Nunc est BibendumYour Life

Teatri i detyrohet verës, shumë më tepër nga ç’mund të mendohet

Teatri i detyrohet lëngut të rrushit shumë me tepër nga ç’mund të mendojë shumëkush në shekullin XXI. Kjo që prej kohësh tashmë të largëta, kur tragjedia e komedia konsistonte në një performancë në nderim të ekstazës dhe verës, përpara një grupi njerëzish të tjerë, nën konspektin e Dionisit. Por jo vetëm për këtë arsye, një profesionist i Teatrit, mik i “Nunc est Bibendum” dhe verëdashës i vërtetë, vjen të  ndajë me ne përjetimet e tij, në formë përgjigjesh të gjashtë pyetjeve, tashmë familjare  për lexuesin besnik të rubrikës sonë. Edhe në pse ditë të mbushura me angazhime, mjeshtri Altin Basha e gjeti kohën të përgjigjej, kur pija fisnike ia kërkoi.

A e mban mend shijimin tënd të parë të verës? Kur ka qënë?

Duhet të ketë qënë diku nga vitet 1979 a 1980. Kam qënë fëmijë, por e kam fiksuar fort mirë bisedën midis dajës dhe tim eti, të cilët diskutonin çfarë vere duhet të merrnin. Dilema ishte, kabernet apo merlot, mirëpo për mua ata ishin dy emra krejt të pazakontë e krejt të çuditshëm. Aty kuptova që vera nuk është vetëm ai lëngu i zi, por kishte edhe ca karakteristika të tjera, që i diferencojnë llojet e verërave. Në atë kohë unë ende nuk e dija… që verën e bënte rrushi.

Cila është/janë vera/verërat e tua të preferuara?

Përgjithësisht preferoj verërat italiane. Jo domosdoshmërisht nga zona të caktuara. Gjithësesi, ndoshta Valpolicella me Amaronet e saj më bën më tepër për vete. 

Një farë H. Warner Allen ka thënë: “Nëna natyrë kishte ndërmend të kuqen kur bëri verën”. Po sipas teje?

Ha ha ha. Po jam dakord. Ndoshta edhe për shkak të shijes së saj si dhe prirjes sime… Jam mësuar në fakt t’a kuptoj verën si të kuqe.

Ç’mendim ke për verërat shqiptare, nëse i ke shijuar ato?

Kam pasur paragjykimin që verërat e mira vijnë vetëm nga vendet e huaja e për një kohë të caktuar, nuk kam besuar se ekzistonin prodhime shqiptare të afta të konkurronin ato të huaja, por me kohën, kupton, sigurisht duke u shndërruar ngadalë në një konsumator dhe në një njohës të kënaqshëm të verës, se nuk është domethënëse vetëm prejardhja e verës. Ajo në vetvetve, nuk nënkupton automatikisht edhe cilësinë e saj. Kështu që gradualisht kuptova që në Shqipëri ka njerëz të apasionuar, njerëz seriozë, që bëjnë mirë punën e tyre dhe prodhojnë verëra konkurruese. Këtë gjë ma ka përforcuar edhe kunati im, që nuk është shqiptar, i cili, i çliruar nga ky lloj kompleksi e njëkohësisht sommelier e shijues i mirë, shprehte gjithnjë vlerësimin e tij pozitiv për verërat që provonte këtu.

Sa e rëndësishme është vera në jetën tënde?

Vera është si të thuash shoqëruesja e netëve më të mira që kaloj me miqtë dhe me familjen time, kështu që është përbërës i cilësisë më të lartë të ditës.

Për poetin më të madh të gjermanëve, “Jeta është tepër e shkurtër për të pirë verëra mediokre”…

Ha ha ha, jam plotësisht dakord me të. Padyshim që duhet të jenë patjetër disa kushte të caktuara që të plotësohet githmonë kjo dëshirë, por një nga gjërat që më jep shumë kënaqësi kësaj periudhe, teksa po hyj në moshën e mesme, është mundësia për të shijuar sa më gjatë e shpesh me tim atë, verën e darkës sonë të zakonshme.

Ka pak gjasa që edhe gjenerali romak Koriolani, (vepër me të njëjtin titull e të madhit William Shakespeare, vënë në skenë në datën 17 dhjetor si premierë në Teatrin Kombëtar me regji të Altin Bashës) të mos ketë qenë ai vetë një shijues i mirë i Falernum-it, apo çdo vere tjetër të famshme të provincave romake, por në pamundësi për t’a pyetur personazhin, shikojeni shfaqjen dhe do të bindeni se vera ka qenë një bashkëudhëtar shpërblyes i këtij patrici romak, pre e dilemave të thella të fatit të tij.

Back to top button