Analiza

Tëmeti i euroskeptikëve “shkund” BE-në

termeti
* Marine Le Pen (Fronti Nacional): “Populli ka folur fort dhe qartë. Ai nuk do të udhëhiqet më nga njerëz jashtë kufijve tanë, nga komisionerë të BE dhe nga teknokratë që nuk janë të zgjedhur. Ai do të mbrohet nga globalizimi dhe të rimarrë në duar frerët e fatit të tij”.

* Nigel Farage (UKIP), duke komentuar për suksesin e partisë së tij në Britani tha: “Sonte merr fund pashmangshmëria e integrimit europian”

* Jean Claude Juncker (kandidati i PPE): “E djathta ekstreme, ndryshe nga sa kishin shkruajtur mediat, nuk i fitoi këto zgjedhje. Në parlament do të kemi një shumicë të qartë proeuropiane”

* Martin Schulz (kandidati i te majteve europiane): “Eshtë një ditë e keqe për Bashkimin Europian, kur një parti me një program racist, ksenofob dhe antisemit fiton 25% të votave”

BBC News

Ashtu siç ishte paralajmëruar, partitë euroskeptike dhe ato të të djathtës ekstreme kanë fituar terren në zgjedhjet për Parlamentin Europian, në atë që kryeministri i Francës e ka quajtur një “tërmet politik”. Fronti Nacional francez dhe britanikja UKIP kanë marrë rezultate të lartë, ndërkohë që të tre blloqet e qendrës në parlamentin europian kanë humbur vende.

Rezultati nënkupton që ata që duan të reduktojnë kompetencat e BE (ose ta shpërbëjnë krejtësisht) do të kenë një zë më të fortë. Por mbështetësit e BE do të jenë të kënaqur të thonë se pjesëmarrja në votime ka qenë pak më e lartë. Sipas shifrave paraprake të Parlamentit Europian, pjesëmarrja ishte 43.1%. Kjo do të ishte hera e parë që pjesëmarrja nuk ka rënë në krahasim me zgjedhjet paraardhëse – por do të ishte një përmirësim me vetëm 0.1%.

“Populli ka folur fort dhe qartë”, iu drejtua me tone triumfatoreje Marine Le Pen mbështetësve të Frontit Nacional në zyrat qendrore në Paris. “Ai nuk do të udhëhiqet më nga njerëz jashtë kufijve tanë, nga komisionerë të BE dhe nga teknokratë që nuk janë të zgjedhur. Ai do të mbrohet nga globalizimi dhe të rimarrë në duar frerët e fatit të tij”.

Rezultatet paraprakë tregojnë se Fronti Nacional do të fitojë 25 vende në Parlamentin Europian – një rritje mbresëlënëse në krahasim me vetëm 3 vendet që kishte në vitin 2009. Partia nxorri gjithashtu një deklaratë të jashtëzakonshme ku akuzon qeverinë për manipulim votash.

Ndërkohë, në nivel të përgjithshëm, Partia Popullore Europiane mendohet të fitojë 212 nga 751 vende, ose 28.3% të votave në të gjithë bllokun sipas rezultateve paraprakë të Parlamentit Europian. Kjo do ta bënte atë grupin më të madh – por me mbi 60 vende më pak se mandatin e kaluar. Ky rezultat e vendos përpara grupit socialist që ka 186 vende (24.77%), liberalëve me 70 (9.32%) dhe të Gjelbërve me 55 (7.32%).

Udhëheqësi i Partive Popullore Europiane, Jean Claude Juncker këmbënguli se shumica e popujve kishin votuar për të qenë pjesë e Europës. “E djathta ekstreme, ndryshe nga sa kishin shkruajtur mediat, nuk i fitoi këto zgjedhje”, tha ai. “Në parlament do të kemi një shumicë të qartë proeuropiane”, shtoi udhëheqësi që mendohet të jetë kandidati kryesor për pozicionin e presidentit të Komisionit Europian.

Grupi euroskeptik Europa për Lirinë dhe Demokracinë, që përfshin UKIP britanik duket se ka marrë të njëjtin numër vendesh si zgjedhjet e kaluara.

Por numri i deputetëve të djathtë që nuk janë pjesë e grupimeve të tjerë pritet të rritet, duke e shtuar numrin e euroskeptikëve në Parlamentin Europian. Nigel Farage, duke komentuar për suksesin e partisë së tij në Britani tha: “Sonte merr fund pashmangshmëria e integrimit europian”.

Grupimi i majtë që është pozicionuar fort kundër masave të kursimit mendohet të ketë fituar shumë vende, kryesisht falë partisë Syriza në Greqi dhe të Majtës së Bashkuar në Spanjë.

Në lidhje me fitoren e Frontit Nacional në Francë, Martin Schulz, ish presidenti socialist i parlamentit europian deklaroi: “Eshtë një ditë e keqe për Bashkimin Europian, kur një parti me një program racist, ksenofob dhe antisemit fiton 25% të votave”.

Zgjedhjet për Parlamentin Europian janë ushtrimi më i madh në demokracinë shumëpartiake në botë. Rezultate i tyre do të ketë ndikim në jetët e 500 milionë banorëve të BE-së.

 

REZULTATET PARAPRAKE

Në Francë, Fronti Nacional ka arritur një fitore që pritej. 25 % e votës dhe 25 vende në Parlamentin Europian. UMP e qendrës së djathtë 21%. Socialistët e Presidentit Hollande në vendi e tretë me vetëm 14%, rezultati më i ulët që ka arritur ndonjëherë Partia Socialiste.
Në Britani, Partia euroskeptike UKIP është në vendin e parë, me 27%, Konservatorët të dytët me 24% dhe laburistët afro 25%.
Në Itali, Partia Demokratike e qendrës së majtë e Matteo Renzit ka arritur një rezultat të papritur, 40% dy herë më shumë se sa lëvizja anti-establishment e Beppe Grillos, që ka marë afro 22%. Forza Italia e Silvio Berlusconit në vend të tretë me 16%.
Në Gjermani, Angela Merkel ka fituar një tjetër palë zgjedhje. 35 % ka marrë Unioni Kristian i saj, 27% PSD e qendrës së majtë. AfD e euroskeptikëve 7%.
Në Greqi, rezultatet e pjesshëm tregojnë se Syriza e të majtës ekstreme ka marrë 26%, Demokracia e Re e Kryeministrit Antonis Samaras 23%. Agimi i Artë, lëviza e të djathtës ekstreme ka marrë 9% të votave.

 

Leave a Reply

Back to top button