Analiza

TELASHET E SARKOS / Gedafi, miliarderia dhe spiuni në prokurori

GheddafiDiktatori dhe miliarderia. Duket si një roman noir ai ku ka përfunduar Nicolas Sarkozy. Kërkesa për ndalimin e ish presidentit të Republikës franceze ka ardhur në fundin e një serie të gjatë hetimesh. Të cilët fillojnë nga Libia e Gedafit, për të mbërritur deri tek gruaja më e pasur e Francës, Liliane Bettencourt. Në sfond, akuza për fonde të errët për financimin e fushatës elektorale të vitit 2007, si dhe një rrjet funksionarësh të lartë shtetërorë që kanë nxjerrë informacione të rezervuar, me qëllim pengimin ose kushtëzimin e hetimit.

Miqësia me Gedafin

Në vitin 2005, Libia është ende një shtet “horr” dhe Muamar Gedafi është një diktator “i pafrekuentueshëm” në Perëndim. Në Paris, Sarkozy është një ministër i Brendshëm shumë ambicioz, që ia ka vënë syrin Presidencës. Mes viteve 2005 dhe 2007, Shefi i Kabinetit të tij, Claude Gueant organizon disa udhëtime për në Libi, për të folur me regjimin. Ky mirëkuptim i rigjetur vuloset me vizitën zyrtare të Gedafit, i cili pritet në kryeqytetin francez me të gjithë nderimet e mundshëm në dhjetor të vitit 2007. Disa muaj më herët, pikërisht falë këtyre “marëdhënieve të privilegjuara”, Cecilia Sarkozy, atëherë bashkëshorte e kreut të shtetit, shkon në Tripoli dhe rikthehet triumfuese, pasi ka arritur të bindë Gedafin që të lirojë pesë infermiere bullgare. Cfarë fshihej prapa miqësisë së papritur, që më vonë u shndërrua në urrejtje, mes Gedafit dhe Sarkozysë?

Dëshmitari

Kur, në pranverën e vitit 2011 Sarkozy vendos që të nisë krejt befasisht një ndërhyrje ushtarake për të rrëzuar raisin, Saif Al-Islam Gedafi akuzon: “Duhet që më parë Sarkozy të na japë paratë që pranoi për të financuar fushatën e tij elektorale”. Askush nuk ua vë veshin fjalëve të tij. Ndërkohë, faqja investiguese online, Mediapart, fillon të publikojë një seri dokumentash dhe dëshmish për një financim të errët prej 50 milionë eurosh, që ishin derdhur nga Gedafi për udhëheqësin francez për fushatën elektorale të vitit 2007. Në qendër të këtij “biznesi” është Ziad Takieddine, biznesmen dhe tregtar armësh franko-libanez. Ish diktatori libian u vra në tetor të vitit 2011, por që atëherë, njerëzit e tij besnikë kanë filluar të flasin. Sipas Moftah Missourit, përkthyes i Gedafit në atë kohë, financimi nga Tripoli për Sarkozynë ka qenë “vetëm” 20 deri 50 milionë euro të premtuara.

Celulari me pseudonim

Sarkozy humbet përballë François Hollande në zgjedhjet e vitit 2012 dhe humbet imunitetin presidencial. Në prill të vitit 2013, prokuroria e Parisit hap një hetim për trafiqet e Takieddine dhe financimin e supozuar nga Libia. Prokurorët urdhërojnë përgjimin e telefonave të Sarkozysë dhe avokatit të tij, Thierry Herzog. Magjistratët zbulojnë se ish presidenti ka një numër telefoni të dytë, që e ka marrë me emrin e një farë Paul Bismuth, emri i një shoku të vjetër të shkollës së Herzogut. Edhe avokati i ish presidentit ka një tjetër numër të fshehtë. Dikush i kishte paralajmëruar që do të përgjoheshin? Hetimi për lidhjet mes Sarkozysë dhe Gedafit nuk është mbyllur ende. Por, përmbajtja e disa telefonatave hap një tjetër shteg për hetimet.

“Bastardët e Bordosë”

Përgjimet nxjerrin zbuluar bisedat mes Sarkozysë dhe Herzogut në lidhje me vendimin e Gjykatës së Kasacionit, në kuadër të skandalit që ka përfshirë edhe gruan më të pasur të Francës, Liliane Bettencourt. Hetimi i kryer nga prokuroria e Bordosë kishte hedhur hipotezën që Sarkozy dhe disa njerëz besnikë të tij kishin marrë financime të paligjshëm nga miliarderia për fushatën elektorale të vitit 2007. Në një përgjim të 29 janarit të këtij viti, Herzog – që i quan disa herë gjykatësit si “bastardët e Bordosë” – përgëzohet nga klienti i tij për “punën” e bërë nga super besniku, “miku ynë Gilbert”. Bëhet fjalë për Gilbert Azibert, gjykatës pranë Gjykatës së Kasacionit. Në një tjetër bisedë, të 5 shkurtit, Sarkozy shprehet i gatshëm të ndihmojë spiunin e rangut të lartë që të sigurojë një vend si gjykatës në Monte Carlo.

Spiunët në Magjistraturë

Kështu, nga Libia kalohet në një tjetër hetim të Zyrës qendrore të luftës kundër korrupsionit dhe shkeljeve financiare e fiskale, aty ku Sarkozy është marrë në pyetje dje, në gjendje ndalimi. Në 26 shkurt të vitit që kaloi ky institucion hapi një investigim për shkelje të sekretit insttucional dhe trafikut të influencave, si dhe korrupsionit në vendimet gjyqësorë. Në mars, dy prokuroret e ngarkuara, Patricia Simon dhe Claire Thepaut urdhëruan një kërkim në Gjykatën e Kasacionit. Hetueset gjejnë disa fragmente të hetimit të Bettencourt në kompjuterin e Aziberd, i cili ka punuar në seksionin civil të prokurorisë së Bordosë. Mendohet që Aziberd të ketë qenë një spiun shumë i vyer në hetimin ku Sarkozy, më në fund u la i lirë në fund të 2013-ës. “Miku” Gilbert mendohet të ketë dhënë informacione edhe për procesin pranë Gjykatës së Kasacionit bashkë me një tjetër magjistrat të lartë, Patrick Sassoust: të dy janë ndaluar dje, bashkë me avokatin Herzog.

Sekuestrimi i axhendave

Eshtë një prej pikave që acaron më shumë Sarkozynë në përgjime. Gjykatësit e Bordosë kanë sekuestruar axhendat e tij personale. Pas përfundimit pa rezultat të hetimit Bettencourt, magjistratët e Bordosë ia kanë dorëzuar axhendat e tij prokurorisë që po hetonte për një tjetër çështje ku përfshihej ish Presidenti: ajo e superkompensimit prej 405 milionë eurosh që shteti i dha Bernard Tapiesë në shitblerjen e Crédit Lyonnais. Në axhendat e Sarkos janë gjetur disa takime me biznesmenin. Nuk përjashtohet që axhendat të kenë edhe lementë që mund t’u interesojnë magjistratëve që po hetojnë për financimin prej Gedafit. Avokati i Sarkozysë pretendon marrjen e axhendave. Në 11 mars, Gjykata e Kasacionit e refuzon kërkesën. Ish presidenti nuk arriti të mbylë këtë front gjyqësor, dhe tani gjendet përballë një akuze të re dhe shumë të rëndë, për të cilën është dashur të përgjigjet në seancën e gjatë të pyetjeve dje. /La repubblica/

Përshtatur në shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button