Histori

Të vërtetat dhe gënjeshtrat e “gjithë njerëzve të Presidentit”

SKANDALI WATERGATE / Përtej “Deep Throat”. Burimet e shumtë që rrëzuan një president e që u përdorën nga Bob Woodward dhe Carl Bernstein, për të “shembur” të gjithë njerëzit e presidentit

Bob Woodward dhe Carl Bernstein ishin vetëm dy prej shumë aktorëve në dramën e Watergate-t, dhe ndoshta jo më të rëndësishmit, pavarësisht përpjekjes së Robert Redford për t’i bërë të adhuruar. Watergate do të jetë gjithmonë një prej momenteve më të lavdishëm të mediave. Por si e tregojnë edhe dokumentat e Pakulas, edhe me gjithë burimet anonimë që kishin Woodstein, merita për drejtësinë e dhënë duhet të ndahet me proceset ligjorë dhe atë në kongres. Epoka e adhurimit të Woodwardit dhe Bernsteinit duhet të marrë fund

NEWSWEEK

wat 1

Në vitin 2005, Mark Felt vendosi të bëjë një hap përpara dhe të vetëidentifikohet si burimi sekret më i famshëm në historinë e gazetarisë. Ish drejtuesi tashmë 91 vjeçar i FBI-së pranoi se kish qenë ai “Deep Throat”, burimi anonim, informacioni i të cilit kishte qenë jetik për scoop-et e shumtë në lidhje me skandalin e Watergate, e që u shkruajtën prej gazetarëve të Washington Post, Bob Woodward dhe Carl Bernstein në vitet 1972-1973. Një lojë kombëtare hamendësimesh që ishte luajtur për afro 31 vjet, dukej se tashmë kishte marrë fund.
Megjithatë, zbulimi i Deep Throat krijoi ndërlikime të rinj, siç ka vërejtur studiuesi i mediave, Matt Carlson, në vitin 2010. Felt, i goditur nga një atak, nuk ishte më në gjendje të fliste për veten e tij; në të njëjtën kohë “Woodstein” (siç njihej dyshja e gazetarëve atë kohë tek Washington Post) nuk mund të diktonin me kushtet se çfarë dhe si duhej menduar për Deep Throat. Spekulimet vazhduan, jo vetëm për mënyrën se si Woodward dhe Bernstein kishin përdorur burimet, por edhe për atë që Carlson e quante “saktësia e përgjithshme e rrëfimit të Watergate-t, siç është ritreguar nga gazetarët”, të cilët normalisht kanë interes për një version që i glorifikon ata vetë.
Asgjë nuk ndikoi më shumë për të ushqyer këta dyshime, se sa një biografi e vitit 2012 e Ben Bradlee, redaktori i famshëm i Woodward dhe Bernstein tek The Post. Në librin “Juaji në të vërtetën”, autori Jeff Himmelman, një ish dishepull i Woodwardit, përshkruan se si kishte gjetur një intervistë e cila ishte rregjistruar ndërkohë që Bradlee po përgatiste autobiografinë e tij në fillimin e viteve 1990. Në të, redaktori i Post shprehte dyshime për përshkrimin që Woodstein i kishin bërë Deep Throat-it në librin e tyre investigativ, “Të gjithë njerëzit e Presidentit”.
“Më ka mbetur një frikë në shpirt që nuk është dhe aq e vërtetë”, i thoshte Bradlee intervistuesit në vitin 1990. Në letrat e Bradleet, Himmelman kishte gjetur edhe një memo nga Bernstein, ku ai përshkruante takimin e fshehtë në dhjetor 1972 me një burim që e identifikonte vetëm me emrin e koduar “Z”. Tek “Të gjithë njerëzit e Presidentit”, informacioni i ofruar nga “Z” pothuajse barazohej me zbulimet e bërë nga “Deep Throat”.
Himmelman kuptoi “sa bëjnë dy plus dy” dhe kuptoi që “Z” ishte pjesëtar i jurisë së madhe që kishte lëshuar akt-akuzën e parë kundër grabitësve të Watergate në shtator 1972 – ndonëse në librin e tyre, Woodstein mohojnë shprehimisht të kenë marrë informacione nga ndokush në jurinë e madhe. Nuk kish nevojë të ishe skeptik për të besuar që Woodward dhe Bernstein vazhdonin të mos tregonin të vërtetën e plotë për burimet e tyre.
Tani ka dalë një dokument, në një vend të pazakontë, i cili hedh dritën e nevojshme mbi raportimin e Woodstein, ndërkohë që ofron edhe pak perspektivë mbi rolin e shtypit në zbulimin e skandalit.
Eshtë e çuditshme, por dokumenti – një draft i lajmit fillestar të Woodstein i janarit 1973 – u gjet thellë në letrat e Alan J. Pakulas, regjisor i filmit të Hollywoodit me të njëjtin emër, i cili bazohej pikërisht tek best seller-i i Woodsteinit. Pakula, që ndërroi jetë në vitin 1998, ia la të gjithë dokumentat e tij Librarisë Margaret Herrick në Akademinë e Arteve dhe Shkencave – pra, njerëzve që japin Oscar-ët. Koleksioni përfshin kërkimet që ka bërë ai vetë për “Të gjithë njerëzit e Presidentit” dhe në shumë drejtime, dokumentat e Pakulas janë shumë më informues për librin dhe për filmin, se sa dokumentat e vetë Woodwardit dhe Bernsteinit, që mbahen në Qendrën Harry Ransom në Austin, Teksas.
Drafti 15 faqe i artikullit është një udhërrëfyes i paprecedentë për mënyrën se sa dyshja e gazetarëve të Washington Post përdorën shumë burime anonimë që i kishin kultivuar me shumë kujdes. Për arsye që nuk dihen – Woodwardi dhe Bernsteini kanë refuzuar të komentojnë – gazetarët i zbuluan Pakulas identitetet e disa prej këtyre burimeve të vyer. Emrat janë të shkruajtura në skajet e draftit si dhe janë të renditur në një letër të veçantë.
Njëri prej gjashtë burimeve anonimë është i famshmi “Deep Throat” dhe ai nuk është një personazh i sajuar, siç kanë thënë shpesh kritikët. Një tjetër është “Z”, juristi. Tre apo katër të tjerët janë surprizë. Ata përfshijnë njërin prej tre prokurorëve fillestarë në ngjarjen e Watergate, një avokat të të akuzuarve që më pas u largua, si dhe një operativ republikan, emri i të cilit është i panjohur ndoshta edhe për ata që kanë dijeni të thella për skandalin e Watergate. Të marrë së bashku dhe të vendosur në kontekst, këta burime zbulojnë jo vetëm anatominë e vërtetë të lajmit të Woodstein, por edhe një të vërtetë të rëndësishme për raportimin, që i dha “Washington Post”-it Cmimin “Pulitzer” në vitin 1973.
wat 2Eshtë e rëndësishme të kuptohet historia komplekse e draftit të këtij shkrimi, përpara se të shkojmë tek burimet anonimë të Woodsteinit dhe si u shfrytëzuan ata.
Për disa muaj, pas futjes me forcë në 17 qershor 1972 në zyrat e Komitetit Kombëtar Demokrat në kompleksin e zyrave të Watergate, të gjitha ato që i ndjeri David Halberstam i quante “fuqitë e medias” e mbuluan këtë krim të pazakontë. Time, Newsweek, Los Angeles Times, New York Times dhe CBS Evening News i kushtuan të gjitha burime të rëndësishëm këtij lajmi, por ata të Washington Post ishin më të paepur. Megjithatë, shtypi nuk po kishte më shumë sukses se sa FBI dhe prokurorët federalë në vërtetimin se dikush në nivele më të lartë se sa shtatë burrat që u kapën “me preshë në duar” ishte i përfshirë në këtë krim, ndonëse tre prej tyre (E. Howard Hunt, G. Gordon Liddy dhe James McCord) kishin punuar drejtpërdrejtë për administratën Nixon ose në aparatin e fushatës së tij elektorale.
Edhe për ata amerikanë që ishin të prirur ta merrnin seriozisht këtë krim – dhe të shumtë ishin ata që e injoruan si një marifet fushate – ajo grabitje nuk kishte kuptim. Përse duhej Shtëpia e Bardhë të kërkonte përgjime të paligjshëm, në një kohë kur Nixoni kishte mbështetje aq të lartë në sondazhe? Në çdo rast, ky marifet (nuk ishte ende skandal) nuk po kishte asnjë ndikim për zgjedhjet.
Pas fitores së thellë të Nixonit në nëntor, mbulimi mediatik u tkurr shumë, duke përfshirë edhe Washington Postin. Gazetarët që ishin ende të interesuar për lajmin prisnin që kthesa e radhës do të vinte gjatë gjyqit të shtatë “keqbërësve”, që ishte planifikuar të fillonte në 8 janar. Nëse nuk do të kishte ndonjë dëshmi dramatike në sallën e gjyqit të gjykatësit John J. Sirica, interesi për lajmin do të zhdukej tërësisht.
DIku nga mesi i ditës së 16-të të gjyqit, u bë e qartë se nuk do të diltë asnjë grimë informacion i ri. Pesë prej të akuzuarve u shpallën vetë fajtorë që në fillim dhe duke qenë se nuk po mbroheshin, kjo nënkuptonte që nuk ishin të detyruar të ofronin një shpjegim. Ndërkohë, McCord dhe Liddy, që vendosën të vazhdojnë të gjykohen, nuk komunikonin asgjë pasi shpallën pafajësinë e tyre – gjë që ishte veçanërisht e çuditshme në rastin e McCordit, përderisa ky kish qenë mes të shtatëve që ishin kapur “me presh në duar” brenda zyrave të Partisë Demokratike.
Kishte shumë arsye për të besuar që pyetjet më serioze – mbi të gjitha: kush e kishte urdhëruar dhe përse? – do të mbeteshin pa përgjigje. Në mesin e gjyqit, botuesja e Washington Post, Katharine Graham ftoi Woodwardin për drekë, një takim që është përshkruar deri në hollësi tek “Të gjithë njerëzit e Presidentit”, sepse ishte takimi i saj i parë me njërin prej gazetarëve që po bënte që gazeta e saj të ishte e vetme në gjithë këtë histori. Me një zë që zor se ia fshihte frikën, ajo pyeti Woodwardin: “A do të dalë? Dua të them, a do të arrijmë ndonjëherë të dijmë gjithçka për këtë skandal?” Woodwardit iu desh të pranojë se ai dhe Bernsteini nuk ishin të sigurtë nëse misteri i Watergate do të zbulohej ndonjëherë plotësisht. Në 24 janar, një ditë pas Woodwardi dëgjoi Jeb Magruderin të dëshmojë në gjyq – i vetmi zyrtar i fushatës së Nixonit që bënte një gjë të tillë – gazetari i Washington Post sinjalizoi “Deep Throat” se kishte ardhur koha për takimin e tyre të parë të rëndësishëm që nga fundi i tetorit. Tashmë të dëshpëruar se sa pak gjëra po dilnin prej gjyqit, Woodstein kishin vendosur të shkruanin një artikull që do të shtynte përpara gjërat, do të përmendte emra dhe do të nxirrte e zeza mbi të bardhë disa gjëra që nuk po thuheshin në gjyq – mbi të gjitha që, zyrtarë të niveleve të lartë të administratës dhe fushatës së Nixonit po dilnin pa u lagur.
wat 4Sipas rrëfimit tek “Të gjithë njerëzit e Presidentit”, takimi atë natë me Feltin ishte shumë irritues. Pavarësisht parodisë së drejtësisë që po shihej në sallën e gjyqit të Siricas, “Deep Throat” po tingëllonte shumë kavalier dhe tmerrësisht i paqartë, duke vazhduar me pozicionin e fillimit, që do u përgjigjej vetëm informacioneve dhe nuk do të ofronte asnjë të tillë. Woodwardi e çoi bisedën tek ish Kryeprokurori, John Mitchell dhe ndihmësi në Shtëpinë e Bardhë, Charles Colson, dy zyrtarë të lartë që i kishin shpëtuar përmendjes në gjyq dhe emrat e të cilëve Woodstein kishin ndërmend t’i fusnin në paragrafin hyrës të artikullit që do të shkruanin.
Felti, sipas shënimeve të Woodwardit, tha se “nuk kishte asgjë që ai do i konsideronte si prova rrethanore që tregonte se Mitchelli apo Colsoni ishin të përfshirë. Megjithatë, ishte ndjesia e krerëve të FBI dhe Drejtorit L. Patrick Gray, që Colsoni dhe Mitchelli ishin prapa këtij operacioni – sidomos Colsoni, roli i të cilit ishte aktiv. Pozicioni i Mitchellit ishte më shuma ‘amoral’”, kish thënë Felti, pasi “thjeshtë kish pohuar me kokë, por pa marrë pjesë në skemë”. Nëse FBI nuk do të provonte këtë “supozim investigues”, do të thoshte më vonë Deep Throat, atëherë ai nuk mendonte që edhe Washington Post do të mundej ta bënte.
I dëshpëruar për të mos e lënë garazhdin duarbosh, Woodwardi i përshkroi shkrimin e ardhshëm për Mitchellin dhe Colsonin dhe e pyeti direkt Feltin nëse mendonte që Post kishte mbledhur informacion të mjaftueshëm për një artikull. Këtë e vendoste gazeta, i ishte përgjigjur Deep Throat, por Woodwardi kish vënë re që Felti “nuk dukej i habitur prej shkrimit”.
Pasi u këshillua me Bernsteininin – në atë kohë, i vetmi person tjetër që njihte Deep Throat-in, identitetin e tij si dhe pozicionin shumë delikat që ky mbante – Woodwardi vazhdoi përpara, duke e injoruar reagimin e zbehtë të Feltit. Më pas, Bernsteini e ripunoi tre herë draftin e shkrimit. Paragrafi hyrës u mor direkt prej takimit në garazhd me Feltin, në 24 janar:
“Hetuesit federalë kanë konkluduar se ish Prokurori i Përgjithshëm, John N. Mitchell dhe Charles W. Colson, këshilltar special i Presidentit, të dy kanë patur dijeni të drejtpërdrejtë për operacionin e spiunazhit që u krye prej personave të dënuar në skandalin e Watergate, sipas burimeve të besueshëm”.
“Burimi i besueshëm” më i rëndësishëm në këtë drejtim ishte Deep Throat, por Woodstein përmendën dhe cituan edhe pesë burime të tjerë konfidencialë dhe të paemër, në përpjekjen e tyre për të prodhuar një rrëfim bindës në lidhje me rolet e Mitchell dhe Colson.
Burimi i parë anonim (përveç Feltit) i përmendur në draftin e artikullit ishte dikush “emri i të cilit shfaqej në listën e dëshmitarëve” në gjyqin që vazhdonte. Ky person citohej të kishte thënë se E. Howard Hunt i kishte thënë që “raportet me shkrim të përgjimeve i shkonin Mitchellit” dhe që Colsoni e kishte miratuar futjen fshehtas gjatë natës “për arsye se ai është një operator dhe e kuptonte që këto gjëra janë të domosdoshme”.
Ky burim anonim, sipas orientimit që ka ofruar Pakula, ishte Robert F. Bennett, atëherë pronar i  Robert R. Mullen Co., një kompani elitare marrëdhëniesh publike në Uashington. Hunti kishte punuar me kohë të pjesshme tek Mullen ndërkohë që punonte edhe për “hidraulikët” e Shtëpisë së Bardhë, nofka që u ishte vënë pjesëtarëve të një njësie sekrete e cila hetonte nxjerrjet e informacioneve sekretë.
Që Bennett (i cili më vonë u zgjodh Senator i Utah) kish qenë një burim i fshehtë i Woodsteinit, këtë gjë e kemi ditur prej kohësh. Dëgjesat shumë më pak të njohura në Kongres në lidhje me Watergate përmbajnë edhe një memo të CIA-s të vitit 1973, ku zbulohet se Bennett “ka furnizuar me informacione Bob Woodwardin e The Washington Postit, por kanë rënë dakord që ai të mos përmendet. Woodwardi është mirënjohës për informacionet që merr dhe ai e mbron Bennettin (dhe kompaninë Mullen)”.
Një burim i dytë anonim, i përshkruar si dikush që “i njeh katër të akuzuarit nga Miami” përmendet në draftin e artikullit për t’i dhënë më shumë besueshmëri asaj që Hunti u kish thënë të akuzuarve se “operacioni i përgjimit ishte për Mitchellin dhe që Hunti vetë i kishte raportuar Colsonit”.
Ky burim identifikohet në skaje të letrave si “Roth”, ose Henry B. Rothblatt, i cili fillimisht kishte qenë avokati i katër të akuzuarve të Miamit që u arrestuan në zyrat e Watergate.
Parë në retrospektivë, bashkëpunimi i Rothblatt me Woodsteinin nuk ishte aq i çuditshëm, pasi avokatët mbrojtës përpiqen shpesh herë të mbrojnë çështjen e tyre edhe në opinionin publik. Por më e rëndësishmja, tashmë Rothblatt ishte ish avokat i të akuzuarve të Miamit. Ata e kishin larguar disa javë më parë, me arsyen se ai kishte refuzuar të ndryshonte deklaratën e tyre nga të pafajshëm, në fajtorë. Rothblatti, i cili ndërroi jetë në vitin 1985, më vonë do të deklaronte se të katërt ishin nxitur të ndryshonin deklarimet e tyre, dhe më pas shërbeu si dëshmitar i Prokurorisë gjatë gjyqit të atyre që u akuzuan për mbulim të skandalit të Watergate.
Burimi tjetër anonim i përmendur në draft – që përshkruhet si dikush “i njohur me hetimin federal” – citohet të ketë thënë se Mitchelli dhe Colsoni “merrnin informacione për atë që përftohej nga përgjimet”. Woodstein zbuluan se ky burim ishte “EE”, inicialet e Elayne Edlund, pjesëtarja e jurisë së madhe të Watergate, që ishte intervistuar në fshehtësi nga Bernsteini në dhjetor.
Identiteti i Edlundit duhej që të ruhej po aq shumë sa ai i Feltit. Kjo sepse juristët bëjnë një betim për të mbajtur të fshehtë dëshminë që jepet para tyre. Tek “Të gjithë njerëzit e presidentit”, Woodstein e errësuan qëllimisht faktin që “Z” ishte një jurist/e, duke pretenduar që ajo ishte një burim i zakonshëm ndërkohë që pohonin se “nuk kishin marrë informacion nga ndonjë prej pjesëtarëve të gjykatës”. Roli i saj i vërtetë u bë i njohur vetëm në vitin 2012, kur Jeff Himmelman gjeti memon e intervistës së Bernsteinit në dokumentat e Bradleet. Edhe atëherë, Himmelmani u kujdes të mos e përmendë Edlundin, duke mos e ditur që ajo kishte ndërruar jetë në vitin 1991.
Në këtë pikë të draftit, Woodsteini iu kthyen sërish “Deep Throat”-it – i përshkruar si dikush që “ka njohuri për hetimin e FBI-së” – për të përsëritur paragrafin kryesor: “pra që informacionet në dosjet e FBI tregojnë se ‘Mitchelli ishte i përfshirë dhe kishte njohuri’” në lidhje me futjen natën në zyrat e PD, por që ende kishte një “debat thelbësor” brenda FBI në lidhje me përfshirjen e Mitchellit dhe “nëse ai kish bërë ndonjë gjë të paligjshme”.
wat 6Felti/Deep Throat-i identifikohej si “njeriu i Bobyt” ose “miku” për Pakulën. Kështu që, Felti ishte burimi i vetëm identiteti i të cilit iu mbajt i fshehtë regjisorit të filmit.
Burimi i katërt anonim që u përdor përshkruhet në draft si “njëri prej atij grushti njerëzish që kishin njohuri të plota për faktet në këtë çështje”. Ky burim citohet të ketë thënë se “një pjesë e madhe e hetimit federal është përqëndruar tek Colsoni”, i cili njihej si njeriu më i afërt i Nixonit dhe nëse do të akuzohej një person i tetë, “me siguri ky do të kish qenë Colsoni”.
Ky burim, i identifikuar në skaje si “Glan”, dhe në një letër tjetër si “Glanzer”, ishte sigurisht Seymour Glanzer, një prej tre prokurorëve të çështjes fillestare ndaj të shtatëve.
Dihet mirë që prokurorët i provojnë kauzat e tyre në media dhe para ose mbrapa i provojnë në sallën e gjyqit. Por deri tani, nuk ishte ditur (ndonëse shumëkush dyshonte) se një prej prokurorëve të Watergate rridhte informacione për Woodstein. Glanzer, thotë një koleg, do të mohonte me forcë që të ketë bërë deklarata të tilla për dyshen e Washington Postit, dhe ka arsye për të besuar që ata i kanë “zgjatur” disi fjalët e tij.
Burimi i fundit anonim që kanë përdorur Woodstein nuk është lidhur asnjëherë me gazetarët. Edhe për personat që dinë hollësi për Watergate-n, emri i tij do të vijë si surprizë. Emri i tij përmendet në draft si “një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë që dëshiron të mbetet anonim”, dhe në shkrim citohet të ketë thënë se “përgjithësisht ishte kuptuar që Hunt po punonte për projekte sekretë për Colsonin, që kishin të bënin me rizgjedhjen e presidentit”.
Emri “Flemming” shfaqet me shkrim dore në skaje dhe “Flemming”-u është vendosur në një copë letër të veçantë. Sipas ish këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, John Dean, kjo do të thotë që ky person ishte Harry S. Flemming. Babai i tij, Arthur S. Flemming kish qenë Sekretar për Shëndetësinë, Arsimin dhe Mirëqenien në administratën e Dwight Eisenhowerit nga viti 1958 deri në vitin 1961. Por profili i Harryt ishte shumë më i ulët. Gjatë fushatës së Nixonit në vitin 1968, ai ishte ndërlidhësi mes fushatës dhe Komitetit Kombëtar Republikan. Pas zgjedhjes, ai iu bashkua stafit të Shtëpisë së Bardhë si ndihmës special i personelit presidencial. Gjatë fushatës së vitit 1972 Flemming, i cili ndërroi jetë në vitin 2003, punoi me kohë të pjesshme në ekipin e fushatës dhe ai njihte shumë prej aktorëve kryesorë të Watergate. Megjithatë, si zyrtar i nivelit të dytë, ai nuk merrte pjesë në takime ku tema ishte “survejimi elektronik”, dhe dijenitë e tij ishin përgjithësisht të dorës së dytë.
Skandali më i madh
Përse Pakula, një regjisor që në Hollywood njihej si perfeksionist dhe që bënte kërkime të thellë për filmat e tij, ishte kaq i intriguar prej këtij artikulli, nga dhjetëra që kishin shkruajtur Woodstein gjatë vjeshtës dhe dimrit të 1972-1973-shit? Përse Woodstein jo vetëm i treguan regjisorit draftin e parë, por edhe ndanë me të identitetet e të gjithë burimeve konfidencialë, përveç njërit? Ironikisht, të gjithë këto ndodhën sepse drafti fillestar i artikullit nuk u botua asnjëherë tek The Washington Post.
Siç tregohet tek “Të gjithë njerëzit e Presidentit”, drafti “prodhoi mosmarrëveshjen më të madhe mes Bernsteinit dhe Woodwardit që kur këta kishin filluar të bashkëpunonin shtatë muaj më herët”. Pavarësisht se sa herë e kishte shkruajtur Bernsteini artikullin në makinën e tij të shkrimit, Woodwardi shprehte rezerva duke thënë se “nuk mendonte që duhej ta botonin, deri kur të kishin prova të mëtejshme”.
Dyshimet e Woodwardit buronin ndoshta prej reagimit të zbehtë të Deep Throat dhe komentit të tij që nuk kish gjasa që The Washington Post t’i kishte sukses, aty ku FBI kishte dështuar. Po kështu, dy apo tre shkrime më herët në lidhje me Watergate-n, Woodstein kishte bërë gabimin e dëmshëm në një lajm, në lidhje me Shefin e Kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, H. R. “Bob” Haldeman. Shtëpia e Bardhë e kishte shfrytëzuar këtë gabim për të kundërsulmuar, dhe hija që ai lëshoi mbi shkrimet e Woodstein e kish bërë dyshen të mendonte se ndoshta duhej edhe të largoheshin nga gazeta.
Bernsteini nuk kishte rezerva, duke argumentuar se Washington Post nuk kish përse të ofronte prova përfundimtare. Lajmi ishte për atë që “mendonin” hetuesit dhe jo atë që tregonin provat, dhe mbi këtë arsyetim, drafti meritonte të botohej. Debati mes dy gazetarëve u nxeh aq shumë, saqë në më shumë se një rast ata u larguan nga redaksia, për në korridore, aty ku mund t’i ulërinin njëri-tjetrit.
Partneriteti i tyre nuk kish qenë kurrë kaq pranë fundit. Bernsteini akuzoi Woodwardin se po bënte lojën e Shtëpisë së Bardhë, ndërkohë që Woodwardi akuzoi Bernsteinin se po përpiqej të botonte një shkrim që do të shkaktonte një tjetër sulm, edhe më të dëmshëm, ndaj Washington Postit nga Sekretari i Shtypit i Nixonit, Ron Ziegler. Woodwardi nuk dëshironte të përsëritej ky episod, sidomos pas bisedës që kishte patur në drekë me Katharine Graham.
Pakula po bënte një film “shokësh” – natyra e çuditshme e Woodsteinit ishte ajo që kishte nxitur aktorin Robert Redford që të blinte të drejtat e skenarit – dhe regjisori i Hollywoodit padyshim që donte të dinte përse ata ishin grindur aq keq në janar të 1973-shit. Parë në retrospektivë, Watergate ishte në prag të lëshimit të metastazave dhe drejt shndërrimit të skandalit më të madh presidencial që nga Teapot Dome, dhe menjëherë më pas, përpjekja e parë për impeachment ndaj presidentit në 100 vite. Kështu gazetarët e The Post i dhanë Pakulas atë lloj aksesi që i rezervohej vetëm botuesve.
Pasi Newsweek-u u tregoi një draft të këtij artikulli, Woodwardi dhe Bernsteini pranuan se ishte “autentik”. Por ata shtuan se nuk e dinin si e kish shtënë në dorë Pakula draftin e tyre të pabotuar asnjëherë dhe përse ai kishte qenë kaq i interesuar për ta gjetur.

Skandali i Watergate, që vazhdoi për 26 muaj që nga fillimi i tij ishte një sagë jashtëzakonisht shumë komplekse. Megjithatë, për shkak të “Gjithë njerëzve të Presidentit” dhe sidomos përshtatjes së tij në film, e gjithë historia reduktohet shpesh në një fabul të volitshme dhe joshëse, si rrëfim për dy gazetarë të rinj dhe të paepur që rrëzuan një president, duke përdorur të vërtetën si armën e tyre të vetme. Ose si ka thënë kritiku Wilfrid Sheed: “njerëzit ngatërrohen shpesh me detajet e skandalit të Watergate, por të paktën ata mbajnë mend filmin: një çift gazetarësh poterexhinj dhe një informator, apo jo?”

Ata nuk pranuan të diskutojnë zbulimin e identiteteve të vërtetë të burimeve të tyre, pjesërisht sepse shkrimi me dorë në skaje nuk ishte qartësisht i lexueshëm dhe kishte përdorim shkurtimesh. “Për arsye se nuk është e qartë cili është shkrimi i dorës në skaje dhe shkrimi mund të përfshijë burime që mund të jenë ende gjallë”, shkruajnë Woodstein në një email”, “ne nuk mundemi të komentojmë”.
Sigurisht, nuk ka pikë rëndësie se kush i shkruajti identitetet në skaje. Ishin vetëm dy njerëz që mund ta kenë zbuluar këtë informacion: njëri prej tyre është Woodward, dhe tjetri është Bernstein. Ata ndoshta kishin pak vështirësi për të kujtuar se kujt i përkisnin shkurtimet, përderisa thanë gjithashtu për Newsweek se drafti i artikullit “tregon edhe një herë që ne kishim disa burime për punën tonë mbi Watergate-n, brenda dhe jashtë qeverisë, prej shumë institucioneve, individëve dhe pikëvështrimeve”.
Përveç këtyre informacioneve se si e ndërtuan artikullin e Watergate-t Woodstein, drafti përcjell edhe një të vërtetë historike të rëndësishme, që e harrojmë shpesh. Skandali i Watergate, që vazhdoi për 26 muaj që nga fillimi i tij ishte një sagë jashtëzakonisht shumë komplekse. Megjithatë, për shkak të “Gjithë njerëzve të Presidentit” dhe sidomos përshtatjes së tij në film, e gjithë historia reduktohet shpesh në një fabul të volitshme dhe joshëse, si rrëfim për dy gazetarë të rinj dhe të paepur që rrëzuan një president, duke përdorur të vërtetën si armën e tyre të vetme. Ose si ka thënë kritiku Wilfrid Sheed: “njerëzit ngatërrohen shpesh me detajet e skandalit të Watergate, por të paktën ata mbajnë mend filmin: një çift gazetarësh poterexhinj dhe një informator, apo jo?”
wat 5Drafti i artikullit e hedh poshtë këtë mit. Dokumenti në letrat e Pakulas, bashkë me sfondin e artikullit, demonstron se shtatë muaj pasi u kapën keqbërësit në Watergate, shtypi ishte në pozicionin e parabolës së të verbërve dhe elefantit: ende nuk e kish të qartë se çfarë kishte në duar. Woodwardi dhe Bernsteini nuk ishin më pranë zbulimit se kush e miratoi futjen natën në Watergate, nga sa kishin qenë në qershor, dhe ishin edhe më larg madje zbulimit të pengimit të drejtësisë që pasoi këtë ngjarje. Dhe në fund të fundit, ishte pikërisht kjo fshehje që futi në kurth Nixonin dhe vuri në lëvizje sanksionin politik të impeachment-it.
Nëse ka tituj për t’u dhënë në lidhje me këtë çështje, ato i përkasin sistemit ligjor, sidomos tre prokurorëve – Glanzerit të sipërpërmendur, Earl J. Silbertit dhe Donald E. Campbellit – të cilët mbyllën vazhdimisht “pincat” ligjore deri kur një prej të akuzuarve për Watergate-n, James Mc Cord, më në fund nisi të flasë jo shumë kohë pas dënimit të tij në janar.
Mediat dhe sidomos Woodstein kanë meritën e madhe që mbajtën gjallë lajmin, sidomos para zgjedhjeve të 1972, atëherë kur ngjarja në Watergate shihej me një kombinim apatie dhe shpërfilljeje. Mospajtimi mes artikujve që dilnin në media dhe “mohimet jomohuese” të Shtëpisë së Bardhë krijuan një hendek besueshmërie. Mbulimi mediatik shërbeu si profilaktik për prokurorët, duke i lejuar të vazhdojnë përpara pa ndërhyrje. Në fund, ishte puna e jurisë së madhe të Watergate dhe këtyre prokurorëve – jo e medias – që prodhoi një shteg drejt të gjithë padive deri kur u emërua një prokuror special në maj 1973.
Bob Woodward dhe Carl Bernstein ishin vetëm dy prej shumë aktorëve në dramën e Watergate-t, dhe ndoshta jo më të rëndësishmit, pavarësisht përpjekjes së Robert Redford për t’i bërë të adhuruar.
Watergate do të jetë gjithmonë një prej momenteve më të lavdishëm të mediave. Por si e tregojnë edhe dokumentat e Pakulas, edhe me gjithë burimet anonimë që kishin Woodstein, merita për drejtësinë e dhënë duhet të ndahet me proceset ligjorë dhe atë në kongres. Epoka e adhurimit të Woodwardit dhe Bernsteinit duhet të marrë fund.
Edhe diçka: “Woodward tani bie dakord që artikulli duhej të kishte dalë”, thanë Bernstein dhe Woodward në përgjigjen e tyre pasi kishin parë draftin e artikullit. Por nëse kjo do të kishte ndodhur, The Washington Post do të ishte dëmtuar shumë. Në numrin e 29 janarit, revista Time botoi po të njëjtat akuza për Mitchell dhe Colson – gjë që nuk të habit po të kesh parasysh që Mark Felt po jepte informacione edhe tek Sandy Smith e Time. Por, pasi Colsoni kërcënoi se do të bënte një padi disa milionë dollarëshe, Time kërkoi shpejt e shpejt falje dhe e tërhoqi artikullin. Colsoni bëri shumë gjëra, duke përfshirë edhe pjesëmarrjen në fshehjen e ngjarjes. Por nuk ka patur asnjëherë prova që ai e ka miratuar që përpara futjen në zyrat e Watergate.
Sa për arsyen përse Mark Felt, ose Deep Throat ishte kaq indiferent për shpërndarjen e kaq shumë informacioneve të këqinj, si për shembull paraqitjen e Colsonit si njeriun kryesor të komplotit… kjo është një tjetër histori. /NEWSWEEK/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA: ERMAL GJINAJ / www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button