Analiza

Të udhëheqësh nga brenda

Thomas L. Friedman

USA/

Unë nuk e di se çfarë veprimi do të jetë i nevojshëm për të sprapsur edhe Shtetin Islamik të Irakut dhe Sirisë, edhe presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, por unë e di se çfarë është e nevojshme. Dhe nuk është “udhëheqja nga mbrapa”, që nuk është se funksionoi për presidentin Obama në Libi, dhe nuk është udhëheqja e një përpjekjeje pa mbështetje popullore nga përpara, që sigurisht nuk punoi me presidentin Bush në Irak. Në fakt, e nevojshme është të ringjallet strategjia më e madhe e Amerikës: udhëheqja nga brenda.
Lidershipi më efektiv jashtë vendit fillon me respektin e fituar kur të tjerët na shohin të përkushtuar për të bëra gjëra të mëdha dhe të vështira në shtëpi, të cilat përmbledhin energjinë e të gjithë vendit – dhe jo thjeshtë prej familjeve tona ushtarake. Kështu i frymëzon Amerika të tjerët që të veprojnë. Dhe gjëja e domosdoshme e me impakt që Amerika duhet të bëjë në shtëpi është që presidenti dhe kongresi të heqin ndalimin që vetë kemi vendosur për eksportet e naftës së SHBA, gjë që do të zbuste në mënyrë domethënëse çmimin e lartë të naftës brut.
Shtojini kësaj edhe vonesën e reformës gjithëpërfshirëse të taksimit që më në fund vlerëson mjedisin dhe sigurinë tonë. Kjo do të ishte një taksë karboni, e cila është kompensuar tërësisht përmes uljes së taksave mbi të ardhurat, pagën dhe fitimin. Asgjë nuk do të na bënte më të fortë dhe Putinin dhe ISIS-in më të dobët – të gjitha në të njëjtën kohë.
Po si? Së pari, duhet të kuptoni se sa shumë të përbashkëta kanë Putini dhe ISIS-i. Si fillim, të dyve u pëlqen të bëjnë punët më të pista duke mbajtur një maskë, sepse diku thellë-thellë, ata e dinë që ajo që po bëjnë është e turpshme. Ekzekutuesi i ISIS-it mban një kapuç. Putini gënjen dhe fytyra e tij është si e një pokeristi.
Të dy duket se e dinë se idetë e tyre për influencën janë të pashitshme si merita të tyre, kështu që u duhet t’i imponojnë me forcë – “konvertohuni në Islamin puritan, ose do ju pres kokën”, thotë ISIS, dhe “nënshtroju Rusisë dhe sferës së saj të influencës, ose do ju pushtoj dhe do ju rrëzoj regjimin tuaj”, thotë Putini.
Të dy janë qartësisht të motivuar për të përdorur forcën, përmes një dëshire të madhe për të lënë pas poshtërimet e të kaluarës. Për Putinin, është poshtërimi për dobësimin e Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, që dikur ai e ka përshkruar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”, e cila la miliona rusisht-folës jashtë shtetit rus. Dhe për ISIS-in, është mënyra se si moderniteti ka lënë kaq shumë vende arabë/myslimanë prapa në shekullin 21, sipas të gjithë indekseve kritikë të zhvillimit njerëzor: arsimi, rritja ekonomike, zbulimet shkencorë, alfabetizmi, liria dhe fuqizimi i grave. Pengimi i ukrainasve që të ushtrojnë vullnetin e tyre të lirë është mënyra e Putinit për të treguar të vetmen forcë reale që i ka mbetur Rusisë: forca brutale. Ekzekutimi me prerje koke i gazetarëve amerikanë është mënyra e ISIS-it për të thënë se është po aq i fortë sa SHBA. Të dy po kërkojnë respekt në të gjithë vendet e gabuar.
Si Putini, edhe ISIS-i kanë gjithashtu ndërmend të rikrijojnë shtete nga një e kaluar e lavdishme, për të larguar vëmendjen e popujve të tyre nga paaftësia për të ndërtuar ekonomi reale – ISIS e quan rikrijimin e vet “kalifat”, ndërsa Putini e quan “Novorossiya” ose Rusia e re. Të dy kanë gjithashtu për qëllim të rikrijojnë rregullat mbizotërues të sistemit ndërkombëtar, që ata i shohin se janë shkruar nga Amerika apo Perëndimi për t’i siguruar vetvetes një avantazh, dhe në dëm të arabëve ose rusëve. Dhe më e rëndësishmja, të dy janë totalisht të varur nga shfrytëzimi i naftës apo gazit me çmim të lartë për të financuar çmendurinë e tyre.
Mënyra si të mposhtësh një armik të tillë është që të jesh “i çmendur si një dhelpër”, thotë Andy Karsner, ish asistent sekretari i Energjetikës në administratën e fundit të Bushit dhe tani Drejtor i Përgjithshëm i Manifest Energy. “Kemi një plumb për t’i goditur të dy: uljen e çmimit të naftës. Nuk është se ata mund të zhvendosin menjëherë strategjinë, dhe të prodhojnë për shembull, ora inteligjente”. Ne prodhojmë më shumë naftë dhe gaz se kurrë, shton Karsner, dhe është një treg global. Eshtë absurde, thotë ai, që qeveria e SHBA ka ndaluar eksportin e naftës sonë brut. “Eshtë njësoj si të kesh kasafortën më të madhe bankare në botë, por kemi vënë gabim çelësin”, shton Karsner. “Të heqim këtë ndalim të eksportit dhe të bëjmë që Amerika t’i japë formë tregut të naftës, sipas interesave tanë”.
Por kjo duhet të shoqërohet nga një reformë e taksave që vendos një premium të parashikueshëm mbi karbonin, të garantojmë që bashkohemi për të investuar në mënyrë të qëndrueshme në energji të pastra që na çojnë përtej hidrokarbureve tradicionalë, që rrisin efiçencën dhe adresojnë ndryshimin e klimës. Boshatisja e kasafortave të armiqve tanë, rritja e sigurisë, taksimi i degradimit mjedisor – e çfarë ka këtu për të mos pëlqyer? Dhe nëse zhvendosim mbledhjen e taksave tek paratë e ardhura prej taksës së karbonit, ne mund të ulim taksat mbi të ardhurat, pagën dhe fitimin, të stimulojmë investimet dhe të çlirojmë konkurueshmërinë tonë ekonomike. Eshtë një strategji që si fajkonjtë, edhe pëllumbat, si të gjelbërit, edhe kompanitë e mëdha mund ta mbështesin. /NYT/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA BOTA.AL

Leave a Reply

Back to top button