Psikologji

Terapistja shpjegon se pse tërhiqemi nga personat e gabuar

Në një pikë të caktuar të jetës sonë, thuajse të gjithë ne njohim dikë që është totalisht i gabuar për ne. Ndoshta ai person nuk pëlqen të njëjtat gjëra që pëlqejmë ne, ndoshta nuk është aq i ndjeshëm sa ne, apo është më tepër i ndjeshëm, ndoshta na bën të ndihemi vazhdimisht keq. Por, pyetja që na lind është: “Pse?”. Pse njohim njerëz të tillë në jetën tonë?

Mund të na duket si mungesë fati, por ekziston një arsye se pse tërhiqemi nga njerëzit që nuk bëjnë për ne. Shelly Bullard, një terapiste e specializuar në çështjet familjare dhe martesore, thotë se zgjedhjen për personat e gabuar e bën pjesa më e lënduar dhe e dëmtuar brenda nesh.

Bullard mendon se të gjithë ne kemi një pjesë të lënduar brenda vetes që ndihet jo e plotësuar. Ky un jo i plotësuar ndihet si difektoz dhe nuk i vë aspak në diskutim vlerat tona, por përpiqet të gjejë si kopje, një un tjetër jo të plotë. Vetëm në momentin që ndihemi plotësisht të lumtur, mund të nisim një lidhje të re të shëndetshme. Mirëpo kjo gjë vjen me vonesë, sepse gjatë kohës që uni ynë i dëmtuar është jo i plotë, ai kërkon një un tjetër me të njëjtat ndjesi dhe të njëjtat plagë si vetja duke na bërë të njohim edhe persona të gabuar. Vetëm kur arrijmë të rritemi e të forcohemi shpirtërisht prej personave të tillë, vetëm atëherë mund të gjejmë një person të duhur në jetën tonë.

Mënyra se si mund ta kalojmë një pengesë të tillë, sipas Bullard, është të nisim ta identifikojmë veten tonë me unin tonë supersor, i cili na tregon vazhdimisht se jemi të denjë, të plotësuar, të aftë dhe fortë. Vetëm përmes një uni të tillë ne mund t’i njohim më kollaj personat e gabuar për ne, të cilët na kanë çuar në një rrugë të gabuar, apo që na kanë bërë të dyshojmë mbi vlerat tona. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button