Analiza

TEORITE E KOMPLOTIT / Një shtrëngatë frike në Turqi

Elif Shafak*

Asgjë nuTurqi protestak e pasqyron më mirë shtrëngatën, se sa përhapja e teorive të komplotit gjatë ditëve të fundit.  Kryeministri Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar në mënyrë të përsëritur të huajt, se ishin ata prapa protestave në Parkun Gezi verën e vitit që kaloi, protesta që patën si pasojë 6 të vdekur dhe 800 të plagosur. Zyrtarë të ndryshëm qeveritarë lanë të kuptohet se forca të errëta po veprojnë në prapaskenë, duke përfshirë diasporën hebreje, CIA-n, BBC-në, CNN-in dhe lobin e normave të interesit, një term ky që përdoret për të përshkruar një grupazh bankash vendase dhe të huaja, që zyrtarët besojnë se duan të dëmtojnë Turqinë për të cuar përpara interesat e tyre

STAMBOLL. Ndonëse fjala trazirë nuk ekziston në turqisht, ajo është ndoshta përshkrimi më i mirë për gjendjen e politikës në Turqi këto kohë. Por ne kemi fjalë të tjera, shumë prej të cilave, që do të thonë “tension”, “mashkullorësi” dhe “polarizim” e dobësojnë pa masë shtetin turk.

Turqia është një vend likuid, një rrugë ujore për konflikte dhe kontradikta. Humori ndryshon cdo javë, ndonjëherë cdo ditë. Deri kohët e fundit, vendi shihej si një kombinim i suksesshëm i Islamit dhe demokracisë perëndimore, një ndërmjetës në Lindjen e Mesme. Kjo pamje po fashitet me shpejtësi, dhe “lumi” Turqi po rrjedh më shpejt se kurrë.

Me zgjedhjet lokale, presidenciale dhe të përgjithshme që po afrohen, ky është një vit polemikash të zhurmshme dhe shqetësimesh të heshtur. Qytetarët vizitojnë faqet e internetit me dhjetëra herë në ditë, për të parë se c’gjë tjetër ka ndodhur. Gjatë një votimi që i dha qeverisë kontroll më të madh mbi gjyqësorin, deputetët shkëmbyen goditje dhe fyerje. Një hundë e përgjakur ishte testamenti i një demokracie të mavijosur.

Asgjë nuk e pasqyron më mirë shtrëngatën, se sa përhapja e teorive të komplotit gjatë ditëve të fundit.

Kryeministri Rexhep Taip Erdogan ka akuzuar në mënyrë të përsëritur të huajt, se ishin ata prapa protestave në Parkun Gezi verën e vitit që kaloi, protesta që patën si pasojë 6 të vdekur dhe 800 të plagosur. Zyrtarë të ndryshëm qeveritarë lanë të kuptohet se forca të errëta po veprojnë në prapaskenë, duke përfshirë diasporën hebreje, CIA-n, BBC-në, CNN-in dhe lobin e normave të interesit, një term ky që përdoret për të përshkruar një grupazh bankash vendase dhe të huaja, që zyrtarët besojnë se duan të dëmtojnë Turqinë për të cuar përpara interesat e tyre. Një gazetar turk i BBC-së u akuzua haptaz se ishte spiun i jashtëm. Protestuesit në sheshin Taksim u quajtën terroristë.

U tha se kompania ajrore gjermane, “Lufthansa” po përpiqej të dëmtonte ndërtimin e një aeroporti të ri shumë të rëndësishëm për Stambollin.

Nëpër rrjetet socialë, nuk kanë të pushuar zërat për një “shtet të thellë brenda shtetit të thellë”. Gradualisht, Turqia po shndërrohet në një shtet të mbërthyer nga paranoja.

Askush nuk beson më asgjë. Ka një dyshim në rritje të publikut se lajmet janë të filtruar, në mos të manipuluar. Rregjistrime të nxjerrë kohët e fundit zbuluan se sondazhet e botuar në një prej gazetave të mëdha janë manipuluar për të kënaqur qeverinë. Gazetarët kanë marshuar për të protestuar kundër shtypjes së lirisë së shprehjes.

Në një vend ku liria e shprehjes është ndrydhur dhe diversiteti i medias është rudhur, mediat sociale janë e vetmja platformë alternative e komunikimit, informimit dhe disinformimit. Një ligj i ri për Internetin i miratuar nga Parlamenti e rrezikon edhe më shumë lirinë e mendimit, ndonëse presidenti Abdullah Gul, që tha se do ta miratojë, ka pranuar se disa pjesë të tij janë problematike.

Nëse protestat në parkun Gezi shkaktuan shpërthimin e teorive të komplotit, hetimet e fundit për korrupsion i ndezin edhe më tej flakët. Zyrtarë të qeverisë flasin vazhdimisht për komplote të jashtëm. Turqia ka ecur shumë mirë, thonë ata, dhe tani aktorë të fshehtë duan të pengojnë rritjen e mëtejshme. Janë akuza që gjejnë jehonë edhe tek një pjesë e shoqërisë.

Përse kemi kaq nevojë të shpikim teori komploti?

Një pjesë e përgjigjes qëndron në faktin që Turqia nuk është ende një demokraci e pjekur dhe politika e saj është maskiliste, agresive dhe e polarizuar. Polarizimi i Turqisë prek cdo shtresë të jetës sociale, kulturore dhe ekonomike. Kur ndarja e pushteteve dhe diversiteti i medias vihen të gjitha në rrezik, ata që janë në pushtet bëhen edhe më të pushtetshëm.

Dhe një pjesë e përgjigjes qëndron në frikërat e vjetra, që kanë të bëjnë me mënyrën si ne jemi rritur. Më kujtohet teksti i një prej këngëve të fëmijërisë sime: “Një, dy, tre… rrofshin turqit… katër, pesë, gjashtë, Polonia u fundos… shtatë, tetë, nëntë, rusët janë tradhëtarë…”

Fëmijët e këndonin këtë këngë me gaz e hare nëpër rrugë, duke thirrur se italianët janë mashtrues, gjermanët janë derra. Ne jemi rritur duke besuar që Turqia ishte e rrethuar nga tri anë prej ujit dhe nga katër anë prej armiqve. Grekët synonin të ripushtonin Stambollin dhe ta shndërronin sërish në Kostandinopojë. Arabëve nuk u besohej. Rusët bënin plane të pushtonin Bosforin. Të gjithë donin një copë nga Anadolli, toka jonë, dhe i vetmi mik i një turku, ishte një tjetër turk.

Në të kaluarën, një ndër pikat e forta të partisë së Erdoganit, “Ligj dhe Zhvillim”, ishte një politikë e jashtme “zero probleme me fqinjët”. Ajo politikë nuk ka vazhduar.

Kjo qeveri, të cilën intelektualët liberalë e mbështetën dikur me shpresën se do të conte Turqinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, do te kufizonte rolin e ushtrisë dhe zbatonte reforma demokratike, këto kohë është duke ringjallur një retorikë të shumëpërdorur.

Kur flet, Erdogan i drejtohet subkoshiencës së kombit. Ai u flet frikërave tona të qëmotshme dhe ksenofobisë. Dhe pa e kuptuar, ne, miliona prej nesh, bëhemi sërish fëmijë, që presin në oborrin e shkollës për drejtorin, babanë, për të na treguar se sa me hile na e ka cdo i huaj dhe sa të bashkuar duhet të jemi kundër botës.

Por, në të njëjtën kohë, ky mentalitet i vjetër nuk josh më. Kohët kanë ndryshuar. Të rinjtë janë shumë më të hapur ndaj botës se sa brezi i mëparshëm, dhe populli është shumë përpara politikanëve të tij.

Sado të joshur të jemi prej teorive të komplotit, edhe turqve tashmë u kanë ardhur në majë të hundës.

 * Elif Shafak është autor i nëntë romaneve, përfshirë “Bastardi i Stambollit” dhe “Dyzetë rregullat e dashurisë”

marre nga “international new york times”

Leave a Reply

Back to top button