Ekonomi

Themelet e ekonomisë së dështuar greke

Screen Shot 2015-09-11 at 12.12.50 PMNga Edmund S. Phelps

Nju Jork – Shumë politikanë dhe ekonomistë fajësojnë masat shtrënguese – të kërkuara nga kreditorët – për kolapsin e ekonomisë greke. Por të dhënat tregojnë, se as masat shtrënguese në nivele historike dhe as shkurtimet e mëdha të shpenzimeve qeveritare, nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar humbjen e vendeve të shumta të punës.

Ajo çfarë tregojnë të dhënat, janë sëmundjet ekonomike, të rrënjosura në vlerat dhe besimet e shoqërisë greke. Sektori publik i Greqisë është plot klientelizëm (për të fituar vota) dhe nepotizëm (për të fituar favore) – shumë më tepër, sesa në pjesë të tjera të Evropës. Pensionet  maksimale për punonjësit e sektorit publik në krahasim me pagat, janë gati dy herë më të larta se në Spanjë.

Qeveria favorizon elitat e biznesit përmes statusit që i çliron ata nga taksat;ndërsa disa punonjës në sektorin shtetëror tërheqin pagat e tyre, pa u kthyer ende në punë.

Ekzistojnë ndërkaq edhe “sëmundje” serioze në sektorin privat – sidomos, ndikimi depërtues i interesave vetjake dhe të biznesit dhe elitave politike të vendit.

Sipas të dhënave më të fundit, fitimet, si pjesë e të ardhurave të biznesit në Greqi arrijnë një normë prej 46 përqind. Italia renditet e dyta me 42 përqind, me Francën në vendin e tretë me 41 përqind. (Pjesa e fitimit në Gjermani është 39 përqind, Shtetet e Bashkuara 35 përqind dhe Mbretëria e Bashkuar me 32 përqind).

Vandasit marrin subvencione dhe kontrata, në një kohë që të huajt e gjejnë të vështirë të depërtojnë. Në mënyrë të çuditshme, sipërmarrësit e rinj grekë raportohet se kanë frikë t’i përfshijnë kompanitë e tyre në Greqi, duke i lënë të tjerët të përdorin dokumenta të falsifikuara, për të zhvendosur jashtë kompanitë e tyre. Sipas Bankës Botërore, Greqia është një nga vendet më të vështira në Evropë për të nisur një biznes.

Rezultati është se konkurrenca për pjesën e tregut është e dobët, ndërsa ka pak kompani me ide të reja. Ky sistem i rrëgjuar buron nga vlerat e Greqisë korporatiste, të cilat e vënë theksin tek mbrojtja sociale, solidariteti në vend të konkurrencës, dhe parehatia me ndryshimin e pakontrolluar. Këto vlera mund të jenë të dobishme për jetën familjare; por edhe me qëllimet më të mira, ato janë një recetë për një ekonomi statike, dhe karriera që katandisen deri në absurditet.

Në fakt, produktiviteti i punës në Greqisë (PBB-ja për punëtor), është vetëm 72 përqind e nivelit të Britanisë të Madhe dhe Italisë, dhe vetëm 57.7 përqind e nivelit që ka aktualisht Gjermania. Dhe sondazhet tregojnë se kënaqësia e jetës në Greqi, është shumë më vogël sesa në vendet e pasura të BE-së (15 vendet kryesore të BE). Në kundërshtim me pretendimet e qeverisë greke, korporatizmi varfëron më pak të favorizuarit.

Të dhënat e BE-së mbi normën e varfërisë në vitin 2010, jepnin për Greqinë shifrën 21.4 përqind – shumë më e lartë sesa norma mesatare e BE prej 16.7 përqind. Sigurisht, Greqia përjetoi një bum ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore – por kryesisht nga rritja në arsim dhe kapitali për punëtor, të cilat mund të shkojnë vetëm në rritje. Dy burime të rëndësishme të prosperitetit të gjerë, janë bllokuar nga sistemi që mbizotëron aktualisht në Greqi.

Njëra është bollëku i sipërmarrësve të angazhuar në zbulimin dhe shfrytëzimin e mundësive të reja ekonomike. Pa ta, Greqia bën një punë të dobët në përshtatjen ndaj ndryshimit të rrethanave (një domosdoshmëri e theksuar nga Fridrih Hajek). Pronarët e anijeve të shumëlavdëruara së Greqisë, për shembull, ishin shumë të ngadaltë në përshtatjen e tyre me ngarkesat e kontejnerëve, dhe për pasojë e humbën pjesën e tyre të tregut.

Burimi tjetër i prosperitetit të gjerë, është një mori biznesmenësh të angazhuar në konceptimin dhe krijimin e produkteve dhe proceseve të reja – shpesh të quajtur “risi indigjene”. Këtu, Greqia nuk ka dinamizmin e nevojshëm: flukset e investimeve kapitaleve janë më të vogla, në krahasim me PBB-në në Greqi se në çdo vend tjetër të BE-së.

Pra, ekonomia e Greqisë ka një aftësi të pakët për të krijuar rritje të qëndrueshme të produktivitetit, dhe një kënaqësi të lartë njerëzore. Disa ekonomistë, besojnë se këto konsiderata strukturore, nuk kanë aspak të bëjnë me krizën aktuale të Greqisë. Në fakt, një perspektivë strukturaliste hedh dritë mbi atë çfarë shkoi keq – dhe arsyen pse.

Për disa vite, Greqia mori në emer të fondeve të BE të quajtur “fondet strukturore” kredi nga bankat gjermane dhe franceze, për të financuar një rrjet të gjerë projektesh, të një pune shumë intensive. Punësimi dhe të ardhurat u rritën, dhe u grumbulluan kursime. Kur kjo hyrje e kapitalit ndaloi, çmimet e aktiveve në Greqi ranë, dhe po kështu ndodhi edhe me kërkesën për punë në sektorin e kapitalit dhe mallrave.

Për më tepër, me pasuritë familjare që i tejkalonin ndjeshëm normën e deklaruar pagave, furnizimi me krahun e punës u zvogëlua. Në këtë mënyrë Greqia kaloi nga bumi tek një krizë e plotë. Perspektiva strukturaliste shpjegon gjithashtu, pse rimëkëmbja ka qenë e ngadaltë. Me konkurrencën e dobët, sipërmarrësit nuk nxitohen të punësojnë të papunët.

Kur filloi rimëkëmbja, trazirat politike në vjeshtën e vitit të shkuar, e mbytën besimin që në djep. E vërteta është se Greqia ka nevojë për më shumë, sesa thjesht ristrukturimi i borxhit apo edhe lehtësimi i tij. Nëse të rinjtë grekë do të kenë një të ardhme në vendin e tyre, ata dhe të moshuarit duhet të zhvillojnë sjellje dhe institucione, që përbëjnë një ekonomi gjithëpërfshirës moderne – që do të thotë zhbërja e vlerave të tyre korporatiste.

Nga ana e saj, Evropa duhet të mendojë përtej reformave të nevojshme të sistemit grek të pensioneve, regjimit të taksave dhe marrëveshjeve kolektive. Ndërsa Greqia ka arritur majat e korporatizmit, Italia dhe Franca nuk janë shumë prapa saj – dhe jo shumë larg tyre ndodhet edhe Gjermania. Të gjithë në Evropë, dhe jo vetëm Greqia, duhet të rimendojnë filozofinë e tyre ekonomike.

Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – The Foundations of Greece’s Failed Economy

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button