Analiza

“The Donald” shkon në luftë

Nga Bernard Gueta

Edhe shifrat erdhën. Ideja e zbatimit të “përpjekjes më të madhe ushtarake në historinë e SHBA”, për të cilën Donald Trumpi foli në 24 shkurt duke iu drejtuar një audience konservatorësh, u konfirmua dje. Pasdite erdhi propozimi formal, gjatë fjalimit që mbajti Presidenti para dy dhomave të Kongresit, qeverisë dhe gjykatësve të Gjykatës së Lartë.

Do të jetë një “investim historik”, u tha Trumpi guvernatorëve. Dhe nuk e tepron, sepse ai e bëri të ditur menjëherë, që Pentagoni do të marrë 54 miliardë dollarë më shumë se vitin e kaluar, një rritje prej 9 për qind. Diçka e pazakontë, për të mos thënë e habitshme, në kohë paqeje.

Presidenti i SHBA thotë se dëshiron që t’u përgjigjet kërcënimeve të një “bote të rrezikshme”, duke rritur buxhetin për “sigurinë kombëtare”, dhe mbi të gjitha, se dëshiron që të “rifillojë të fitojë luftërat.” “Kur isha i ri,” këmbënguli Trumpi “të gjithë thoshin se Amerika nuk ka humbur kurrë një luftë. A ju kujtohet? Amerika nuk humbiste kurrë, por tani ne nuk fitojmë kurrë një luftë”.

Ekonomia e luftës

Eshtë një përpjekje edhe më e habitshme, po të kemi parasysh se Trumpi nuk ka treguar asnjëherë, ndonjë kundërshtar ushtarak, përveç Shtetit Islamik – për ta mundur atë, këto shifra nuk janë absolutisht të domosdoshme – dhe se buxheti i mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara është tashmë tre herë më i lartë se ai i Kinës, dhe pothuajse nëntë herë më i lartë se i Rusisë.

Trumpi duket i gatshëm për t’i dhënë një shtysë ekonomisë amerikane, duke zëvendësuar investimet në infrastrukturën civile që kishte premtuar (dhe që do të kishte patur vështirësi ta miratonte në një Kongres me shumicë republikane) me shpenzimet ushtarake, që deputetët konservatorë nuk ka gjasa t’i refuzojnë.

Trumpi po fillon të kuptojë ekuilibrat me të cilët përballet një president. Por përtej idesë së rimëkëmbjes buxhetore, klasike Keynesiane, diçka duket se ka ndryshuar në këndvështrimin e tij për botën.

Deri pak kohë më parë, Trumpi i thurte lavde Vladimir Putinit dhe donte që ai të bëhej një partner themelor i SHBA. Por tani, këshilltari i tij i ri për sigurinë kombëtare, e konsideron Rusinë një rrezik dhe përfaqësia e SHBA në OKB ka thënë se rikthimi i Krimesë tek Ukraina është një kusht i padiskutueshëm, për shfuqizimin e sanksioneve ekonomike që i janë vendosur Moskës. I përbuzur deri një ditë më parë, në 24 shkurt, Bashkimi Europian papritur u bë “i mrekullueshëm”.

Administrata Trump bëhet kështu më konservatore. Në pritje që situata të stabilizohet, është e qartë se ato që do të paguajnë për shpenzimet ushtarake do të jenë diplomacia, ndihmat për vendet e varfër, programet ndërkombëtare dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike. /France Inter – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button