qysh prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Por do të ishte naive të mendohej që Rusia do të heqë dorë kaq kollaj.

Siç na e ka treguar edhe një herë kriza e Ukrainës, ish republikat sovjetike që përpiqen të marrin vendime gjeopolitikë pa miratimin e Kremlinit, nuk mbeten të paprekura për një kohë të gjatë. Në Gjeorgji, rajonet separatistë të Abkazisë dhe Oshetisë së Jugut kanë fituar pavarësinë de facto, që kur u pranuan nga Rusia në vitin 2008. Sot, shanset për rikthimin e tyre janë më të largët se kurrë.

Nga ana e saj, Moldavia është përpjekur për dy dekada që të vendosë kontrollin mbi rajonin e Transnistrisë. Në shkurt, rajoni i vogël autonom i Gaugazisë, me popullsi indigjene turke, shpalli përmes një referendumi të mbështetur nga Rusia se ka të drejtë të shkëputet, nëse Moldavia “humbet shtetësinë”.

Përtej shkurajimit të ish republikave sovjetike që të ndjekin marëdhënie më të ngushta me BE, Rusia ka krijuar një “BE” të vetën: Bashkimin Ekonomik Euraziatik. Në maj, udhëheqësit e Rusisë, Bjellorusisë dhe Kazakistanit krijuan BEE-në, duke firmosur një marrëveshje që do të hyjë në fuqi vitin tjetër, gjithmonë nëse parlamentet e tre shteteve e ratifikojnë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka këmbëngulur se BEE nuk ka për qëllim të jetë një Bashkim Sovjetik “i ringjallur”, por se çdo republikë tjetër ish sovjetike është e lirë të bashkohet. Dhe disa prej tyre mezi presin ta bëjnë. Sipas një sondazhi të ditëve të fundit, 80 përqind e kazakëve mbështesin Putinin, dhe afro 70 përqind mbshtesin anëtarësimin e Kazakistanit në BEE.

Ndonëse disa shtete kanë rezistuar përballë kërcënimeve të Rusisë për të sjellë probleme separatiste apo etnike në pragun e tyre nëse zgjedhin integrimin në BE, të tjerë janë përkulur para trysnisë. Në shtator, Armenia e cila është mbërthyer në një konflikt me Azerbajxhanin fqinj për rajonin e Nagorno-Karabakut për më shumë se dy dekada, krejt papritur i ndërpreu bisedimet e integrimit me BE-në dhe shpalli synimin e saj për t’iu bashkuar strukturave të udhëhequra nga Rusia.

Kirgistani, një prej shteteve më të varfër post-sovjetikë në Azinë Qendrore, nuk ka probleme të dukshëm që lidhen me separatizmin, ndonëse ka tensione etnikë në jug, ku përplasjet mes uzbekëve vendas dhe kirgizëve shkaktuan më shumë se 400 të vdekur në vitin 2010. Këtë muaj, Kirgistani e mbylli qendrën ushtarake amerikane të tranzitit në Bishkek, dhe shpalli synimin e tij për të hyrë në unionin doganor që i parapriu BEE-së deri në fund të këtij viti.

Kremlini po përdor edhe mekanizma të tjerë për të ushtruar më shumë trysni ndaj ish republikave sovjetike. Ministria e Jashtme e Rusisë ka shpallur që, në 1 janar 2015, qytetarë të vendeve postsovjetikë që nuk janë anëtarë të unionit doganor dhe BEE nuk do të lejohen më të hyjnë në Rusi pa pasaporta. Me shumë gjasa, ky hap do të shoqërohet me kërkesa për viza për nënshtetasit e këtyre vendeve, gjë që për disa do të ishte problem. Për shembull, remitancat që afro 1.5 milionë taxhikë që jetojnë dhe punojnë në Rusi u dërgojnë familjeve të tyre janë shumë të rëndësishme për ekonominë e Taxhikistanit.

Po kështu, në prill Putini firmosi legjislacionin që thjeshtëson procedurat për rusisht-folësit në ish republikat sovjetike për të marë nënshtetësinë ruse. Ligji, që hyri në fuqi vetëm një muaj pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, kishte për qëllim që të ofronte një bazë ligjore për përshpejtimin e procesit të aplikimit për nënshtetësi të banorëve të Krimesë dhe pjesës tjetër të Ukrainës lindore. Por ai mund t’u mundësojë miliona nënshtetasve rusishtfolës të vendeve anëtarë të BEE që të bëhen nënshtetas rusë, dhe mund të përdoret për të ushtruar trysni mbi vende si Estonia dhe Letonia, që kanë popullsi të mëdha rusofone.

Por përparimi i BEE nuk po shkon tërësisht sipas planit të Putinit. Gjatë një seance të kohëve të fundit të Komisionit Ekonomik Euraziatik në Sochi, Bjellorusia dhe Kazakistani refuzuan propozimin e Kremlinit për të vendosur taksa doganore për mallrat e importuar nga Ukraina, nëse ky vend firmoste marrëveshjen e asociimit me BE-në. Qeveria bjelloruse e konsideron të drejtë sovrane të Ukrainës që të firmosë marrëveshje me BE – gjë që bie ndesh me qëndrimin e Rusisë – dhe duket e prirur që të vendosë vetë taksa doganore për mallrat elektronikë të importuar nga Rusia.

Kështu si është, BEE duket se ka dy qëlime madhorë: të pengojë integrimin e ish republikave sovjetike në Perëndim, dhe të ndihmojë për fuqizimin e pushtetit të Putinit. Përparimi ekonomik nuk duket të jetë në agjendë.

Nëse nuk arrin të sigurojë përfitime të prekshëm ekonomikë, Bashkimi Ekonomik Euraziatik duket i destinuar të shndërrohet të një tjetër nismë të dështuar institucionale, si Komonuelthi i Shteteve të Pavarur, Bashkimi i Shteteve Rusi-Bjellorusi, apo Bashkimi i Azisë Qendrore. Madje, ai mund të përshpejtojë edhe “kalbjen” e brendshme të Rusisë. /Project Syndicate/

* Analist ne Radion Europa e Lire

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button